Fjala e plotë e kryetarit, Albin Kurti në mbledhjen LIX të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!
Ju faleminderit të gjithëve, secilës dhe secilit për këtë besim të madh që e keni në qeverisjen tonë, në mua si kryeministër dhe që të vazhdojmë me Kurti 3 pas Kurti 1 e Kurti 2, në qeverisjen e mirë të Republikës së Kosovës demokratike e gjithëpërfshirëse, për të gjithë qytetarët pa dallim e pa lënë asnjëri mbrapa. Jam thellësisht e përzemërsisht mirënjohës, për jetë.
Të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s, kryesuese, Arbërie Nagavci,
sekretar, Alim Rama,
I nderuari nënkryetar i parë i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Glauk Konjufca, Nënkryetare e dytë, Mrika Limani-Myrtaj,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës, Dimal Basha,
Nënkryetare e Kuvendit të Republikës, Albulena Haxhiu,
E nderuara Koordinatore e Komiteteve Profesionale, Dejona Mihali,
Të nderuar partnerë të koalicionit tonë, bashkëkryetarë të GUXO, Donika Gërvalla-Schwarz dhe Faton Peci,
Kryetare e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila,
Të nderuar anëtarë të Kryesisë së VETËVENDOSJE!-s,
Kryetar të Qendrave,
Deputetë të Kuvendit,
Kandidatë për Kryetar të Komunave në zgjedhjet që na presin së shpejti,
të dashur aktivistë e mbështetës së Lëvizjes,
Të dashur qytetarë që po na ndiqni përmes rrjeteve sociale,
Të nderuar të pranishëm,
Mirë se e gjejmë njëri-tjetrin në mbledhjen e 59-të të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s. Meqë këto mbledhje i patëm filluar para diçka më shumë se 14 viteve, i bie që i kemi mbajtur pak më shpesh se çdo tre muaj; e vështirë të gjendet ndonjë subjekt tjetër politik jo vetëm në Kosovë që është kaq i rregullt dhe i dendur në organin më të lartë të vendimmarrjes politike. Unë ju falënderoj për këtë disiplinë të zellshme, për këtë përkushtim të pareshtur.
E teksa ne jemi mbledhur këtu në Prishtinë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, nuk mund të mos e kujtojmë që pikërisht sot, pra më 7 shtator, bëhen plot 35 vite nga mbledhja e deputetëve të Kuvendit të Kosovës më 7 shtator 1990 në Kaçanik, ku ata e miratuan Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vërtet ajo republikë u njoh vetëm nga Republika e Shqipërisë atëbotë, por ajo republikë e parë, e luajti rolin e saj historik si një republikë për rezistencë, për rezistencë paqësore dhe të armatosur, e që kulmoi me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërhyrjen legjitime të NATO-s, dhe me çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të vitit 1999. Liri kjo e cila i hapi rrugë shpalljes së dytë të Republikës së Kosovës nga deputetët e saj të zgjedhur në mënyrë demokratike, në mbledhjen historike të Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008.
Nëse me republikën e parë të Kosovës, atë të shpallur para 35 vjetëve iu hap rruga rezistencës dhe luftës për çlirimin e Kosovës, me republikën e dytë Kosovës, atë të shpallur më 2008, Kosovës i është hapur rruga për zhvillim dhe subjektivitet ndërkombëtar përmes 119 shteteve që na kanë njohur deri më tani, vendosjes dhe mirëmbajtjes së marrëdhënieve ndërkombëtare me këto shtete si dhe përmes anëtarësimit në dhjetëra organizata e mekanizma të ndryshëm ndërkombëtarë. Lëvizja VETËVENDOSJE!, ka qenë dhe mbetet subjekti politik me referencat më të qarta historike: nga Rilindja Kombëtare Shqiptare e qendërzuar te mendimi i Sami Frashërit, te beteja anti-kolonialiste e popujve për liri e pavarësi botës mbarë, te rezistenca e të burgosurve politikë e identifikuar me Adem Demaçin dhe deri te lufta çlirimtare dhe sakrifica për liri e kryekomandantit Adem Jasharit dhe e UÇK-së. Andaj sot dhe për jetë e mot, nderime dhe mirënjohje të gjitha gjeneratave që janë angazhuar për lirinë e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj.
E kemi thënë disa herë që Kosova ka nevojë për një republikë të tretë, por jo si një republikë e shpallur në Kuvendin e saj prej 120 deputetë, pra jo si një republikë e re por si një republikë e rinuar, si një republikë e përtrirë, e cila frymon sipas idealeve përparimtare të rilindasve shqiptarë; që zemrën dhe mendjen i ka te demokracia dhe përparimi, sikurse edhe synimet gjeopolitike që i ka të drejtuara kah integrimet euro-atlantike, në rrugën e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Një republikë për barazi sociale dhe për shtet të së drejtës, me një ekonomi që zhvillohet me prodhim, me shërbime, me tregti gjithnjë për mirëqenien tonë; me një ushtri që forcohet në vazhdimësi për sigurinë tonë dhe të aleatëve tanë; me sistem arsimor dhe shëndetësor që modernizohet për formimin e aftësimin dhe për shëndetin tonë publik; një republikë me ligje të drejta që mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut e të pakicave si dhe që promovojnë lirinë e shprehjes e që garantojnë kushte për realizimin e talenteve dhe shprehjen e individualitetit të secilit në komunitetet ku përkasim. Për të gjithë, për secilin, për komunitetet shumicë dhe pakicë, për çdo qytetar pa dallim. Pa të keqen dhe rrezikun e askujt, për të mirën, për sigurinë dhe mirëqenien e secilit!
E sivjet festuam edhe 20-vjetorin e Lëvizjes tonë. Mijëra tubime e takime anembanë Kosovës e në mërgatë, qindra aksione simbolike, aktivitete publike e protesta politike, dhjetëra demonstrata popullore, kanë bërë që të themi se përderisa populli ynë historikisht nuk e ka lënë veten pa lëvizje, në shekullin XXI kjo lëvizje e ka emrin VETËVENDOSJE!. Këto dy dekada ishin përplot punë e sakrificë, me shumë angazhim e kontribut e suksese. Ju faleminderit të gjithëve që jeni këtu, juve që nuk jeni këtu por po na ndiqni drejtpërdrejt, juve që njiheni e sidomos juve që nuk njiheni, juve që flisni e juve që nuk flisni, por që ju flet edhe më zëshëm puna që bëni. U jemi përjetë mirënjohës që e doni Lëvizjen dhe që nuk harroni se i duheni asaj. Secili nga ne e përbëjmë Lëvizjen dhe të gjithë ne bëhemi prej saj.
