Dënimi me 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Driton Çaushi dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Glauk Konjufca
Dënimi me 30 ditë arrest shtëpiak për deputetin Driton Çaushi dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Glauk Konjufca, është veprim në vazhdën e aktivitetit autoritar të Qeverisë së Kosovës.
Si e tillë, kjo masë e caktuar ndaj deputetëve Çaushi e Konjufca është e padrejtë dhe e papranueshme, teksa në anën tjetër është tregues i panikut që e ka kapluar Qeverinë, e cila nuk po arrinë ta shtyejë përpara faljen e tokës së Kosovës.
Mbajtja në arrest shtëpiak e deputetëve që mbrojtën integritetin dhe sovranitetin e Republikës dhe lënia në liri e kriminelëve që me vite shkatërruan e po shkatërrojnë shtetin tonë, është pasqyra më e mirë e funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë.
Këta pushtetarë që janë demaskuar me zë e figurë, që me çdo kusht duan t’i avancojnë përpara projektet e tyre antishtetrore e kriminale, me asnjë kusht nuk do të tolerohen që ta copëtojnë Republikën, herë duke falur territor e herë duke instaluar organizime sipas planeve shoviniste të Serbisë.
Prandaj, këtyre kriminelëve që janë instaluar në krye të shtetit me metoda kriminale, siç i është bërë me dije edhe më herët, iu përseritet prapë se burgosja dhe maltretimi nuk e ndalë dot përpjekjen për mbrojtje të Republikës. Rezistenca ndaj këtij pushteti do të jetë veç me e fuqishme dhe e pathyeshme.