Dënojmë shkeljen e territorit dhe vjedhjen tinëzare të Policisë së Malit të Zi
Nga portalet mësuam që Policia e Malit të Zi e paska hequr tabelën “Mirësevini në Republikën e Kosovës” (në tri gjuhë) dhe flamurin kombëtar shqiptar të cilat i vendosëm dje te Varri i Nuses, pra te pika kufitare midis Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi. Ne e dënojmë aktin e policisë malazeze që shkel territorin e shtetit të Kosovës dhe ndërhyn tinëzisht për të vjedhur tabela mirëseardhjeje dhe flamuj të shtetit tjetër.
Pesë deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE! qëndruan dje mbi një orë në këtë pikë kufitare. Policia e Malit të Zi, sipas banorëve atje, shfaqet andej pari çdo 15 minuta, mirëpo ajo nuk erdhi fare të hënën. Të martën e paskan vjedhur shenjimin e drejtë të kufirit që bëmë.
Varri i Nuses ndodhet 29 km larg Pejës dhe 18 km larg Rozhajës, si dhe 8 km larg nga pika e kontrollit të policisë së Kosovës e 2 km nga ajo e Malit të Zi. Policia e Kosovës (PK), por edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), duhet të shkojnë te Varri Nuses sepse janë të thirrur dhe paguhen për ta mbrojtur kufirin e territorit tonë. Deputetët tanë do ta vendosin sërish tabelën e flamurin atje, por ata nuk janë policë që t’i ruajnë ato 24 orë në ditë e 7 ditë në javë. PK dhe FSK duhet ta bëjnë këtë. Ato nuk është e thënë që ta presin qeverisjen e VETËVENDOSJE!-s për këtë gjë.
Ndërkohë, ne nuk lejojmë ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes private të Thaçit me Malin e Zi për demarkacionin e kufirit i cili na i humbet mbi 8.200 hektarë. I ashtuquajturi President Thaçi duhet të përgjigjet për krimin dhe tradhtinë e bërë.