E gjersa në fillim të verës shënuam dy dekada të VETËVENDOSJE!-s, në fund të verës ndodhemi në muajin e gjashtë të vitit të pestë të mandatit tonë të plotë katërvjeçar.
Kemi menaxhuar shkëlqyeshëm: së pari, pandeminë Covid-19 (e cila shfaqet një herë në 100 vjet në botë), së dyti, kemi menaxhuar me krizën energjetike pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjen e kostos së jetesës (e cila ishte e paparë në 50 vitet e fundit në kontinentin evropian), dhe, së treti, kemi menaxhuar suksesshëm me sfidat e sigurisë nga sulmet e strukturave të Serbisë (më të mëdhatë dhe më të egrat së paku që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e këtej). Në anën tjetër, ekonominë të cilën e kemi marrë nën 7 miliardë e kemi sjellë në mbi 10 miliardë euro, punësimin nga 350 mijë qytetarë të punësuar në 430 mijë përfshirë këtu dyfishim të punësimit të rinisë, mandej kemi bërë më shumë se dyfishim të pagës minimale që e kemi rritur dy herë, e kemi gjetur 130 përkatësisht 170 euro, tash është 350 euro. Po ashtu kemi më shumë se dyfishim edhe të eksporteve tona jashtë vendit edhe të investimeve të huaja direkte në vendin tonë, e për herë të parë ofruam shtesa për fëmijë e për nëna lehona, 400 mijë fëmijë e rreth 70 mijë gra lehona e plus edhe i rritëm ato. E shtuam fuqishëm mbështetjen për ndërmarrjet në sektorin privat sidomos me programin SUPERPUNA ku për 6 muaj moshave prej 16 deri 29 vjeç ua kemi dhënë pagën minimale si bonus e me programin tjetër të subvencionimit të kredive investive përmes masës 2.1 në blerjen e makinerisë prodhuese deri në 20% të vlerës së tyre. Më tej, fuqishëm e kemi shtuar mbështetjen për ndërmarrjet në sektorin privat dhe i kemi shumëfishuar subvencionet sipas meritës për fermerë. E kemi shtuar buxhetin për shkolla e spitale, qendra të mjekësisë familjare e për ilaçe. Arsimin e bëmë falas për të gjithë. Ndërtuam e rinovuam godina sportive e objekte të trashëgimisë kulturore cep më cep Kosovës. Investimet publike kapitale i ngritëm në nivel rekord. Rritëm tre herë pagat në sektorin publik brenda këtij mandati, rritëm pensionet e ndihmat sociale si dhe shtuam bursat për studentë. Zbatuam drejtësi dhe ligjshmëri. Luftuam me shumë sukses krimin e organizuar dhe korrupsionin. U mbyllën dhjetëra laboratorë të drogës e prodhime ilegale të kriptovalutave. U mbyllën dhjetëra rrugë ilegale e u vendos rendi në çdo cep të territorit të vendit tonë. E bëmë Kosovën ndër tri shtetet me progresin më të shpejtë në botë në reformat në drejtësi. E ndërpremë me sukses keqpërdorimin e skajshëm nëpër ndërmarrjet publike dhe nga ndërmarrje që operonin me humbje të vazhdueshme e mbipunësim partiak, shumicën e tyre i ndihmuam të shënojnë rezultate pozitive financiare. Implementuam reformë të thellë të sistemit të drejtësisë. Falë përmirësimit të imazhit të shtetit tonë tani në botë dhe angazhimit tonë me shtetet skeptike brenda zonës Schengen, u sigurua liria e lëvizjes pa viza për qytetarët tanë që nga 1 janari i vitit 2024, duke mundësuar qindra mijëra familjeve të vizitojnë lirshëm mërgatën tonë, e dhjetëra mijëra të rinjve të vizitojnë vendet e tyre të preferuara anekënd Evropës. E po ashtu siguruam që Kosova të organizojë Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke u bërë vendi i parë në rajon që i mundësohet organizimi i kësaj ngjarje kaq të madhe sportive. Pothuaj në secilën fushë të angazhimit shënuam rekorde të suksesit. Tani në mandatin e ri në qeverisje synojmë të thyejmë secilin rekord të vendosur nga vetë ne.
Do të vijojmë me të gjitha punët e mira që i kemi nisur e do të kemi plot projekte të reja. Do të përshpejtojmë rritjen ekonomike me mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese dhe të inovacionit, e do të rrisim pagat, pensionet, dhe mbështetjen sociale. Do të shënojmë rekorde të reja në investime kapitale me projekte strategjike që rrisin aktivitetin ekonomik. Synimi ynë është që investimet kapitale të kalojnë 1 miliardshin në vit. Do të sigurojmë edhe shumë vende të reja të punës si për të vajzat e djemtë ashtu edhe gratë për ta tejkaluar shifrën prej gjysmë milioni të punësuar në Republikën e Kosovës. Do të kujdesemi për më shumë siguri, drejtësi e barazi, dhe më pak krim, korrupsion e varfëri. E do të përkushtohemi për më shumë kualitet të jetës e rritje të mëtejshme të jetëgjatësisë. Do të vazhdojmë punën për arsim cilësor e shëndetësi efikase. Do ta rrisim edhe më tej prodhimtarinë dhe eksportin, e do të kemi më shumë siguri energjetike e më pak ndotje të ambientit.
Më lejoni të theksoj para jush të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm disa nga zotimet tona kryesore dhe programet e reja të qeverisë sonë të ardhshme për mandatin e ardhshëm.
Në mandatin e ardhshëm do ta nisim valutën digjitale të Kosovës. Valuta digjitale, e bazuar në blockchain, e krijuar nga shteti, do të përdoret për pagesa. Krijimi i valutës digjitale hap mundësitë të reja për inovacion dhe krijon ekosistem të inovatorëve. Me këtë e vendosim Kosovën në qendër të zhvillimeve më të fundit teknologjike.
