12 10 2015

DioGuardi, Selimi, e vërteta dhe krimbi

Pashë një krimb që kish arritur të ngjitej lart. E pyeta,
“O krimb, këtu si më je ngjitur?”
Ai mu pergjigj: “Duke u zvarritur or mik, duke u zvarritur”

E vërteta që tha Jospesh DioGuardi në Komisionin për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan në datën 29 prill 2015 është e vërteta që shumë shiqiptarë kanë kohë që e presin të thuhet nga politikanët amerikanë për qeverinë e Kosovës dhe Maqedonisë. Kontributi që DioGuardi ka dhënë për mbështetjen e UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s dhe për avokimin e përkushtuar për pavarësinë e Kosovës është i pakontestueshëm. Sa kaq Zv. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, e shpalli javën që kaloi DioGuardin një pensionist (pra sipas Selimit edhe i pavlefshëm) që po flet si liderët serbë.

Vitin e kaluar, kur në Kosovë u zhvillua një fushatë sensibilizuese kundër ujit “Rosa” që importohet nga Serbia, Petrit Selimi u tall duke thënë se ata që zhvillojnë fushatën nuk e dinë se uji “Rosa” prodhohet nga “Coca-Cola” në Serbi, dhe “Coca Cola” është një kompani amerikane, e kështu në thelb kjo fushatë është antiamerikane. Edhe pse Petrit Selimi e ka patur të qartë që Kosova po të kishte politika më të forta tregtare mund të merrte “Coca-Cola” nga fabrika në Tiranë dhe ujin nga ku do tjetër përveç Serbisë. Për më shumë, në shkrime të mëhershme, që prej 2011-së, Petrit Selimi është shprehur se “respekti i madh ndaj amerikanëve” nuk ia lejon atij të thotë fjalë ofenduese dhe kritike ndaj tyre. Çfarë ndodhi? Mos po mendon Petrit Selimi se DioGuardi nuk është më amerikan?

Në SHBA jetojnë 319 milion njerëz. Mes tyre ka republikanë e demokratë, ambientalistë e anarksitë, marksistë e neo-nazsitë. Në SHBA ka njerëz që nuk e kanë haberin që ekziston kombi shqiptar, dhe ka prej tyre që njihen me shqiptarët prej dekadash dhe janë solidarizuar me çështjen shqiptare. Ka politikanë amerikanë që ngurojnë ta thonë të vërtetën mbi qeverinë Mustafa-Thaçi dhe ka politikanë amerikanë si DioGuardi që të vertetën e thonë në mes të Kongresit amerikan. Të thuash që ke respekt për të gjithë amerikanët, dhe për secilin prej tyre, pa marrë parasysh se kush janë e çfarë bindjesh kanë, siç ka thënë Petrit Selimi më herët, është hiprokizi. Kjo është strategjia për të bërë karrierë përmes servilizmit të skajshëm, që si duket po i dështon sot kur zërat si DioGuardi që e quajnë qeverinë Mustafa-Thaçi një qeveri të kriminalizuar janë shtuar edhe brenda SHBA-së edhe në Evropë.

Si shpjegohet qe Komisioni për Punë të Jashtme i Kongresit Amerikan nuk e paska ditur që DioGuardi qenka një pensionist i pavlerë, siç thotë Petrit Selimi, dhe e ka ftuar të japë një deklaratë në dëgjimin publik të këtij Komisioni? Petrit Selimi, “eksperti” i Thaçit mbi qytetarët amerikanë, nuk është në pozitë të vendosë se kë fton në dëgjime Kongresi Amerikan. Petrit Selimi, nga pozita e tij në Ministrinë e Punëve të jashtme, e ka shpërfillur faktin se DioGuardi drejton organizatën “Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane” që sivjet feston 25 vjetorin e punës së saj për çështjen shqiptare në SHBA. Me mosdistancimin nga deklarata e Petrit Selimit, duket se kjo qeveri është e gatshme të hedh poshtë çdo mik e bashkëpunëtor të shqiptarëve vetëm e vetëm për të ruajtur të paprekur pushtetin. Ky rast na tregon se edhe kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me SHBA-në, miqësia e këtyre qeveritarëve është e ndërtuar mbi përpjekjen për të ruajtur pozitat e pushtetit të tyre dhe jo interesin e Kosovës. Për ta ruajtur pushtetin këta qeveritarë janë të gatshëm të shkelin edhe popullin tonë edhe miqt e këtij populli.

Ngritja e Petrit Selimit në pushtet është si krimbi që është zvarritur lëpirasi gjer në majë të pemës e nga që ka hipur aq lart i duket vetja si flutur. Por jo çdo larvë kthehet në flutur. Era e pakënaqësisë së madhe që po fryn nga brenda dhe jashtë Kosovës shumë shpejt do ta hedh nga pema edhe Petrit Selimin, që i rrëzuar do të kuptojë edhe vetë karakterin e vërtetë të qenies së tij politike.

Është momenti që të tregohet se DioGuardi ka mbrojtur interesin e Kosovës ndërsa Petrit Selimi të Hashim Thaçit, e jo të Kosovës. Në këto kushte duhet kërkuar njëzëri shkarkimi i Petrit Selimit dhe mbështetja e deklaratës së DioGuardit në Kongresin amerikan.

Kontribo