06 08 2009

Ëndrra e papërballueshme

Për Jacques Lacanin thuhet të jetë psikanalisti më i madh në mesin e filozofëve dhe filozofi më i madh në mesin e psikanalistëve. Lacani na mëson që ëndrrat janë më të papërballueshme sesa realiteti. Se nuk janë ëndrrat zëvendësim për realitetin por realiteti është zëvendësim për ëndrrat. Ata që s’i durojnë ëndrrat e pranojnë realitetin. Njeriu nuk e sheh në ëndërr atë që s’e bën dot në realitet, por e bën në realitet atë që s’do ta shohë (as) në ëndërr.

A nuk është ky shpjegim i vlefshëm për Jakup Krasniqin dhe Hashim Thaçin, për këta dy ish veprimtarë të shquar të çështjes kombëtare? A nuk ishte pikërisht braktisja e ëndrrës kushti dhe mundësia për transformimin radikal të tyre? Është kollaj të thuhet se këta dy gjithmonë kanë qenë të këtillë – lakmitarë për karrige e tendera. Se dallimi i vetëm është që dikur nuk i kemi njohur siç i njohim tani. Mirëpo, një thjeshtim i tillë përjashtues nuk më duket as i drejtë e as i saktë. Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi për shumë vjet para luftës kanë qenë veprimtarë të devotshëm për liri e barazi, kundër shtypjes së shqiptarëve dhe eksploatimit të pasurive natyrore të Kosovës. Dy brezat e veprimtarëve ilegalë që këta u përkasin, gjithsesi kanë pasur ëndërr. Më parë se ta rizbulojmë të kaluarën e tyre si një të tashme të kamufluar, besoj që çdonjëri prej këtyre dyve e ka një moment në jetë, ose ndoshta një fazë në jetë, kur ëndrra i është bërë e padurueshme, kur janë zgjuar e kthyer në realitet, për ta përqafuar realitetin e për t’iu nënshtruar atij. Por, identifikimi i këtij momenti është i rëndësisë së dorës së dytë dhe nuk është objekt i analizës së këtij shkrimi.

Pra, jo veçantia e momentit të transformimit që mund të jetë edhe tërësisht subjektiv, por qenia e transformimit të Krasniqit dhe Thaçit reflekton te përmasa politike e institucioneve të Kosovës. Prej patriotëve që u pengonte aq shumë flamuri i Azem Vllasit me yllin e zhvendosur anash dhe ai i Ibrahim Rugovës me laramaninë e tij, Jakup Krasniqi dhe Hashim Thaçi u bënë promotorë të flamurit të Kosovës që është larg atij kombëtar shqiptar si asnjë tjetër. Prej kundërshtarëve të kapitalizmit (sado i butë të ishte ai) kaluan në agjentë të kapitalizmit (të egër). Këta dy veprimtarë që tradicionalisht i ka karakterizuar padëgjueshmëria, sot, si arsyetim kryesor për (mos)veprimet e tyre, pëshpërisin se ashtu u paskan thënë ndërkombëtarët (sic.).

Në kohën e veprimtarisë së tyre ilegale, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi do ta luftonin këdo që do të angazhohej për copëtimin e territorit apo privatizimin e ndërmarrjeve në Kosovë. Pas tri, përkatësisht dy dekadave, mu ata i udhëhoqën këto dy procese. Decentralizimi u pat bërë projekt i Kosovës në korrik të vitit 2004 përmes eufemizmit “reforma e pushtetit lokal”, të inicuar nga Jakup Krasniqi, atëbotë ministër, dhe rusi Petr Ivantsov, në emër të UNMIK-ut. Ndërkaq, privatizimi i kanalizuar në kohën e Qeverisë së Bajram Rexhepit po rrumbullakoset tash me Hashim Thaçin i cili do t’i shesë gjingantët ekonomikë të Kosovës sepse… ashtu i kanë thënë miqtë (e tij) ndërkombëtarë, apo jo?