Për kompanitë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit që po tregohen të suksesshme në rritjen e punësimit do të ideojmë dhe ndërtojmë një ICT apo Tech Tower (Kulla TIK) si investim publik në qendër të Kryeqytetit si dhe do të ofrojmë mbështetje për hapësira e objekte në qytetet kryesore.
Do të largojmë të gjitha kufizimet për njohjen e shpenzimeve të trajnimit si shpenzime të zbritshme.
Transporti publik në vendin tonë është një nga fushat ku kërkohet shumë angazhim e transformim, andaj do të fillojmë me jetësimin e Programit “Anembanë”. Do të krijojmë, pra rrjet të integruar të transportit publik në tërë territorin e vendit. Fillimisht për trafikun urban, e në vijim edhe për trafikun ndër-urban. Integrimi do të jetë nëpërmjet biletës mujore të integruar. Secili shfrytëzues do të mund të udhëtojë anembanë Kosovës, pa pasur nevojë për biletë tjetër, dhe duke përdorur vetëm transportin urban dhe ndërurban. Bileta do të jetë e subvencionuar dhe me kosto minimale për shfrytëzuesit. Synimi është që me një kosto të përballueshme prej 10 euro në muaj, secili të ketë mundësi të shfrytëzojë programin “Anembanë”.
Për prodhimtarinë dhe ndërmarrësinë ne do të veprojmë përmes Bankës Zhvillimore, programit 1 miliardë euro për prodhim dhe ndihmesë bizneseve. Secili investitor do të ketë mundësinë të përfitojë nga garancia që shteti do të ofrojë për kreditë e nevojshme për investim. Për të mbështetur likuiditetin e bizneseve, mbledhjen e TVSh-së për mallrat që hyjnë në kufi do ta zhvendosim nga kufiri në brendi të vendit e data e pagesës së detyrimit të TVSh-së do të zhvendoset në muajin pasues nga muaji kur lind detyrimi në kufi, ngjashëm siç e kanë bërë edhe me bizneset për TVSh-në e brendshme.
Këtë mandat të ri e nisim me projektin e madh “Brezovica”. Ne do të investojmë deri në 500 milionë euro apo gjysmë miliardë euro në infrastrukturë rrugore, akomodime moderne, pista të reja e rrjet bashkëkohor të teleferikut. Do të sigurohemi që Brezovica të bëhet e famshme jo vetëm në rajon por edhe në Evropë e botë.
Nëpërmjet “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga diaspora deri në 100 milionë euro investime që bëhen në Kosovë. Integrimi i Kosovës në SEPA sigurisht se do të krijojë lehtësi të mëdha për transferet e parave në Kosovë. E kësisoj do të eliminoheshin përfundimisht tarifat e larta dhe do të kurseheshin miliona euro të parave të diasporës tonë.
Mësimi i gjuhës shqipe me kurrikul të dedikuar për fëmijët e familjeve që jetojnë e punojnë jashtë vendit. Së bashku me Shqipërinë do të sigurohemi që të mbahet mësimi i gjuhës shqipe në të gjitha shtetet ku ka komunitet më të madh shqiptar.
Ne kemi mbështetur familjet nëpërmjet subvencionimit të rrymës, pastaj me shtesa për fëmijë e për mandatin e ri po shtojmë një program të ri për gjyshërit e gjyshet e secilës familje që ka fëmijë. Në kuadër të mbështetjes pra për familjen, do të nisim skemën e mbështetjes së gjyshërve pensionistë që kujdesen për nipat dhe mbesat në rastet kur të dy prindërit punojnë. Secila gjyshe apo gjysh pensionist që përkujdeset për nipa e mbesa të moshës prej 13 deri 36 muaj kur prindërit punojnë do të marrin edhe 100 euro shtesë për çdo muaj mbi pensionin e tyre ekzistues. Paralelisht masave që mbështesin vajzat në studime e gratë në biznes, nënat me fëmijët, artistet dhe sportistet, në mandatin e ri që në 6 muajt e parë do të startojmë me programin e ri për punësimin shtesë të grave.
Programi Superpuna për Gratë do të garantojë pagën minimale për 6 muajt e parë, për secilën grua që dëshiron të rikthehet në tregun e punës. Pra, për bizneset bëhet e leverdishme të punësojnë gratë, sepse pagën e paguan shteti për 6 muajt e parë, kurse për gratë bëhet më e lehtë të gjejnë punë.
Gjatë mandatit të ardhshëm paga minimale do të rritet mbi 500 euro. Paga minimale njëjtë nuk do të tatohet. E kjo nënkupton që dhe për biznesin e vogël individual, 6000 eurot e para të fitimit vjetor do të jenë të liruara nga tatimi.
Më tej, për veturat e importuara nga Shtetet e Bashkimit Evropian do të heqim taksën doganore prej 10% gjë që do të mundësojë kosto më të lirë për qytetarët për blerjen e veturave.
Do ta themelojmë Fondin e Sigurimeve Shoqërore përmes të cilit do të mbulohet pagesa për pushimin e lehonisë dhe prindëror dhe pagesa në rast të humbjes së vendit të punës.
Për këtë mandat të ri do ta rrisim sërish numrin e inspektorëve deri në 200 inspektorë të punës.
Tashmë kemi një seri programesh të bursave të bazuara në merita dhe prioritete strategjike shtetërore që i kemi aplikuar gjatë këtij mandati që nuk po përfundon. Në mandatin e ri po shtojmë bursat e mobilitetit dhe mbështetjen për të gjithë studentët. Studentët që kualifikohen për programin e bursës “Mobiliteti për studentë”, për çdo muaj do të marrin një bursë, varësisht nga distanca që ka vendi ku studiojnë me vendin prej nga vijnë.
Pasi rritëm mbështetjen për studentët në universitetet publike dhe për studentet vajza e gra në STEM, pra në Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë, mbështetjen me bursa do ta zgjerojmë edhe për studentët që vijojnë studimet në shkollimin universitar jo-publik. Për këtë, do të dyfishojmë buxhetin e ndarë për bursa nga ai që kemi aktualisht.
Do vazhdojmë mbështetjen me prioritet të lartë për edukimin e hershëm. Vendi ynë i ka përafërsisht 108 mijë fëmijë nga 1 deri në 5 vjeç. Sigurojmë që krahas rritjes së përfshirjes së tyre në çerdhet publike do të fillojmë edhe me sistemin e bonove për ata prindër që vendosin të dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe jopublike.
