27 11 2012

E ardhmja e Bashkimit Kombëtar

Fjalim mbajtur para studentëve të Universitetit të Prishtinës, 27 nëntor 2012

Do të bëj përpjekje që shkurt që të bëj një përmbledhje të rrugës që kemi ndjekur këto 100 vjet, një rrugë qe kemi ecur e ndoshta nuk do të duhej të kishim ecur dhe një rrugë nga kanë ecur veprimtarët e do të duhej të ecnin shumica. E them kështu do të duhej si detyrë e jo thjeshtë të përshkruhej çka ka ndodhur e çka është bërë, e menjë teze që të përkrahet rruga pa përkrahje, rruga që ka qenë pa mbështetje e që ka qenë rruga që e kemi humbur e të cilën duhet ta rigjejmë. Kur po flas për dy rrugë e kam fjalën për ndarjen e madhe që ndodhi menjëherë pas shpalljes së pavarësisë ne Vlorë në 1912 dhe menjëherë mendimi politik u nda në dy grupime të mëdha: një grupim i madh mendonte se menjëherë duhet filluar rruga e forcimit të atij shteti feudal, në kufijtë e luhatur  të caktuar në Londër, ku u caktuan kufijtë  e kësaj toke shqiptare, mendim ky që përfaqësohej nga pothuaj se të gjithë dhe mendimi tjetër  i mbetur në vetmi nga Hasan Prishtina që menjëherë duhet filluar lufta për tu shkatërruar kufijtë, për ti bashkuar territoret që u ndanë.  Pas secilës rrugë gjendet mangësia, por mbajtja dhe theksimi i këtyre dy rrugëve është me rëndësi për ta kuptuar veten gjatë këtyre 100 viteve, sepse gjithçka tjetër do të përcaktohet nga vendosja fillestare e këtyre dy rrugëve. Kështu duke përfshirë rrymën e parë dhe shumicën e mbështetësve, u mendua se brenda kufijve të caktuar në Londër mundet që edhe të ndërtohet një sistem politik stabël edhe një ekonomi e fuqishme. Dhe rruga filloi me shpresën se duke u fuqizuar ajo pjesë e Shqipërisë që u njoh, me kalimin e kohës do të arrijë që të përfshijë  dhe të tërheq brenda vetes shqiptarët që mbetën jashtë dhe të arrijë t’i bashkojë pjesët që ju hoqën. Ky është variant më i mirë i kësaj rryme që në këtë mënyrë besuan se mund të shkohet drejt bashkimit, me idenë që duke u forcuar shteti i krijuar shqiptar, do të arrijë ti bashkojë edhe pjesët tjera.

Këtu pastaj fillojnë pafund ndarjet  e pafund që i njohim gjatë historisë, se cili është sistemi politik i përshtatshëm dhe cili është sistemi ekonomik. Disa mendonin se sistemi më i përshtatshëm politik që i shkon Shqipërisë së mbetur është monarkia. Të tjerët mendonin republika. Brenda vete idesë së republikanëve ndodh një çarje tjetër. Republika duhet të jetë parlamentare liberale, apo republika duhet të jetë socialiste dhe komuniste. Ndërsa sa i takon sistemit ekonomik, ndahen përgjithësisht në dy grupe, njëri që mendon se ekonomia duhet të jetë ekonomi tregu, dhe tjetra që mendon se duhet të jetë ekonomi e planifikuar dhe e centralizuar. Kombinimi i të gjitha këtyre ndarjeve është ajo që ne jemi mësuar ta dëgjojmë vazhdimisht: përçarjet e udhëheqësve dhe drejtuesve politikë, se cili është sistemi më i përshtatshëm dhe cila është ekonomia më e përshtatshme. Por të gjithë pajtoheshin se ideja e  një lufte apo veprimtarisë për bashkim kombëtar është një aventurë sipas Zogut, luftë sipas Nolit, e pamundur sipas komunistëve e kështu me radhë.

