18 02 2013

E reja si ndryshim, jo si vazhdimësi e politikës së vjetër

Lëvizja VETËVENDOSJE! është subjekti politik qe e ka moshën mesatare të anëtarëve më të re në Kosovë. Brenda VETËVENDOSJE!-s të rinjtë e gjejnë veten dhe përfshihen në aksionet e aktivitetet tona krejt natyrshëm. Kjo sepse vetë konceptimi ynë i politikës është i ri. Koncepti ynë i politikës nuk kufizohet me përfaqësimin, megjithëse nuk e përjashton atë. Përmes aktivizmit të përditshëm ne duam ta bëjmë qytetarin politik e politikën në funksion të qytetarëve. Të rinjtë në Kosovë nuk duhet parë si një kategori e ndarë nga pjesa tjetër e popullsisë. Edhe vetë ata nuk janë masë homogjene. Duke qenë në opozitë ne kemi bërë për rininë aq sa kemi bërë për popullin në përgjithësi. Duhet pasur parasysh se rinia nuk është shtresë e popullsisë. Kategoria “rini” është një nocion i përgjithshëm dhe abstrakt. Ka të rinj të pasur dhe të varfër, të shtypur dhe të privilegjuar.

 Për këtë arsye, ne si Lëvizje VETËVENDOSJE! nuk e kemi bërë ndarjen që bëhet zakonisht midis të rinjve dhe më të moshuarve. Pra, nuk kemi “Forum Rinor”. Kjo sepse ne nuk mendojmë që mosha është ndonjë tregues që flet për cilësi pozitive apo negative. E reja si përparim vjen përmes përpjekjeve që krijojnë çarje përmes ndërhyrjes brenda realitetit të dhënë. Forumet e tilla janë vetë diskriminuese, sepse të rinjtë brenda forumit vendosin për çështjet e të rinjve, gratë për çështjen e grave, kurse “burrat e moshuar” vendosin për çështjet e tjera madhore. Lëvizja VETËVENDOSJE!, për dallim prej subjekteve tjera politike, funksionon krejt ndryshe. Të gjithë e kemi statusin e njëjtë, aktivist, pavarësisht moshës apo gjinisë. Vendimmarrja në Lëvizjen VETËVENDOSJE! është e rregulluar me Statut. Për çështjet madhore, vendoset përmes demokracisë së drejtpërdrejtë, duke votuar e gjithë anëtarësia. Pra, pesha e votës së një të riu nga niveli i parë organizativ, që është Pika në ndonjë fshat apo lagje të qytetit, është e barabartë me peshën e votës të secilit aktivistë tjetër, qoftë ai anëtar i Kryesisë në nivelin e tretë organizativ apo deputet.  

Përfaqësimi i të rinjve në jetën politike është i mangët dhe i kufizuar. Por megjithatë, nuk është ky problemi kryesor. Problemi është se çka përfaqësojnë edhe ata të rinj që janë brenda politikës? Kemi ministra e zëvendës ministra të rinj në moshë, që janë të angazhuar në konceptin e vjetër politik, që Kosova sot po ua sheh sherrin. Shumë më i dobishëm për shtetin dhe shoqërinë është një i moshuar me një politikë të re që do të bëj ndryshime, sesa një i ri i angazhuar në politikën e vjetër, servil dhe lojal ndaj pushtetit. Kjo i bie që, për shembull, shumë më i dobishëm është një i moshuar, që punon për ngritjen e vetëdijes qytetare për vetëvendosjen dhe referendumin si të drejta të pamohueshme të kombeve, sesa një i ri që shkon pas Thaçit apo Edita Tahirit në Bruksel, për t’i mbajtur çantat e tyre, përderisa ata brenda bëjnë koncesione me Serbinë në dëm të sovranitetit dhe shtetësisë së Kosovës.

Problemet i të rinjve në Kosovë nuk ndahet nga problemet e përgjithshëm të Kosovës. Ato janë kryekëput probleme politike. Si pasojë e mungesës së vullnetit politik për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, qeveritarët e sotëm po privatizojnë të gjitha ndërmarrjet publike e shoqërore në Kosovë. Pasojë e këtij privatizimi, është rritja e numrit të të papunëve. Mos të harrojmë që Kosova, me të gjitha resurset e veta që i ka dhe me gjithë këtë rini të shëndoshë, është vendi më i varfër në Evropë. Rreth 45% e popullsisë së vendit tonë jeton nën kufirin e varfërisë (më pak 1.42 euro në ditë) ndërsa 17% e popullsisë jeton nën kufirin e varfërisë së skajshme (më pak se 0.93) euro në ditë. Sipas të dhënave të dala nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2011, 49.5 % e popullsisë është e papunë, ndërsa vetëm 10% e popullsisë së re punon. Situata duket akoma më e rënduar kur merret parasysh që 27% e popullsisë në Kosovë jeton nga burimet që i sigurojnë personat e tjerë.

