20 11 2015

Dënimi i policëve që arrestuan rojat e Vulinit, i papranueshëm!

Më 18 nëntor 2015, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që t’i dënojë me 9 vite burgim, pjestarët e Policisë së Kosovës të cilët kishin arrestuar rojat ilegale të Aleksandër Vulin.

Ashpërsia e shtetit të Kosovës ndaj të gjithë atyre që e kundërshtojnë depërtimin ilegal të Serbisë në Kosovë, si dhe toleranca e Qeverisë ndaj strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë, që cënojnë për çdo ditë sovranitetin dhe sigurinë e vendit, janë të padurueshme. Nuk është më e qartë se për kë po punon Qeveria e Kosovës. Për sovranitetin shtetëror dhe barazinë qytetare, apo për realizimin e planeve të Serbisë për kontroll të brendshëm në Kosovë.

Sistemi i drejtësisë sot është vënë në funksion të Qeverisë, e cila, po sulmon, arreston e burgosë, ata që janë kundër Serbisë, kurse po i toleron, mbron dhe mbështetë, ata që po e mbajnë Serbinë në Kosovë.

Vendimi për dënimin e policëve që arrestuan rojat ilegale të Vulinit, është i papranueshëm dhe duhet të tërhiqet.

Kontribo