Kështu i shohim të përçarë e të bindur, por jot ë përçarë e të bindur për këto dy çështje kryesore se cili është sistemi politik dhe ekonomik i përshtatshëm. Dhe të gjithë këta pastaj janë në konflikt me këtë rrugë të dytë; organizimin e të gjitha përpjekjeve të ndryshme, duke mos përjashtuar as luftën e armatosur për realizimin e bashkimit kombëtar dhe pastaj një komb i bashkuar të vendosë për sistemin politik apo ekonomik. Kjo ndarje e madhe i përshkon pothuaj se të gjitha veprimtaritë dhe i përshkon të gjitha mendimet, të gjitha veprimtaritë politike shqiptare gjatë këtyre 100 viteve. Ata që pranuan sipas tyre variantin më të mirë, përkohësisht kufijtë, për ta shty për më vonë bashkimin kombëtar, filluan dhe e artikuluan tezën e qëndrimit neutral të shtetit shqiptar ndaj çështjes kombëtare. Kjo ndodhi menjëherë nga qeveria e Vlorës, kurse menjëherë Hasan Prishtina e filloi luftën për bashkim. E atëherë ndaj kësaj lufte palët u ndanë. Një pjesë që mendonte se duhet përkrahur dhe qeveria e Vlorës e cila e shpalli qëndrimin e vet neutral, me idenë se Serbia do të thoshte se Ismail Qemali i ka garantuar se nuk do t’i kalonte kufijtë e vënë me 1913. Lufta u fillua, kjo luftë u humb e lënë vetëm, sepse përkrahës të

luftës për bashkimin kombëtar ishin shumë të pakët.

Përveç neutralitetit lindi edhe ideja e asaj që quhet ideja e negociatave me fqinjët për të rregulluar marrëdhëniet pas shpalljes së pavarësisë. Këtu prapë te të gjitha forcat politike brenda Shqipërisë, hasim në perceptimin për serbët e mirë dhe serbët e këqij në Beograd. Përveç Ismail Qemalit që e shpalli neutralitetin e shtetit shqiptar dhe kishte marrë garancinë se nuk do të shkelej kufiri,  të tjerët vijuan, Esat Pashë Toptani më 1914 bëri marrëveshje me Serbinë, për Zogun serbët e mirë ishin ata të Pashiçit, për Nolin ishte opozita kundër Pashiçit, Davidoviçi etj me të cilët bëri marrëveshje, për komunistët  nuk ishin as pozita as opozita por socialdemokracia jugosllave dhe komunistët jugosllavë.

Ky debat ka vazhduar në Shqipëri dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite. Rruga tjetër e kishte një ide tjetër. Për Hasan Prishtinën serb të mirë nuk ka, ka mbet edhe në popull kjo si shprehje. Përveç këtij momenti që e ndan mendimin politik shqiptar, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, moment tjetër që i ndante të dy rrugët ka qenë internalizimi i kufijve të jashtëm që u vendosën në Londër.  Nëse ata kufij u vendosën nga jashtë, puna e politikanëve shqiptarë dhe e institucioneve të socializmit si pasojë, ishte që ata kufij të jashtëm ti kthente në kufij brenda ndërgjegjes sonë, që ne të fillonim ti mendonim ata si kufij të pranueshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve. Prandaj po të marrim përkufizimin e atdheut që mësohej në periudhën socialiste në Shqipëri, në tekstet shkollore të tetëvjeçares, ku mësohej dhe bëhej përshkrimi i atdheut,  shkruante se atdheu ynë shtrihet nga Vermoshi në Konispol dhe ndërton me sukses socializmin. Ky internalizim i kufijve që edhe po përfytyrohej për shtirjen e atdheun u bë një nga pikat ndarëse ndërmjet dy rrugëve, rrugës që ruante përfytyrimin që kishin krijuar rilindësit për atdheun, dhe rruga që tkurrte përfytyrimin në ndërgjegje sipas tkurrjes që i ishte bërë nga fuqitë e mëdha.

