03 05 2013

Demonstro!

Të demonstrosh do të thotë të jesh. Versioni politik i cogito-s karteziane është të demonstruarit. Jorastësisht termi demonstratë në rrënjën e saj latine e përmban brenda kuptimin e ‘provës’ (de-monstrare). Prova e të vërtetës. Kështu demonstrata bëhet kriteri (prova) i të vërtetës politike. Ajo të bën të jesh. Sepse pa demonstratë qytetari nuk ekziston. Mund të kesh ekzistencë tjetër, por jo qenësi politike. E qytetaria është thelbësore për konstitucionin politik të qenies njerëzore. Pa demonstratë qytetari nuk ka kurrfarë mishërimi në shoqëri. Ai nuk i ndikon rrjedhat e saj. Pa qytetari, shoqëria bëhet natyrë, kurse njerëzimi përfundon në kafshëri. Pra, pushon së ekzistuari. Në njëfarë mënyre – kjo mund të duket e ashpër, por – pa demonstratë, realiteti mund të ekzistojë edhe pa qytetarin.

Demonstrata nuk është vetëm mohuese. Është e vërtetë që demonstrata e mohon të padrejtën. Por ajo po ashtu e ndërton kërkesën. Dhe e artikulon projektin politik. Duke ndërhyrë në rrjedhën e mefshtë të procesit, demonstrata e ngrit situatën në një nivel dhe status tjetër, duke i dhënë kuptim të ri. Kjo është arsyeja pse demonstrata e mundëson bashkësinë si dhe e mundëson historinë. 

Në Kosovë ka arsye për të demonstruar më shumë se kudo tjetër në Evropë. Sepse bash në çdo aspekt të jetës sonë shoqërore, politike, ekonomike e kulturore, ne rregullisht kemi probleme shtesë në raport me qytetarët evropianë. E, megjithatë, më duket se në Kosovë qytetarët protestojnë më së paku. Ata janë fare pak aktivë politikisht si qytetarë. Në jetën tonë të përditshme, prej kur zgjohemi në mëngjes e deri kur t’i mbyllim sytë në mbrëmje, në çdo hap të të jetuarit në Kosovë ne hasim arsye për të qenë të pakënaqur. Varfëria, papunësia, uji, rryma, shëndeti, shkollimi, korrupsioni, papërgjegjësia, ndotja… 

Kur një politikan është i korruptuar ai bëhet mjet i tjetërkujt. Prej atij çasti ai e përfaqëson tjetërkënd ndaj popullit të vet. Prandaj i kundërvihet interesave të përbashkëta të shoqërisë dhe qytetarëve të vet. Në aspektin e brendshëm e zhvat pasurinë dhe potencialin zhvillimor të popullit, kurse në aspektin e jashtëm bëhet vegël e politikave të huaja. Kështu po ndodh aktualisht me politikanët qeveritarë të Kosovës. 

Tash politikanët tanë të korruptuar qeveritarë ndodhen në fazën më kritike të negociatave me Serbinë. Ka disa raunde negociatash në të cilat po flitet për zgjidhjen e situatës në pjesën e veriut të Kosovës. Po flasin që ta zgjidhin problemin e veriut të Kosovës përmes fjalëve me atë (Beogradin) që është vetë problemi konkret në terren dhe me strukturat e tij të paligjshme në atë pjesë të Kosovës. Serbia deri tash nuk ka pasur kurrfarë trysnie serioze nga BE-ja për shpërbërjen e atyre strukturave të saj shtetërore në veriun e vendit tonë. Kushtet më të ashpra deri tash kanë qenë ato të disa shteteve nacionale, siç është rasti i Gjermanisë. Por asnjëherë deri sot kushtet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare nuk e kanë lidhur në mënyrë strikte shpërbërjen e këtyre strukturave me hyrjen e Serbisë në BE. 

Të thuash ‘duhet të ketë kompromis për veriun’ dhe ‘duhet të shpërbëhen strukturat e Serbisë në veri’, është kundërthënëse. Sepse nëse ka kompromis me strukturat e Serbisë në atë pjesë, kjo do të thotë që ato duhet të legalizohen. Kurse të thuash që ato duhet të shpërbëhen, do të thotë të mos bësh kurrfarë kompromisi me ekzistencën e tyre të paligjshme dhe antikushtetuese. Nëse nisemi nga logjika e kompromisit, do të ngadhënjejë plni i Serbisë dhe qëllimi për të cilin ato janë krijuar më 1999. Nëse nisemi nga logjika e shtetndërtimit, këto struktura nuk janë çështje e Serbisë. Zgjidhja në përputhje me shtetndërtimin e qëndrueshëm e përjashton automatikisht Beogradin si zgjidhje. Të mendosh se problemi i veriut është më afër zgjidhjes duke e trajtuar Beogradin si palë të zgjidhjes – ky është një naivitet i pashembullt, një keqlexim elementar i sjelljes shekullore të Serbisë ndaj shqiptarëve dhe Kosovës. 

Veriut të Kosovës po i përgatitet një autonomi politike dhe territoriale. Zgjidhjet që po propozohen krijojnë dyfishim të institucioneve shtetërore, sepse kompetencat e institucionit të komunave me bazë etnike serbe, do ta tejkalojnë dukshëm nivelin e kompetencave komunale. Nëse një marrëveshje e tillë pranohet nga qeveritarët tanë të korruptuar të cilët e kanë punën pisk me drejtësinë, qytetarët dhe shoqëria kurrsesi nuk duhet t’ia pranojnë Serbisë shtetin e saj brenda Kosovës. 

Është shumë me rëndësi që më 30 mars të protestohet në Mitrovicë. Në këtë mënyrë ne tregojmë se për popullin e Kosovës, Mitrovica, veriu dhe Kosova në përgjithësi është një dhe e pandashme. Kushdo që vepron ndryshe, vepron kështu për shkak të interesave personale apo shantazhit. Populli kurrë nuk do ta konsiderojë të ligjshme dhe të drejtë çfarëdo marrëveshje që Serbisë ia njeh ndikimin politik në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës. Dhe ka të drejtë ta kundërshtojë një marrëveshje të tillë në çdo kohë dhe me çdo mjet efektiv.  

Fati i integritetit territorial të Kosovës dhe fati i koniukturës aktuale politike qeverisëse në Kosovë është po i njëjti, por i lidhur në variabël. Me këta politikanë të papërgjegjshëm dhe që u pasuruan në mënyrë të pajustifikueshme, duke keqpërdorur paranë dhe pasurinë e qytetarëve, nuk mund të mbrohet sovraniteti dhe as të ndërtohet shteti. Këto janë të pazgjidhshme. Sa më parë ta kuptojmë këtë gjë, dhe sa më parë të organizohemi për ta ndrushuar këtë fakt, më afër drejtësisë do të jemi, zhvillimi nuk do të jetë larg. 

Kontribo