24 11 2012

E drejta në pensione shndërrohet në të drejtën e Qeverisë për të mos i paguar ato!

Jo rrallë në këtë Kosovë mund të befasohemi nga kjo Qeveri sa i përket politikave dhe përzgjedhjes së tyre të gabuar në trajtimin e ndonjë problemi. Jo shpesh mendoj që ka disa probleme në shoqëri për të cilat mendoj që nuk mund të ecët përpara pa u zgjidhur ato. Dhe shpesh në këto 5-6 vite të fundit më ndodh të befasohem me arrogancën, padijen dhe mungesën e vullnetit politik për të zgjidhur disa prej problemeve më serioze të kësaj shoqërie.

Në dëgjimin publik rreth ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti më rastisën të gjitha këto .

Në këtë dëgjim publik Qeveria prezantoi dhe madje kërcënoi me një ligj, i cili mirë që nuk trajton asnjërën nga kërkesat legjitime të pensionistëve dhe të grupeve të interesuara, por shkon një hap tutje duke sjellë dispozita lirgjore të cilat lejojnë ndaljen e pagesave të pensioneve në rast të vështirësive makro-fiskale. Me pak fjalë, e drejta e pensionistëve shndërrohet në të drejtën e Qeverisë për të mos i paguar ato.  

Për të zbërthyer çfarë solli Qeveria dhe atë çfarë do të duhej të sillte, do të analizojë katër çështje kyçe që duhen trajtuar nga secili ligj për pensione.

E para që do duhej të bënte një qeveri e përgjegjshme është të pranojë që pagesa e pensioneve prej buxhetit, pra prej të hyrave që gjenerohen nga tatimet dhe taksat doganore e jo nga një kontribut i veçantë, nuk mund të quhet pension. Ndërsa ky ligj financimin e pensionistëve e bazon kryekëput në taksat ekzistuese dhe rrjedhimisht pensionistin e fut në të njëjtën kategori me asfaltin, me biçikletat e buxhetuara të pylltarëve, si dhe me pagat e mëditjet e konsulentëve që na e privatizojnë shtetin.

Qysh prej Otto van Bismarck-ut, saktësisht nga viti 1889, pensionet janë rregulluar në dy forma.  Forma e parë e cila edhe ka filluar me Bismarck-un është vendosja e një kontributi (takse shtesë) në paga, ku gjenerata aktive pra ata që janë të punësuar, kontribuojnë në skemë pensionale dhe me mjetet e mbledhura nga kontributet e tyre paguhen pensionet. Kështu gjenerata aktuale ka financuar gjeneratën e ardhshme. Forma e dytë është ajo që aktualisht implementohet në Kosovë, përsëri në formë sui generis,  ku personat aktivë paguajnë në një skemë pensionale dhe kështu kursejnë për veten. Thënë troç, me këtë skemë pensionale secili financon pensionin e vet. Anashkalimi i pensionistëve nga reforma pensionale nënkupton trajtimin e tyre si raste sociale.

Këto dy forma janë bazamenti i çfarëdo skeme pensionale në botë. Ndodh të përdoret skema e gjeneratave, ajo e vetëfinancimit, apo edhe kombinimi i këtyre të dyjave, siç është rasti me shumë vende të regjionit.

Qëllimi është i qartë, të krijohet skemë pensionale e qëndrueshme, që siguron pensione të dinjitetshme nga të hyra të sigurta dhe të pritshme, në lartësi të përcaktuar, lartësi e cila përcjellë pagën minimale. Për më tepër, skemat pensionale duhet të sigurojnë që edhe pensionistët ekzistues por edhe ata të ardhshëm të mos diskriminohen në asnjë formë, por të gëzojnë të drejtën e tyre për pension.

E dyta që do duhej të bënte një qeveri e përgjegjshme është që të sigurojë një ligji, i cili problemin pensional e trajton si një dhe të vetmin. Është shumë e papërgjegjshme nga Qeveria që ka bërë ndarjen e çështjes së pensioneve në shumë ligje duke krijuar kështu shumë grupe të cilave veç e veç ju shpërndan hi syve.  Kosova duhet të ketë vetëm një ligj për trajtimin e skemave pensionale, e ai ligj duhet të jetë Ligji për Sigurime Invalidore dhe Pensionale.

Ky ligj do të mundësonte krijimin e një sistemi tre-shtyllësh pensional si dhe të një Fondi Pensional për Shtyllën e Parë për pensionistët ekzistues. Ky i fundit financohet nga një kontribut shtesë prej atyre që tani më janë aktiv në tregun e punës, të cilët edhe tani pa këtë fond subvencionojnë prindërit dhe gjyshërit e tyre. Rrjedhimisht, këto fonde së bashku me barrën ekzistuese buxhetore do të krijonin hapësirë të mjaftueshme financiare, kohore dhe administrative për të siguruar pensione të dinjitetshme. Për më shumë, me uljen e papunësisë rritet edhe numri i kontribuesve dhe si pasojë edhe Fondi Pensional akumulon më shumë të hyra, e që përkthehet në rritje të pensioneve në baza vjetore dhe ulje të barrës buxhetore poashtu në baza vjetore. Shtylla e dytë, ajo e vetëfinancimit, do të reformohej duke iu mundësuar qytetarëve edhe fonde tjera pensionale, derisa shtylla e tretë mbetet për ata që duan të kursejnë më shumë.  

Ligji aktual nuk e trajton sistemin pensional si një dhe të vetëm, por si të fragmentuar. Në anën tjetër, Qeveria imponon ligje që e copëtojnë tutje sistemin pensional dhe mënyrën e financimit e propozon sikurse për cilindo projekt buxhetor (asfalt, vaksinim, biçikleta etj), duke i trajtuar pensionet sikur të ishin një projekt e jo e drejtë themelore e atyre që kanë ndërtuar këtë vend.

E treta që do të duhej të bënte një Qeveri e përgjegjshme është të kuptoj që secili ligj i mirëfilltë  pensional e trajton çështjen e kategorizimit të pensionistëve si çështje fundamentale dhe jo si temë që mund të trajtohet me akte nënligjore duke e zvarritur kështu edhe 18 muaj diskutimin mbi pensione për tema puro teknike e jo fundamentale. Pra, me këtë projektligj Qeveria as nuk krijon sistem pensional, as nuk parasheh kategorizim, por premton që do t’i diskutojë ato vetëm pasi të aprovohet ligji.

Dhe e fundit, që do duhej të bënte një Qeveri e përgjegjshme, është të kuptojë se asnjë institucion financiar ndërkombëtar nuk i ka pensionistët e Kosovës prindër, familjar apo miq.  Për ata pensionistët janë vetëm numra në letër. Për më shumë, duke parë se si Qeveritë e deritanishme i kanë trajtuar këta numra,  çfarë trajtimi u është bërë me politikat sociale dhe se si është abuzuar me ta, është e natyrshme që mos t’iu besohet një reformë e këtillë.

Kontribo