Sot e kësaj dite, ka përpjekjen për ta definuar Kosovën si atdheu u kosovarëve, e për ta mbajt Shqipërinë nga Vermoshi deri ne Konispol si atdheu u shqiptarëve, e për t’i ndarë edhe në dy kombe si kombi shqiptar dhe kombi kosovar. Ata kufij janë pika ku ndahen ato dy rrugë. Rruga e dytë ishte rezistenca ndaj kufijve të vendosur nga jashtë ndërgjegjes, për t’i ruajtur së paku në ndërgjegje përfytyrimin për atdheun siç ishte krijuar në fillesat e tij origjinale të shtrirjes kudo që ishte kombi shqiptar në Ballkan. Kryeministri i Kosovës për shembull në mbledhjes e datës 16 të këtij muaji thotë se Ismail Qemali shpalli pavarësinë për atë që sot është Shqipëri zyrtare. Sigurisht që ky nuk është thjeshtë lapsus, sepse Ismail Qemali vetëm po të ishte perëndi do të mund ta shpallte pavarësinë vetëm për pjesën e tashme shqiptare, për shkak se vetëm një Zot do të mund ta dinte se ku do të jenë kufijtë e Shqipërisë. Në përfytyrimin e tij ai e mendonte Shqipërinë siç ishte në kohën e Rilindjes. Ai nuk e dinte se ku do të vendosen kufijtë e vitit 1913. Nuk e dinin as fuqitë e mëdha. Ajo erdhi vetëm si rezultat pas konferencës fuqitë e mëdha u grindën për kufijtë se ku do të ishin, dhe u vendosën ata që janë. Kështu që Ismail Qemali edhe po të ishte njeriu më antikosovar nuk e dinte se ku do të vendoseshin kufijtë se nuk kishte asgjë në dorë.

Kjo përpjekje është vazhdimësi e atyre përpjekjeve që kufijtë e vendosur në 1913-tën t’i kthejmë në kufij shpirtëror e të pranuar nga ndërgjegjja jonë si kufij. Njëlloj shqiptarët i ka ndarë të qenit projekt në botë. Përgjatë këtyre 100 vjetëve ka vazhduar një traditë e fuqishme dhe e mbështetur shqiptare për t’iu bashkëngjitur një projekti që është tanimë në botë. Ka qenë projekti i shumë bashkëkohësve të Ismail Qemailit, për krijimin e një shteti dualist shqiptaro-grek, ka qenë edhe para tij, pra në modelin e Austro-Hungarisë; Ka qenë projekti për federatë dhe konfederatë ballkanike ku shqiptarët brenda saj do të ishin të bashkuar; ka qenë projekti që përkrahte pushtimin fashist e nazist të cilët synonin bashkimin kombëtar përmes një projekti nazist e fashist; ka qenë projekti për bashkimin e shqiptarëve në kuadër ta kampit socialist, i mbështetur nga Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Socialiste në Kosovë; ka qenë ideja për krijimin e një Neo-jugosllavie; e deri të projekti i sotëm që shqiptarët të bashkohen në projektin më të gjerë që është Bashkimi Evropian.

Pra gjithmonë shqiptarët kanë tentuar që brenda një projekti të madh të realizohet edhe bashkimi kombëtar. Po të dështonte ai projekt i madh, dështonte edhe ideja për bashkim kombëtar sepse dilte jashtë kontekstit.

Projekti tjetër gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm por i papërkrahur nga shqiptarët, projekti se ne duhet të bashkohemi si projekt i yni, pavarësisht se cilat janë projektet nëpër botë, dhe krejt pavarësisht nga suksesi apo mos-suksese i projekteve tjera nëpër botë. Në këtë kuptim në gjuhën hegeliane ne dilnim si qenie shqiptare, me projektin tonë autentik që mund të jetë vetëm projekt i qenies shqiptare, projekt i bashkimit të vetes me veten pavarësisht se çka ndodh nëpër botë.

