28 06 2010

Fajtor pa faj

Kështu mund të thuhet për të dënuarin nga EULEX-i për ngjarjet e 10 shkurtit 2007, Albin Kurti, pas shpalljes fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 14 qershor 2010.

Por, a mund të ketë fajtorë pa faj? Ka, si s’ka. Gjithmonë ka pasur, prandaj gjithsesi duhet të ketë edhe sot. Për ç’do gjë që ndodh për keq në jetën shoqërore dhe politike lypet fajtori. Dikur ishte pak më vështirë të gjendej fajtori për veprat e ndryshme të dënueshme sipas ligjeve dhe sipas moralit, për arsye që dihen, ndërsa sot kjo është dukshëm më e lehtë. Për aq sa është më e lehtë të gjesh fajtorin sot për një vepër të sotshme në raport me ç’ishte dikur për një vepër të dikurshme, po aq është më lehtë të gjendet fajtori sot për një vepër të sotshme në raport me gjetjen e fajtorit sot për një vepër të djeshme. E ngjarja e 10 shkurtit 2007 në këtë kontekst, nuk mund të quhet ngjarje e djeshme por është e sotshme, e kohës së sotshme, për të cilën ka dëshmi të mjaftueshme, të bollshme: fotografi, videonçizime, dëshmitarë pjesëmarrës dhe dëshmitarë spektatorë, etj. Sot, në të vërtetë, për ngjarjen e 10 shkurtit, dëshmitar është e gjithë bota. Po pse pikërisht kur ka fakte të bollshme për pafajësi përkatësisht fakte të bollshme për të gjetur fajtorin e vërtetë, shpallet fajtor i pafajshmi? Kjo bëhet për arsye se fajësia kërkohet aty ku nuk është. Duke kërkuar, me qëllim, fajtorin aty ku dihet se nuk është, i kryejnë dy punë: në njërën anë e vonojnë procesin i zbardhjes së rastit, e në anën tjetër i qesin fajin tjetërkujt – atij që s’ka faj! Normalisht që kjo s’është hera e parë që ka ndodh kështu, jo veç në botë por madje edhe në tokën shqiptare, ku fajtor është shpallur i pafajshmi. Me qindra vetë janë dënuar nga diktatura me në krye Enver Hoxhën në Shqipëri, pa kurrfarë faji, ndërsa në Kosovë e vise tjera shqiptare në Jugosllave nga diktatura e Titos, poashtu pa kurrfarë faji!  Ja se ç’ thotë Adem Demaçi, për rastin e tretë, kur e dënua me 15 vjet burg, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë: “Dënimi i tretë ishte i kurdisur. Herën e parë më kanë pas arrestuar për propagandë, të dytën për themelimin e organizatës. Këto dy akuza i  pranoj. Të tretën herë më dënuan pa asnjë faj.” Ç’ është e vërteta ai, Adem Demaçi, gjithmonë ishte dënuar pa faj, ngase dënohej për ato që kishte në plan t’i bënte dhe jo për ato që kishte bërë. Në shumicën e këtyre procese gjyqësore politike, nëpër të cilat u shpallën fajtor shumë shqiptarë pa faj, pjesën më të madhe të punëve i kryenin shqiptarët, të cilët ishin kur në cilësinë e prokurorëve e të gjykatësve e kur në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa vendi ku gjykoheshin e shpalleshin fajtor ishte Gjykata e Qarkut në Prishtinë si organ i drejtësisë në Krahinë por që ishte organi i padrejtësive më të mëdha për shqiptarët në Jugosllavi, ngase ishte pjesë e Gjykatës Supreme në Beograd, punët e së cilës edhe i kryente. Çfarë dua të them me këto të dhëna krahasuese? Sigurisht dua të them se, pak rëndësi ka se cila gjykatë të dënon: a quhet ajo Gjykatë e Qarkut, a Gjykatë Supreme, a Gjykatë Speciale, apo tjetërqysh; a quhet ajo e Prishtinë, e UNMIK-ut, a EULEX-it; a janë gjykatësit, prokurorët dhe avokatët shqiptarë, të huaj apo të përzier. E rëndësishme ndërkaq është se kujt i shërben kjo gjykatë, cilit regjim, cilit pushtues, kolonizues apo neokolonizues, të huaj apo vendor, cilës ideologji