Po ashtu synojmë përfshirjen në ciklin parafillor të të gjithë fëmijëve nga mosha 5-6 vjeç ku në Kosovë janë përafërsisht rreth 20 mijë fëmijë.
Do të vijojmë dhe thellojmë procesin e rishikimit dhe rivlerësimit të të gjitha teksteve shkollore. Nga gjuha e matematika që i rishikuam, tanimë do të vijohet me të gjitha tekstet e tjera për të gjithë arsimin parauniversitar. Si dhe për disa lëndë do të fillojmë me përkthimin dhe digitalizimin e materialeve shkollore.
Për Arsimin dual e profesional do të krijojmë platformën me profilet e secilit të diplomuar në arsimin profesional dhe arsimin dual për qasje të lehtë e të shpejtë në tregun e punës. 10 profile të reja do të shtohen në mësimin dual në përgjigje të kërkesave të industrisë, duke ia bashkëngjitur atyre aktuale që janë 12 sosh, pra nga 12 do t’i kemi 22 profile të arsimit dual gjithsej.
Do të bëjmë digitalizimin e certifikatave dhe materialeve shkollore dhe finalizimin e një Platforme të centralizuar digjitale për menaxhimin e shkollave, ditarëve dhe materialeve shkollore digjitale si hapat tonë të ardhshëm në arsim.
Klasat e mësimit do t’i pajisim me tabela të mençura. Do të shtrijmë internetin brezgjerë me shpejtësi të lartë edhe në 1000 institucione të arsimit parauniversitar së bashku me qasjen falas në internet.
Ne do të mbështesim gjithnjë e më shumë programet e kërkimit shkencor të universiteteve publike.
Ndërkaq në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” do ta ndërtojmë një konvikt të ri dhe tri salla të reja për bibliotekë universitare brenda Qendrës së Studentëve.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për sigurimet shëndetësore dhe kompletimit të sistemit informativ shëndetësor hapet rruga drejt funksionalizimit përfundimtar të sistemit të sigurimeve shëndetësore.
Në mandatin e ri do ta decentralizojmë në tërësi shërbimin shëndetësor. Për këtë do të investojmë në çdo spital rajonal në pajisje, shërbime të reja dhe infrastrukturë, kuadro profesionale. Do të ndërtojmë spitalin e ri në Mitrovicë dhe në Ferizaj.
Poliklinikat specialistike do t’i ndërtojmë në Drenas, Sharr, Podujevë, Viti, Rahovec e Leposaviq.
Si dhe do të hapim Poliklinikat specialistike stomatologjike në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Mitrovicë, Ferizaj e Podujevë. Do të ndërtojmë rrjetin e laboratorëve publikë që mbulojnë të gjitha llojet e analizave me kosto të përballueshme.
Për Listën esenciale të barnave sigurojmë shtim të buxhetit deri në 100 milionë euro. Ndërkaq kemi unifikuar tashmë çmimet e barnave në të gjithë territorin e vendit me çmime të përballueshme.
Në mandatin që s’po përfundon, fermerët e Kosovës i bëmë më të mbështetur në rajon e për këtë dëshmitarë i kemi mbi 120 mijë fermerë që përfituan mbi 300 milionë euro grante e subvencione. Më e rëndësishmja është që subvencionet kanë shkuar të gjitha te fermerët e vërtetë pra te ata që e meritojnë dhe janë ndalur abuzimet e shpërdorimet që mbizotëronin në të kaluarën.
Në mandatin e ri përqendrimi ynë do të jetë te rritja e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë përmes mbështetjes së investimeve në teknologji e rrjetëzim të mbledhjes dhe shpërndarjes së produkteve bujqësore.
E kemi subvencionuar akcizën e naftës, dhe tash do ta bëjmë edhe skemën e sigurimit nga fatkeqësitë natyrore për prodhimin tonë bujqësor. E për të pasur sigurinë e furnizimit me ujë do të fillojë puna për 5 diga të reja në Kosovë. Siç e dini Kosova i ngjan një pjate të kthyer përmbys ku burojnë lumenjtë por me shpejtësi dalin nga vendi ynë duke u derdhur në tri detra të ndryshëm: Adriatik, Jon, edhe Deti i Zi. D.m.th. këto detra ku derdhen lumenjtë e Kosovës bëjnë që ne patjetër të kemi diga të reja që na i akumulojnë ujërat nëpërmjet liqeneve artificiale por njëkohësisht edhe mund të shndërrohen në prodhues të energjisë elektrike nëpërmjet ujit që gjithashtu është një mundësi për siguri energjetike dhe për energji të pastër.
Do të ndërtohen pra 5 rezervuarë për ujë të pijshëm, ujitje dhe industri dhe po përgatitemi për 4 të tjerë shtesë si studime fillestare të fizibilitetit.
Rezervuarët që do të ndërtohen janë këto: Rezervuari i poshtëm i Firajës, Rezervuari i Pollatës, Rezervuari i Kuçicës, Rezervuari i Dragaçinës dhe ai i Desivojcës.
Prandaj, Kosova pra do të ketë një miks të energjisë që bazohet në burime vendore, dhe gjithnjë e më shumë të pastra e të ripërtëritshme nga era e dielli. Por jemi të vetëdijshëm që nuk mund ta tejkalojmë as kollaj e as shpejt qymyrin. Termocentrali “Kosova B” do të modernizohet, ndërkaq Termocentrali “Kosova A” do të rehabilitohet thellësisht ashtu që të rritet siguria e furnizimit, dhe të ulet ndjeshmëria ndaj krizave eventuale nga jashtë e gjithnjë të kemi çmime të përballueshme.
Do ta intensifikojmë bashkëpunimin për ndërtimin e kapaciteteve të përbashkëta energjetike me Shqipërinë.
Do të ndërtojmë sisteme të reja të ngrohjes qendrore edhe në Ferizaj edhe Gjilan. Ndërkaq do të dyfishojmë kapacitetin e mbulueshmërinë e ngrohjes qendrore në Prishtinë.
Do të vazhdojmë investimet në efiçiencë të energjisë, me vlerë 150 milionë euro për familjet që kanë nevojë për përkrahje për të izoluar shtëpitë e tyre, e për të siguruar kushte më të mira për nxënësit, pacientët, sportistët e zyrtarët në ndërtesa publike si shkolla, spitale, salla sporti, etj.