Këto kanë qenë pak a shumë disa aspekte të ndarjes së mendimit shqiptar. Ne kryesisht në historiografi jemi mësuar me rrugën e parë, dhe me ndarjet e nënndarjet që ka prodhuar ajo, dhe e kemi lënë pa mbështetje intelektuale, emocionale të njerëzve rrugën e dytë. Tani nëse do të kishim shkencë shqiptare, atëherë këtë përvojë do ta kishim përgjithësuar tanimë shkencërisht, sepse veçanërisht sociologjia dhe shkencat politike janë shkenca të përvojës. Dhe në qoftë se fillestarët nuk kishin përvojë për ta përvetësuar, tanimë janë 100 vjet përvojë shqiptare për këto çështje. E kjo përvojë është përvoja e rrugës së parë pra që të krijojmë një shtet që pastaj më vonë e bashkon kombin. Pastaj kemi krijuar një shtet të dytë. Mund të krijojmë edhe një të tretë e të katërt, dhe problemi për filozofët është se aftësia jonë për të krijuar një shtet, e pastaj edhe një shtet tjetër, pastaj edhe shumë shtete, na e zbulon paaftësinë tonë për të krijuar një shtet. Kështu që, ne ndodhemi tani pezull midis idesë, së krijimit të shumë shtete dhe paaftësisë për të krijuar një shtet.

Në këtë kuptim sa herë krijojmë një shtet të ri, na e vret ndërgjegjen tonë paaftësia për të krijuar një shtet dhe atëherë fillojnë problemet e racionalizimit të kësaj vrarje të ndërgjegjes duke thënë se dy shtete janë më mirë, tri shtete janë më mirë, katër shtete janë më mirë, që të qetësohemi se nuk po arrijmë dot ta krijojmë një shtet. Ideja e 2-3 shteteve shqiptare në Ballkan është projekt që të hiqet dore nga e vetmja rrugë që nuk ka pas mbështetje dhe përkrahje për bashkimin e shqiptarëve në një shtet me kufij sipas masës së kombit. Kjo rrugë ka mbetur e papërkrahur dhe vazhdon të mbetet e tillë.

Thirrja ime është që kjo rrugë e braktisur, është ndoshta, rruga e vetme që nuk e kemi provuar. Përvoja tregon se luftërat e humbura nuk janë mbështetur nga popullsia dhe ata që nuk e kanë mbështetur  janë dukur si të mençur se u ka dalë parashikimi, që po shkuan të vetëm në luftë do ta humbni. Ne kemi krijuar një terminologji tani tonën që diplomatët e shquar janë ata që nuk provuan ndonjëherë të realizojnë të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për bashkim. Duke mos vepruar u dilte parashikimi, se pa vepruar nuk arrihet rezultati. Kështu që, ata ishin brenda rrethit të vet të parashikuar që parashikimi sjell rezultatin dhe rezultati sjell parashikimin, ku të gjithë dalin “të mençur” e “të matur” përballë nesh si aventurier e dështak.

E, që kombi të mos dështojë, unë them që kjo rrugë e pashkelur, është koha për t’u shkelur masivisht e për të mos i lënë vetmitarë ata që e vazhdojnë traditën e kësaj rruge. E kjo është rruga pra , e përdorimit të të gjitha energjive kombëtare për bashkim sot. Sepse, një nga tezat që i ka ndarë shqiptarët në ndërgjegjen shqiptare, është ideja se kur do të bëhet bashkimi. Pothuajse askush nuk e ka kundërshtuar se ndarja është e padrejtë dhe se bashkimi duhet bërë, “vetëm se jo sot, se sot nuk janë rrethanat e nuk është konteksti, ajo duhet të bëhet në të ardhmen”. Secili brez thotë “në të ardhmen”. Unë mendoj se bashkimi kombëtar duhet bërë sot!

Kontribo