politike, e të tjera si këto. Pra kjo ka rëndësi, në funksion të kujt ndodhet Gjykata dhe për çfarë qëllime përdoret ajo, për ta kuptuar se sa të drejta janë vendimet e saj. Gjithashtu nga këto të dhëna krahasuese mund të nxjerrim të përbashkëtën e regjimit të sotëm me regjimet e djeshme: proceset gjyqësore politike ku dënohen njerëzit e pafajshëm. Jo çdo punë bëhet pse të paguajnë. Dikush mund të paguan që ti ta vrasësh nënën apo babanë, por këtë njeriu normal nuk e bën. Nuk mund ta di se si janë ndjerë ata policë të Njësisë Speciale të cilët përdorën gjithë atë arsenal policor duke ushtruar dhunë të egër mbi aktivistët paqësor në zyrat dhe oborrin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë, më 12 qershor 2010, për ta arrestuar aktivistin e paarmatosur dhe gjithherë paqësor, Albin Kurtin; nuk mund ta di se si janë ndjerë ata urdhërdhënës policie të cilët pranuan urdhra për të dhënë urdhra për ta bërë këtë ndërhyrje të tmerrshme; nuk mund ta di se si janë ndjerë ata funksionarë politikë që pranuan urdhra për të urdhëruar eprorët policorë që ndërhyrja të jetë më profesionale, domethënë, sa më mizore; ata funksionarë politikë që urdhëruan eprorët mjekësorë, eprorët medialë, e të tjerë eprorë, që ndërhyrja mizore dhe gjakatare e policisë të duket më pak e dhunshme; pra nuk mund ta di se si janë ndjerë krejt këta pas këtij akti, që lirisht mund të quhet krim, kur dy ditë më pas EULEX-i e liroi të arrestuarin, pasi e shpalli fajtor! Dikush mund të thotë, po unë e di: ata janë ndjerë keq, sepse në veten e tyre e kanë parë të shëmbëllyer policin e dikurshëm të Milosheviqit, eprorin e këtij polici, apo madje politikanin kolaboracionist, apo mjekun a gazetarin e dikurshëm qe ende mendonte se Jugosllavia nuk do të shkatërrohej kurrë! Unë ndërkaq them: mund të jetë edhe e kundërta – varet nga ndërgjegja e tyre! Njësia Speciale e Policisë së Kosovës nuk ka nevojë të na i tregojë muskujt, sepse ne i dimë aftësitë dhe shkathtësitë e saj, e sidomos angazhimet e saj. Aq shumë punë ka Njësia Speciale në Kosovë sa që po t’i kryente ajo s’do të kishte kohë as për të fjetur. Kriminelët serbë shëtisin lirshëm nëpër Kosovë. E kur kriminelët serbë shëtisin lirshëm nëpër Kosovë, kjo do të thotë që Serbia shëtitë lirshëm në Kosovë. Ne e dimë pse Policia e Kosovës nuk i ndalon strukturat e Serbisë që veprojnë në Kosovë: nuk i ndalon pse këtë nuk e lejojnë EULEX-i dhe ZCN-ja. E nëse doni të dini pse këtë nuk e lejon EULEX-i dhe ZCN-ja, përgjigja është: sepse e kanë në plan t’i legalizojnë ato! Se si dhe qysh, do të shihet atëherë kur do të shihet. Përveç kriminelëve serbë, nëpër Kosovë shëtisin edhe disa kriminelë shqiptarë, të cilët, ç’është e vërteta, është pak më vështirë të identifikohen. Krejt në fund, i shpalluri fajtor pa faj, u dënua edhe për diçka që askush në Kosovë para tij nuk është dënuar: atij po përpiqen t’ia ndalojnë mundësinë që për tre vitet e ardhshme të jetë i zgjedhur në zgjedhjet që do të mund të mbahen. Në Kuvendin e Kosovës ka deputetë, jo vetëm të hetuar, por që janë dënuar për vepra të ndryshme penale, por atyre nuk iu është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje; nëpër komuna të ndryshme të Kosovës ka kryetarë të cilët janë të hetuar për vepra madje shumë të rënda, por as atyre nuk iu është ndaluar të zgjidhen apo të vazhdojnë punën në funksionin që kanë. Kjo është drejtësia në Kosovë! Kjo është demokracia në Kosovë!

Kontribo