Trepça do të jetë në qendër të sektorit minerar, ndërkohë që hulumtimet e investimet do të zgjerohen në zonat e tjera me potencial të lartë.
Në mandatin e ri do të fillojmë me ndërtimin e hekurudhës Prishtinë – Durrës, që përmban segmentin Gjakovë – Shkodër, dhe do të projektojmë linjën hekurudhore që lidh Prizrenin e Ferizajin me Gjilanin dhe Bujanocin.
Do të përfundojmë ndërtimin e rrugës Prizren–Tetovë, autostradën Prishtinë – Gjilan me vazhdim deri tek Dheu i Bardhë dhe autostradën Duhle-Shtime-Banullë. Po ashtu do të ndërtojmë rrugën e Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun. E do të vazhdojmë me ndërtimin e rrugëve Deçan – Plavë dhe Pejë – Rozhajë.
Rruga Dollc – Gjakovë, Kijevë – Zahaq do të finalizohen krahas rehabilitimit dhe modernizimit të të gjitha rrugëve rajonale.
Ndërtimi i Portit të thatë i cili e vendos Kosovën në hartën ballkanike të transportit të mallrave është një nga projektet madhore të cilin do ta finalizojmë.
Siç e thash më herët, ekzekutimi i investimeve kapitale të tejkalojë 1 miliardë euro në vit. Dy vitet e fundit të mandatit kemi shënuar rekorde në ekzekutimin e investimeve kapitale dhe këtë ritëm do ta përshpejtojmë edhe më tutje duke reformuar sistemin e prokurimit publik. Nëpërmjet krijimit të sistemit për gjurmim të faturave që siguron se çdo faturë paguhet në kohë ndaj operatorit ekonomik, do të kompletojmë edhe integrimin e sistemit të menaxhimit të financave publike me sistemin e e-prokurimit.
Lojërat Mesdhetare 2030 janë kyçe për transformim të Kosovës në epiqendër sportive në rajon dhe më gjerë. Pallati i Rinisë dhe i Sporteve dhe Qendra e Studentëve në Prishtinë do të kthehen në hapësira moderne mikpritjeje, duke vazhduar t’u shërbejnë qytetarëve për dekada. Plani për infrastrukturën e futbollit, duke përfshirë edhe Stadiumin Nacional, Qendrën Akuatike me pishina olimpike, si dhe pishinat gjysmë-olimpike do të jenë themel i zhvillimit dhe cilësisë, ndërsa palestrat ekzistuese do të modernizohen sipas standardeve ndërkombëtare.
Programet “Sport në Shkolla” dhe “Arti në Shkolla” dhe “Drejt Malit” do të zgjerohen. Projekte të mëdha si Teatri i Operës dhe Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor do të bëhen pika referimi globale, duke ofruar hapësira të denja për krijimtari e bashkëpunime ndërkombëtare. Programi për muzetë i nisur në mandatin e parë do të zgjerohet në shumë komuna, me funksionalizim të muzeve ekzistues e themelim të muzeve të rinj. Krahas hartimit të master-planit, do të kujdesemi për nisjen e punëve konservuese në Kullat e Rezistencës brenda Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz që kujton e përkujton e nderon sakrificën flijimin sublime të Jasharëve në mars të vitit 1998, po ashtu edhe projektin e Kompleksit Memorial për masakrën e Reçakut.
Do të vijojmë me mbështetjen e Policisë dhe institucioneve të sigurisë me pajisje të specializuara e bashkëkohore, me shkollim e trajnim si dhe me armatim adekuat. Do të avancojmë Njësinë e Dronëve dhe Antidronëve për të forcuar mbikëqyrjen dhe gatishmërinë për t’u përballur me format e reja të rreziqeve të sigurisë, duke ndihmuar në hetime, mbrojtje dhe mbikëqyrje të kufirit si dhe rritjen e sigurisë publike në përgjithësi.
Për ushtrinë tonë në katër vitet e mandatit të ardhshëm do të ndajmë buxhet mbi 1 miliardë euro.
Do të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin ndërkombëtar bilateral dhe multilateral me shtetet anëtare të NATO-s.
Funksionalizimin e Fabrikës së Municioneve dhe zhvillimi i industrisë ushtarake të Kosovës.
E gjithashtu do të zhvillojmë dronët ushtarakë “Made in Kosova”.
Fuqizimi i ushtrisë do të realizohet përmes blerjes së armatimit, stërvitjes dhe edukimit brenda vendit, dhe në bashkëpunim me Shqipërinë dhe në akademitë më të shquara ushtarake në vendet partnere.
Do ta krijojmë Njësinë ushtarake të përbashkët me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Rekrutimi i kadetëve të rinj do të vijojë me ritëm të shtuar. Synojmë që brenda mandatit të ri të kemi 1000 gra e vajza ushtarake.
Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do të zbatohet në të gjithë vendin. Në kuadër të këtij programi secili rezervist vullnetar do ta ketë trajnimin adekuat si dhe armatimin në rast mobilizimi.
Do të forcojmë edhe më tej marrëdhëniet strategjike të vendit me partnerët, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë, Francën, Italinë, Turqinë, dhe të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian e të NATO-s.
Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian do të jetë një nga angazhimet kyçe tonat.
Dyfishimi i rrjetit të atasheve të mbrojtjes dhe shtimi i shteteve partnere me të cilat nënshkruajmë marrëveshje SOFA janë hapat që do t’i ndërmarrim në vijim drejt anëtarësimit të plotë në NATO.
Do të zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe me shtetet mosnjohëse, me theks të veçantë me shtetet mosnjohëse të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Me 15 dhjetor 2022, siç e dini të gjithë, zyrtarisht dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian me synim marrjen e statusit kandidat në Pragë të Republikës Çeke kur ajo kishte presidencën e Bashkimit Evropian. E synimi ynë është që deri në vitin 2030, vendi ynë të ketë përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt nga procesi i integrimit, drejt anëtarësimit në BE.
Gjithsej pra janë 25 zotimet tona që së bashku me programet e reja që kemi planifikuar për mandatin e ri do t’i kthejmë në një ansambël të aksioneve dinamike të gjithanshme për ta thelluar progresin e solidaritetin, për të zgjeruar drejtësinë e lirinë, e për të lartësuar republikën e demokracinë.
