11 07 2016

Denoncim publik ndaj dyshes zhvatëse Rrahim Pacollit dhe Gani Thaçit

Mërgatës shqiptare nga Kosova, s’po u ndahen zhvatjet. Përpos shumë investimeve individuale të shkuara dëm nën trysninë e adminisratës së korruptuar nga sundimtarët e Kosovës, si gjithnjë, në prag të pushimeve verore, zyrtarët sundimtarë, nuk harrojnë, që nën emrin e «polisave të sigurimit», të vazhdojnë grabitjet e tyre për mërgimtarët ende pa hyrë brenda kufirit të Kosovës.

Kësaj radhe, rolin e përkrahësit zyrtar të institucioneve të Kosovës e mori vetë kryeparlamentari Kadri Veseli.

Përmes mashtrimit të ri, me qëllimin gjithnjë të vjetër, Kadri Veseli, priti para dy ditësh në konsultë Kryetarin e Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacollin që së bashku me Gani Thaçin, përbëjnë dyshen grabitqare të mërgimtarëve në pikat kufitare të Kosovës.

Publiciteti dhe vetë forma e paraqitjes para opinionit publik, na bëjnë të dyshojmë, se zgjidhja e problemit të Kartonit të Gjelbër do të shtyhet deri në pakufi me vetë përkrahjen e Veselit dhe drejtuesve kryesorë të këtij rrjeti.

Për këtë, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Zvicër, ngrenë zërin dhe denoncojnë publikisht metodën grabitçare ndaj mërgatës.

Deri më tani, nga llogaritë e thjeshta del se nga kjo dyshe, nën kontrollin dhe për egon e tyre të pangopur, janë grumbulluar mbi 120 millionë euro. Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënes, para institucioneve, as para opinionit të Kosovës, dyshojmë se pjesa dërmuese e kësaj shume, është përdorur në kundërshtim të çdo rregulli dhe ligji të një shteti të drejtë.

Ngritja e zërit dhe denoncimi para prokurorit të shtetit të bëhet urgjent dhe pa mëdyshje. Dyshja, Rrahim Pacolli dhe Gani Thaçi, të bëhen objekt i hetimit dhe të dërgimohn para gjykatës.

Kjo detyrë, pa hezitim, i takon dhe duhet ta marrë përsipër Prokurori i Republikës së Kosovës Aleksandër Lumezi.

Në të kundërt, me mosgatishmërinë e z. Lumezi, për t’u ballafaquar me këtë fenomen të ”zhvatjes” “ligjore”, rezervojmë të drejtën, që të ngrisim padi penale, pranë organeve të drejtësisë zvicerane. Këtë të drejtë na e mundëson hapësira juridike në kuadër të legjislacionit legal zviceran.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Zvicër

Kontribo