Pushteti dëshiron që çështjen e të rinjve t’i trajtojë jashtë politikës, pra që të rinjtë të mos mendojnë politikisht, duke i mbajtur pasiv e nën kontroll me moton “fleni dathë”. Muaji i rinisë, që mbahet vit për vit, në vend se të ketë si qëllim primar, një debat të gjerë shoqëror e institucional, se çfarë duhet bërë, ka për qëllim që rininë ta disiplinojë. Aty flitet për paqen e domosdoshme dhe të imponuar, e jo për angazhimin e aktivizmin qytetar të të rinjve për të sjellë ndryshimin.

Kjo ndodh për shkak se pushtetarët e dinë që të rinjtë aktivë e politik i kanë bërë ndryshimet e mëdha gjithandej botës. Edhe në Kosovë, politizimi i të rinjve e studenteve ka sjell gjithmonë rezultate. Kujtojmë kështu vitin ‘68, pranverën ’81, 89-90, 97 e edhe luftën e lavdishme çlirimtare të UÇK-së. Pushteti dëshiron ta largoj të riun nga politika, sepse i frikësohet idesë së re politike, idesë së ndryshimit, ngase i konvenon mbajtja konstante e gjendjes aktuale në Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE! në alternativën qeverisëse i kushton një vëmendje të madhe përmirësimit të cilësisë në edukim dhe studim. Këtu përfshihen shkollat fillore dhe të mesme, universitetet, por edhe arti e kultura. Niveli mesatar i shkollimit në Kosovë është 9.5 vite, që është shumë i ulët. Rinia sot ka mungesë të arsimimit kualitativ. Vetë Ministri i Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Ramë Buja, fëmijët e vet i shkollon nëpër shkolla private apo jashtë vendit. Kjo flet më së miri se sa angazhohen këta qeveritarë në ngritjen e cilësisë së arsimimit në Kosovë. Tash për tash, nuk ka vlerësim të të diplomuarve. Ka shumë të rinj që janë bërë ekspertë të diplomuar në vende të ndryshme evropiane, por, që nuk mund të kthehen në Kosovë për shkak se niveli i papunësisë është i madh, dhe se gjetja e një vendi të punës, duhet të bëhet jo përmes kritereve profesionale, por lidhjeve familjare dhe të ryshfetit. E drejta për arsim është e drejtë universale, e patjetërsueshme njerëzore dhe shteti duhet t’u sigurojë të gjithëve mundësinë për t’u arsimuar. Një kusht i rëndësishëm për të pasur të gjithë qytetarët shanse të barabarta fillestare në jetë dhe në tregun e punës, është arsimimi i mirë. Ne angazhohemi që të krijohen shanse të barabarta fillestare  për arsim për të gjithë qytetarët, pavarësisht pozitës shoqërore të familjeve dhe arsimimit të prindërve. Pra, arsimi publik duhet të jetë falas, cilësor, dhe i arritshëm nga cilido qytetar, kurse ai privat duhet t’i nënshtrohet të njëjtave standarde cilësore. Me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, nuk do të jepen më diploma të pamerituara, dhe shkollat do të shërohen nga partizimi i stafit, që e ka ulur cilësinë e arsimit. Për shkollat fillore do të synojmë përgatitjen e një stafi cilësor, ndërsa do të tërheqim dhe studentët e magjistraturave dhe doktoraturave, që për një kohë të caktuar të japin mësim në shkollat e mesme të Kosovës. I takon sistemit arsimor që të edukojë të rinjtë nëpërmjet kultivimit të solidaritetit dhe jo vetëm konkurrencës.

Rinia e Kosovës, duhet ta shpenzojë energjinë e vet në arsimim dhe organizim. Në organizim, për shkak se vetëm duke u angazhuar e duke menduar politikisht, mund të qartësohen e mira dhe e keqja, shkaku dhe pasoja e secilit proces politik. Ndërrimi i gjeneratave nuk duhet të bëhet si thjesht zëvendësim i njëra-tjetrës, por si mësim nga gabimet e gjeneratës së vjetër drejt ndryshimeve që janë të domosdoshme për shtetin e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi.

Kontribo