Ndërmjet mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VETËVENDOSJE!-s. Meqë tash u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe katër nënkryetarë, Gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës të Listës Serbe. Paarsyeshëm besoj unë, dhe kërkoi që 120 deputetë të Republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i Shëndetësisë Arben Vitia të lëshojë një vendim mjekësor që ata shtatë gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë është nëse është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme kjo masë 25-ditore. Por, që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme, nuk kam dyshime.
Të dashur aktivistë,
Nga katër muaj e gjysmë që nga fillimi i seancës së konstituimit të kuvendit në mes të prillit e deri te zgjedhja e Dimal Bashës kryetar e Albulenës nënkryetare dhe e dy nënkryetarëve nga PDK e LDK dhe e Emilja Rexhepit nga komunitetet jo-shumicë serbe po ashtu nënkryetare në fund të gushtit, pra nga gati katër muaj e gjysmë prej mesit të prillit deri te zgjedhja e Kryetarit dhe katër nënkryetarëve në fund të gushtit, tre muaj janë vonesë e Gjykatës Kushtetuese. Një muaj e gjysmë kanë votuar për ta trajtuar ankesën e AAK-së dhe po aq ankesën e PDK-së dhe LDK-së. Pra, përgjatë këtyre katër muajve e gjysmë, dy të tretat e kohës realisht kemi qenë në pritje të Gjykatës Kushtetuese, të cilës i adresohej opozita, jo ne. Ne donim frymë bashkëpunimi e konsultime konstruktive e marrëveshje politike, ata orë e çast vrap te Gjykata Kushtetuese. A e dini pse? Sepse 5 nga 7 gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë zgjedhur në vitin e largët 2018, kur në pushtet ishte koalicioni i PAN-it me Listën Serbe. E pas vitit 2018, ne i fitojmë zgjedhjet për herë të parë në vitin 2019, pastaj i fitojmë zgjedhjet herën e dytë në vitin 2021, e i fitojmë zgjedhjet edhe sivjet herën e tretë, por ja që ata ngelen të njëjtët aty në gjykatë, thua se është viti 2018. Ka ndërruar shumë përbërja e parlamentit prej atëherë, ka ndërruar shumë orientimi i qeverisë prej atëherë, e ata kanë ngelur të njëjtit aty si relikte të një trashëgimie jokulturore.
Por, të nderuar delegatë të Këshillit të Përgjithshëm,
Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon, e qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Republikës sonë. Në tetë raste, me vendimet e tyre ka penguar nismat reformuese e qëllimmira të Qeverisë, duke i shpallur ato si antikushtetuese. Në plot herë vendimmarrja e tyre ka vonuar mbi një vit, mbi një vit, njëherë të vonojnë e pastaj të rrëzojnë. E nëse e llogarisim mesataren e tyre, Gjykata Kushtetuese është vonuar 329 ditë, pra afërsisht 11 muaj për një vendim të vetëm. Ndërkohë që Qeveria jonë vetëm me mbledhjet e Qeverisë, ka miratuar 2349 vendime për këtë mandat, pra mbi një vendim në ditë nëse e shpërndajmë në kohë, e Gjykata Kushtetuese ka nevojë mesatarisht 329 ditë apo 11 muaj për një vendim të vetëm. Ne kemi marrë si qeveri më shumë se një vendim në ditë e ata më shumë se 11 muaj për një vendim. E kur e marrin atë vendim është vendim zakonisht i mbrapshtë, e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira. A po e kuptoni se pse e kemi Gjykatën Kushtetuese të këtillë çfarë është ndërmjet mandatit që nuk po përfundon dhe mandatit i cili nuk ia nis.
Gjykata Kushtetuese na e ka rrëzuar ligjin për vendosjen e çmimeve tavan. Një ndër ditët më të pikëllueshme, kur kam qenë më i mërzituri si kryeministër ka qenë 24 nëntori i vitit 2023. 24 nëntor 2023, kur na e rrëzojnë ligjin tonë për Çmimet Tavan për Produktet Bazë. Pastaj, na e kanë rrëzuar ligjin për Këshillin Prokurorial, ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, Kodin Doganor dhe Akcizë, vendimin e Kuvendit për shkarkimin e anëtares së bordit të OShP-së dhe së fundmi edhe Statutin e ShSKUK-së.
Derisa flasim, Gjykata po e pengon edhe zhvillimin ekonomik të vendit me mosmarrjen e vendimit për Ligjin për Fondin Sovran. Na ka ndihmuar Friedrich Ebert Stiftung – 1 vit e 8 muaj dhe 13 ditë sot – 1 vit e 8 muaj dhe 13 ditë që nuk merr vendim për ligjin për Fondin Sovran. E gjithashtu po e pengon avancimin e mëtejshëm të arsimit të lartë në Kosovë, me mosmarrjen e vendimit për Statutin e Universitetit të Prishtinës – 1 vit e 1 muaj e 20 ditë sot. Është dërguar Statuti i Universitetit të Prishtinës në Gjykatë Kushtetuese – 1 vit e 1 muaj e 20 ditë pa përgjigje. Janë plot 18 ligje në pritje të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese, përpos këtyre që i përmenda, pra në pritje të shqyrtimit dhe të gjitha këto gati që 9 muaj.
1.Ligji për Banimin Social dhe të Përballueshëm;
2.Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor;
3.Ligji për Byronë Shtetërore dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme;
4.Ligji për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”;
5.Ligji Kundër Dukurive Negative në Sport;
6.Ligji për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim;
7.Ligji për Bankat;
8.Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit;
9.Ligji për Gjykatën Administrative;
10.Ligji për Prokurorinë Speciale;
11.Ligji për Shërbimin e Pagesave;
12.Ligji për Maturën Shtetërore;
13.Ligji për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore;
14.Ligji për Inspektoratin Qendror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit si dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore;
15.Ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore;
16.Ligji për Inspektoratin Qendror për Mbikëqyrjen e Tregut.
Të gjitha këto qe gati 9 muaj në pritje në Gjykatën Kushtetuese e cila nuk merr vendim për këto, por kur kërkon masë të përkohshme Lista Serbe thotë 25 ditë, 120 deputetë të Republikës duhet të vegjetojnë.