Nga një situatë në të cilën ishin të gatshëm edhe të armiqësoheshin me faktorët ndërkombëtarë për atë që besonin se është interes i vendit, kaluan në një situatë ku e gjithë bashkësia ndërkombëtare është doemos mike. Kur e patën pyetur Hashim Thaçin se çfarë mendon për qëndrimin e Rusisë ndaj Kosovës, ai tha që beson se edhe Rusia së shpejti do të jetë konstruktive. Thjesht, nuk guxonte që Rusinë ta quante me emrin me të cilin ajo tashmë e quante veten karshi Kosovës dhe shqiptarëve. Ndërkohë, Jakup Krasniqi i përshkruante veprimet armiqësore të Serbisë me deklaratën: “Serbia eksporton pasiguri!” Ai po e kombinonte gjuhën tregtare (jo vetëm të tregut) me shprehjen që ndërkombëtarët duan ta dëgjojnë më së shumti: (pa)sigurinë. Zaten, duke vazhduar në linjën e Rugovës, këta edhe pavarësinë e kërkuan dhe e shpallën duke thënë që ajo iu konvenon sidomos ndërkombëtarëve. Paqja dhe stabiliteti në rajon, thoshin. Jo liria jonë. Rrethana e volitshme për të tjerët, jo vullneti ynë.

Jakup Krasniqi, si kryetar i Kuvendit të Kosovës e në seancat e tij, mbase ndjehet në vetveten e tij ngapak si Enver Hoxha në Kongresin e Partisë së Punës. Vetëm se ideologët prijës të tij dikur, Mehmet Hajrizi e Hydajet Hyseni, tash janë bërë asistentë të tij. Thuajse na doli që ideologjia na paska qenë e gabuar dhe ata që ishin mendimtarë e kishin gabim, prandaj dalin në role dytësore, kurse ata që ishin veprimtarë tash mund të udhëheqin, madje me pasionin e vjetër. Në fakt, pikërisht kjo po ndodh. Pasioni marksist-leninist ende i pashuar i Jakup Krasniqit është vënë në funksion të projekteve imperialiste. Nuk është Jakup Krasniqi një enverist që maskohet si liberal-demokrat, por ai është një neoliberal i devotshëm, ashtu siç e ka rolin politik e shoqëror, me ç’rast enverizmi i shërben vetëm si maskë. Bile, pa këtë enverizmin i cili ia jep gjallërinë e dikurshme veçse tash për projektin e ri e të kundërt (imperializmin), ai s’do të ishte i përdorshëm për tinizmin (Tina Kaidanow, e dini, kjo që shkoi por e la pas hijen e saj). Enverizmi i sinqertë i Jakup Krasniqit është, me shprehjet e Jacques Lacanit, mbështetje fantazmatike e aktualitetit neoliberal të tij. Tinës i nevojitej enverizmi i Jakup Krasniqit. Enverizimi shpirtëror i Jakupit është mbulesë për rolin e tij politik si shërbëtor i imperialistëve. Rreptësia enveriste e Jakupit nga lartësia e kreut të kuvendit është shumë e nevojshme për imperializmin dhe regjimin neokolonial i cili po forcohet në emër të demokracisë liberale. Jakup Krasniqi është veprimtari i vjetër që i dëgjon mendimtarët e ri, ideologët e rinj. Jo më Mehmet Hajrizin që e ka punësuar si sekretar, por Tina Kaidanowin. Para tridhjetë vjetëve, Jakup Krasniqi kishte dy pasione të mëdha: pasionin për të vërtetën shkencore të socializmit dhe pasionin për ballafaqim, pasionin për betejë përgjatë praktikës revolucionare. Pasionin e dytë, ca të shtrembëruar, ia ushqejnë edhe më tutje ndërsa pasionit të parë ia kanë ruajtur strukturën formale duke ia zëvendësuar përmbajtjen: të vërtetën shkencore të socializmit ia kanë shkëmbyer për të vërtetën (jo më pak shkencore mendojnë ata) të tregut të lirë. Në vend të Marksit e Engelsit, Jakupi tash i ka Adam Smithin e Milton Friedmanin, kurse në vend të Leninit – Reaganin. Një numër të madh të enveristëve brenda PDK-së, që janë anëtarë të thjeshtë pa interesa ekonomike a financiare, i mban aty ku janë mu ky moskuptim i maskës enveriste të Jakupit.

