10 05 2010

Dëshmorët e keqpërdorur

Kombi shqiptar ka shumë dëshmorë të luftës dhe përpjekjes për liri e bashkim kombëtar. Ata i kujtojmë çdo vit në ditën e rënies së tyre apo në ndonjë ditë të veçantë që vepra e tyre i dha kuptim të veçantë. Të kujtosh dëshmorët përmes një dite të shënuar domethënë të nderosh jetën dhe veprën e tyre, të nderosh familjet e tyre dhe mbarë kombin tonë. Duke kujtuar me nderim dëshmorët njëkohësisht ushqehet atdhetarizmi i bashkëkohësve dhe brezave të rinj, ngase vetë vepra e dëshmorëve është ushqim për këtë atdhetarizëm.

Por, jo gjithherë ndodhë kështu. Ndërsa kohëve të fundit, gjithnjë e më shumë vërehet një prirje për ta keqpërdorur ditën e përkujtimit të veprës së tyre. Mund të jepen shumë shembuj se si rastet e manifestimeve përkujtimore për dëshmorë e martirë të kombit, shndërrohen në fushata parazgjedhore ndërsa foltorja nga ku do të duhej të flitej për veprën e heronjve, përdoret për të shpërnda gënjeshtra dhe mashtrime qytetarëve nga ish-komandant të UÇK-së të konvertuar në politikanë të stërmoderuar dhe nga ish-politikanë të stërmoderuar – kundërshtarë të luftës dhe UÇK-së të transformuar në patriot të kosovarizmit multietnik! Këtu ndërkaq po sjell vetëm një rast ku në mënyrën më banale keqpërdoret emri, jeta dhe vepra e dëshmorëve.

Me 16 prill 2010, Drejtoria e gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik, sipas një aktvendimi të mbështetur s’mund ta di se ku (!), përjashtoi nga shkolla po 29 nxënës maturantë dhe dhjetëra të tjerë, për sjellje të keqe dhe mungesa të shumta të paarsyeshme. Vetëm pak ditë më pas, me 22 prill 2010, kryetari i Komunës Xhabir Zharku, i thërret këta 29 nxënësit maturantë bashkë me drejtorin e shkollës si dhe zyrtarë tjerë të Drejtorisë së Arsimit dhe Kulturës, për tua kumtuar urdhrin e, siç i pëlqen atij ta quaj, amnistisë! “Për nder të ditës së rënies së Feriz Gurit – komandant Shpata, dhe të Xhevdet Gurit, dhe gjakut të tyre të derdhur për lirinë e Kosovës, iu shpall të amnistuar… – iu thotë me këtë rast Kryetari nxënësve të përjashtuar!!!

Kontribo