Derisa Qeveria punon çdo ditë për qytetarët, Gjykata Kushtetuese pra vazhdon të vonojë vendime jetike, duke bllokuar reforma, duke shkaktuar pasoja të drejtpërdrejta për demokracinë, për qytetarët, për zhvillimin e vendit.
E pesë deputetë të opozitës shqiptare, nga 52 sa janë veç 5, as 10%, as çdo i dhjeti i tyre, veç 5 deputetë të opozitës po të votonin për Nenad Rashiqin, po të votonin për Nenad Rashiqin, do ta kishim edhe nënkryetarin nga komuniteti serb. Jemi angazhuar me partitë opozitare por kot ata votojnë me zell kundër Albulenës por nuk guxojnë të votojnë kundër Listës Serbe. Shteti i pavarur i Kosovës, të nderuar të pranishëm, është republikë demokratike, jo republikë multietnike. Kosova është shoqëri multietnike, por jo shtet multietnik. E jemi shoqëri multietnike sepse nuk jemi 100% shqiptarë, por jemi 92% shqiptarë, 8% nuk janë shqiptarë, 8% janë pakica, e gjysma e tyre serbë e gjysma tjetër boshnjakë, turq, ashkalinj, romë, egjiptianë e të tjerë. Ne si qeveri iu shërbejmë të gjithëve pa dallim si qytetarë të barabartë të Republikës, por politikisht është e pafalshme të mos bëhet dallimi ndërmjet Nenad Rashiqit dhe Sllavko Simiqit siç e bëri opozita.
Të dashur qytetarë,
Përveç sukseseve që i kemi në nivelin qendror dhe pengesat që na i nxjerrin të tjerët për të na vonuar sepse edhe ata e dinë, po si ne, që veç vonim se shpëtim nuk ka, ne po hyjmë tash edhe në një palë tjetër të zgjedhjeve lokale kësaj radhe jo si një subjekt që e teston forcën e vet, po si forcë që tashmë ka dëshmuar qeverisje, drejtim dhe përgjegjësi. Organizimi ynë është i qartë, në zgjedhjet lokale garojmë në 32 komuna me 906 kandidatë për kuvendet komunale. Ky është rrjeti ynë politik e qytetar, kjo është shtrirja jonë e gjerë kombëtare. Pra ajo që e dallon Lëvizjen nuk është vetëm numri, është thelbi. Në 12 komuna bartëset e listave tona janë gra dhe në nivel vendi 40% e gjithë kandidatëve në listat tona janë gra. Ky nuk është dekorim statistikor, është politikë emancipatore. Është përpjekje që udhëheqja të mos jetë privilegj i disave por përgjegjësi e të gjithëve. Listat tona janë ndërtuar me kujdes, me njerëz që kanë kurajo dhe karakter. Nuk janë lista të interesave të ngushta, por të përgjegjësisë së madhe. Prandaj zgjedhjet e ardhshme janë më shumë se garë, janë përballje me të kaluarën që ende mundohet të rikthehet dhe për këtë përballje ne nuk kemi vetëm organizim por kemi besimin e qytetarëve dhe fuqinë e bindjes sonë e të ideve tona.
Të dashur qytetarë,
Të dashur aktivistë,
Sot, nuk vuajmë më nga mungesa e informacionit sikur dikur, por nga kaosi i tij. Në njëfarë mënyre tash më shumë se një çerekshekulli terri informativ nën okupim të egër të Serbisë është zëvendësuar me një mjegull dezinformative në kushte të lirisë. Dhe këtë kaos prej mjegulle po gjejnë vend lajmet që shpeshherë nuk ua dimë as burimin se prej nga vijnë ato. Sot nuk është problemi as te identifikimi i gënjeshtrës, sepse nuk po fshihen më nga ajo, por te përsëritja e vazhdueshme e saj. Në intoksifikimin të atmosferës publike të mjedisit socio-politik problemi kryesor pra nuk është gënjeshtra sa përsëritja e saj. Përsëritja e gënjeshtrës në njërën anë, por edhe relativizimi i të vërtetës e i fakteve në anën tjetër janë pjesë e luftës hibride që i bëhet jo vetëm Republikës së Kosovës, shtetit tonë, por edhe vetë të vërtetës si të tillë. Nëse ata përsërisin gënjeshtrën, më duhet të them që ne e kemi për detyrë të insistojmë ta themi dhe ta rithemi të vërtetën. Dhe kurrë nuk është mjaft deklarimi i së vërtetës, sidomos në kohërat e gënjeshtrave të shumta që vazhdojnë të përsëriten.
Kësisoj, si asnjëherë më parë duhet pasur kujdes edhe për adresat nga po informohemi e kush po i thotë ato. Nëse ata që kanë për detyrë të informojnë nuk kanë filtra ndaj këtyre lajmeve, nëse edhe nuk i bëjnë ato me qëllim, duhet ne vet si qytetarë e si aktivistë të kemi filtrat tanë ndaj këtyre informacioneve aq shpesh aq shumë dezinformuese. Në anën tjetër kjo nuk ka se si të mos lidhet edhe me raportin e pazgjidhur që kemi me fqinjin tonë verior e ku e kemi një kontrast të thellë edhe sa i përket të kaluarës, edhe sa i përket të tashmes edhe sa i përket të ardhmes. Sa i përket të kaluarës për shkak të gjenocidit që u ushtrua mbi ne, sa i përket të tashmes për shkak se janë regjim autoritar e ne jemi Republikë Demokratike, ne luftojmë krimet e luftës, i zbardhim ato, ndërkaq ata duan revizionizëm të historisë dhe nuk pranojnë çfarë kanë bërë, mohojnë krimet e kryera. Por më duhet të them edhe për shkak të ardhmes meqenëse ne dëshirojmë Bashkimin Evropian dhe NATO-n ndërkaq Serbia autoritare gjithnjë e më shumë po orientohet kah Federata Ruse në krye me presidentin despotik Putin dhe nga Republika Popullore JoDemokratike e Kinës.