Në anën tjetër, Hashim Thaçi, praktikisht, megjithatë është më reaksionar. Ai nuk mund të marrë post më të lartë se sa atë që ka, pra postin e kryeministrit, ndërkaq Jakup Krasniqi teorikisht mund të bëhet edhe kryetar i shtetit. Te Hashim Thaçi nuk mund të llogarisim, meqë ai nuk mund të dëshirojë të ndërrojë çkadoqoftë – përparimi i tij është veçse kohëzgjatja e së njëjtës. Ndryshe nga ai, Jakup Krasniqi, për t’u ngjitur edhe një hap më lart, do të mund ta trazonte rregullin e gjërave siç janë tash. Dhe, teksa ai ndjek qëllime vetjake, ndoshta do të mund të vinte në shprehje dinakëria e mendjes (List der Vernunft) sipas Hegelit, ku veprimi i secilit është shërbim i pavetëdijshëm ndaj një diçkaje më të madhe se qëllimet e tyre subjektive, me ç’rast do të përfitonte diçka edhe Kosova. Hashim Thaçi, siç e dimë, vjen nga gjenerata tjetër, përkohësisht e ndarë nga ajo e Jakup Krasniqit në fillim të ’90-tave për shkak të LDK-së, por e ribashkuar me të në fund të ’90-tave në UÇK. Ndoshta shumëzimi me minus një (-1) i Jakup Krasniqit, atëherë kur kaloi prej marksist-leninistit në liberal-pacifist, i hapi rrugë një shumëzimi të tillë edhe për Hashim Thaçin? Ndoshta mospërballimi i ëndrrës ka formën e një paniku që i kaplon udhëtarët kur u thonë që anija po fundoset? Ndoshta. Sido që të jetë, Hashim Thaçi nuk ka hyrë vetëm në historinë e popullit tonë. Hashim Thaçi do të mësohet edhe në historinë e popujve të tjerë. Ose, do të arrijë të bëhet kapitull i veçantë edhe te shkencat politike. Aty, një ditë, do të mësohet se si ai është një shembull që nuk duhet ndjekur. Sepse, ai tashmë është shndërruar në një model të përdorshëm të politikave imperialiste të cilat çlirimtarëve nëpër botë u ofrojnë ta ndjekin rrugën e Hashim Thaçit. Se rruga për në çlirim kalon nëpër nënshtrim. Se e vetmja liri e mundshme në shekullin XXI është ndërrimi i sundimtarit e okupatorit. Se duhet hequr uniforma ushatarke dhe duhen dorëzuar armët për t’u zhytur në kostume firmato e për t’u lidhur me kollare. Shembulli i Hashim Thaçit do të përdoren për të keq kundër popujve të tjerë të shtypur që luftojnë për çlirim dhe drejtësi. Popuj të tërë do t’ia shohin sherrin Hashimit tonë. Ai është adut fenomenal i imperialistëve: për një metamorfozë të këtillë zakonisht atyre u duhej pritur për ndërrim gjeneratash të tëra, kurse te Hashim Thaçi ndryshimin eklatant e kanë të kondensuar brenda disa viteve të jetës së një njeriu të vetëm dhe atë jo të çfarëdo njeriu! Çka tjetër më shumë mund të dëshirojnë ata? Në këtë kuptim, Kosova njëmend është vend ‘sui generis’: shembull avantgard që do të përdoret kundër popujve të tjerë, udhëheqësit e të cilëve i vazhdojnë luftërat nacional-çlirimtare dhe e përballojnë ëndrrën duke mos u rrëzuar në realitet.

Në përgjithësi, politikani në Kosovë nuk shitet pasi që të bëhet kryeministër, ministër a kryetar kuvendi, por para se të bëhet i tillë. Madje, pikërisht asisoj ai ngjitet në atë post – duke u shitur, më saktësisht, pasi që të shitet. Ama politikani i profilit të lartë si puna e Jakup Krasniqit apo Hashim Thaçit, shitet edhe më herët se kaq, shitet në momentin kur s’e përballon më ëndrrën e vet. Ndoshta mu në atë moment ata janë bërë realizim i ëndrrës… së dikujt tjetër?! Gilles Deleuze thoshte që nuk ka gjë më të tmerrshme se sa të përfundosh i mbyllur në ëndrrën e tjetërkujt.

Sidoqoftë, nga ky mospërballim i ëndrrës, në vend të çlirimit (me ‘ç’ si ‘çekani’) fituam shlirimin (me ‘sh’ si ‘shërbëtori’). Ëndrrat mbase ishin të padurueshme për ëndërrimtarët porse këta tash patjetër do të bëhen gjithnjë e më të padurueshëm për qytetarët. Çlirimi sot e ka kuptimin edhe të çlirimit nga shlirimtarët. Kosova dhe shqiptarët nuk mund të ecin cilësisht përpara pa ëndërrimtarë të rinj në këtë shekull të ri.

Kontribo