17 07 2019

Takim me delegacionin zyrtar nga Mbretëria e Bashkuar

Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga drejtuesi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca dhe deputetet Saranda Bogujevci dhe Fitore Pacolli, priti në takim delegacionin nga Mbretëria e Bashkuar të kryesuar nga Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Foreign Office, z. Andrew Page, znj. Susan Laffey, drejtuese e Sektorit të Analistëve, Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairí O’Connell, dhe Samuel Paice, Sekretar Politik në Ambasadë.

Në fillim të takimit Kryetari Kurti e njoftoi z. Page për zhvillimet e fundit në Kosovë me fokus të veçantë situatën socio-ekonomike, mungesën e zhvillimit ekonomik, nivelin e lartë të papunësisë sidomos tek gratë dhe të rinjtë, nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë dhe nevojën shumë të madhe të lidhjes së sistemit edukativ me ekonominë.

Në anën tjetër, z. Page tregoi interesimin e Mbretërisë së Bashkuar për t’i ndihmuar Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik përmes përkrahjes së ndërmarrësisë tek të rinjtë me interes të veçantë në fushën e shkencave kompjuterike dhe dixhitalizimit si dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që ata të mos largohen nga vendi. Po ashtu, z. Page njoftoi për dyfishimin e fondeve që ndanë Mbretëria e Bashkuar për rajonin e Ballkanit Perendimor dhe dyfishimin e ekspertëve për të ndihmuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar e krimit kibernetik.

Ndër çështjet tjera për të cilat u diskutua ishte Procesi i Berlinit, të arriturat dhe fushat ku duhet fokusuar në të ardhmen ku kryetari Kurti sugjeroi se Procesi i Berlinit duhet të iniciojë një fond për zhvillim ekonomik të ngjashëm për Ballkanin siç ishte Plani i Marshallit për Evropën me fokus të veçantë në qytetet e ndara.

Sa i përket dialogut më Serbinë z. Page ripërsëriti qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar e cila është kundër iniciativës për ndryshimin e kufijve. Ndërsa, z. Kurti ritheksoi qëndrimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për një dialog të hapur nga poshtë-lartë për zhvillim si mënyrë për integrim e përparim.

Kontribo

LAJMËT E FUNDIT