E tash të nderuar të pranishëm,
Ju e patë që së fundmi, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, na kishte akuzuar neve, më kishte akuzuar mua, se unë po ia organizoj e urdhëroj protestat atje, se ato po bëhen nga ne. Kjo nuk është çudi. Kështu ndodh me të gjithë ata diktatorë që janë të shkëputur nga populli i tyre të cilin e shtypin e shfrytëzojnë dhe nuk i besojnë atij. E në rrethana kur nuk i beson popullit tënd gjithçka duket se po të vjen disi prej jashtë. Aleksandar Vuçiqit protestat po ia organizon populli, populli i Serbisë dhe jo Kryeministri i Kosovës. Krejt çfarë mund të kemi ndihmuar për këto vite është veç shpërfaqja e fytyrës së tij të vërtetë nga perspektiva e shtetit dhe e popullit të Kosovës dhe ndërhyrjet që ai ka dashur t’i bëjë te ne e ne ia kemi ndaluar. Ia kemi ndaluar sepse parasëgjithash ia kemi ndalur. Atij i humbi fillimisht fuqia destabilizuese përmes bandave kriminale e strukturave ilegale në Kosovë, ndërkohë që tash populli i vet atje po ia humb fuqinë edhe brenda shtetit të Serbisë. Kjo dhe kaq është e vërteta.
Për fund, dua t’iu falënderoj jo veç për punën e angazhimin, rolin e kontributin, fitoret e sukseset tona të përbashkëta por edhe vështirësitë e mëdha, sakrificën e paimagjinueshme nëpër të cilën keni kaluar gjatë punës, kontributit, rolit, fitoreve dhe sukseseve tona të përbashkëta. Pra nuk është thjesht punë, është punë e rëndë. Nuk është thjesht angazhim, është angazhim i vështirë. Dhe këtë e kemi arritur bashkërisht sepse s’jemi ndalur, s’jemi lodhur dhe sepse e keni kuptuar që bashkëpunimi nuk nënkupton që vetëm të jemi bashkë por edhe të punojmë sa jemi bashkë. Prandaj edhe siç tha Nënkryetari i parë Glauk Konjufca ne e kemi arritur këtë sukses kaq të madh përkundër kaq shumë vështirësive. Kemi bartur pesha shumë të rënda teksa kemi vrapuar kur të tjerët s’kanë guxuar as të ecin. Dhe për këtë si kryetar i Lëvizjes, si Kryeministër i Republikës, si kryesi e VETËVENDOSJE!-s, u jemi si nga hera ashtu përherë falënderues e mirënjohës sa s’thuhet.
Në zgjedhjet e kaluara siç e dini edhe veçmas i kemi pasë kundër krejt opozitën të cilën e bashkoi inati e xhelozia ndaj nesh. I kemi pasë bashkë kundër nesh të gjithë oligarkët të cilët i bashkoi frika nga drejtësia e ligjshmëria jonë, dhe i kemi pasë krejt bashkë pothuajse të gjitha mediat, të cilave nuk u pëlqente e vërteta e suksesit dhe suksesi i të vërtetës së qeverisjes tonë të mirë. I kemi pasë bashkë komplet klikën e prokurorisë, merreni me mend, përkundër të gjitha këtyre së bashku fituam. Andaj po përpiqem ta shpij edhe një hap më tutje atë çfarë tha Glauk Konjufca, që mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve nga opozita kosovare, mospranimi i fitores së VETËVENDOSJE!-s në fakt është se ata nuk po mund të përballen me diçka që e kanë konsideruar të pabesueshme. Ata nuk po pranojnë sepse ende nuk po mund të besojnë. Aq shumë kanë investuar kundër nesh, aq ngushtë u patën bërë bashkë saqë po thonë nuk është e mundshme që VETËVENDOSJE! ka fituar më 9 shkurt 2025. Ky është halli i tyre. Nuk po mund të besojnë dhe rrjedhimisht nuk po mund ta pranojnë. Mirëpo çka t’iu bëjmë këtyre njerëzve që s’mund të besojnë? Ne mund t’i vetëdijsojmë por nuk mund të ngecim, ne duhet të ecim përpara. Dhe kjo është arsyeja pse ata po përpiqen që mosbesimin e tyre, mospranimin e tyre, ta shndërrojnë në një tension institucional i cili e dëmton edhe vetë shtetin e Kosovës në reputacionin e tij ndërkombëtar. E keni vërejtur qysh kur organizata të ndryshme ndërkombëtare tregojnë indekset e tyre për progresin e Kosovës nuk e mirëpresin asnjëra prej tyre. Pra suksesi i Kosovës nuk është sukses me të cilin ato ndjehen të identifikuara apo marrin pjesë. Kjo tregon që e duan shtetin për pushtet për dallim prej neve që e duam qeverisjen për shtet.
Kanë bërë premtime marramendëse e të palogjikshme, për buxhet më të lartë se BPV, pastaj për rritje pagash e pensionesh për 50% e 70%, për pagë minimale që do të ishte 50% më e lartë se paga mesatare etj. etj. e përkundër këtyre, e megjithëkëto ne fituam. Kanë gënjyer pa ia nda, kanë përdorur miliona në fushatë, kanë vjedhur në votën me postë të diasporës, e megjithëkëto VETËVENDOSJE! GUXO dhe Alternativa fituan së bashku. Përkundër të gjithave ne kemi marrë pothuaj gjysmën e votes shqiptare. Kjo tregon se sa mirë kemi qeverisur dhe sa shumë ka besim e pritje populli ynë te ne, ky është nderi më i madh në jetë që mund ta përjetojë dikush.
E si mosbesues e si mospranues të rezultatit të zgjedhjeve tash janë bërë të gjithë bashkë sërish dhe po përdorin levat e tyre në prokurori e në gjykata për me marrë në letrë në tavolinë a nën tavolinë atë që populli nuk ua dha e nuk ua jep në kuti e në vendvotim.
Por të nderuar delegatë të Kuvendit, të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s,
Mbase problemi themeltar është që ata nuk e dinë çka duan. Ata nuk duan zgjedhje të reja, ata nuk duan Kurti 3, dhe nuk duan madje as qeverinë e opozitës, të vetes së tyre. Në rastin më të mirë pra, ata e dinë çfarë nuk duan, por kurrsesi se çka duan. E ne e dimë se çka duam, sepse ne e duam popullin. Prandaj e duam mandatin e radhës. Sa më parë, aq më mirë. E ndërkohë ne punojmë pa kursim e pa pushim, me krejt çfarë dimë e mundemi, për qytetarët e republikës, për popullin e Kosovës, për të gjitha komunitetet, për kombin shqiptar.
Ju faleminderit shumë.