20 05 2023

Fjala e plotë e Kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurti në mbledhjen II të Këshillit të Përgjithshëm të GVV-së

Të nderuara delegate të Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Gratë për VETËVENDOSJE! (GVV),

E nderuar kryetare e Grave për VETËVENDOSJE!, znj. Albulena Haxhiu,

E nderuara zëvendëskryesuese e Këshillit të Përgjithshëm, znj. Violeta Salihu,

E nderuara sekretare organizative, znj.Agnesa Kastrati,

Të nderuara: nënkryetare e Lëvizjes, Mrika Limani Myrtaj dhe deputete të Kuvendit Tinka Kurti dhe Saranda Bogujevci që po na ndjekin online.

Zonja… dhe ndonjë zotëri,

Mirë se ju gjej në këtë mbledhje të II-të të Këshillit të Përgjithshëm të GVV-së. Pas asaj mbledhjes së parë në të cilën u konstituan organet e GVV-së, kjo e sotmja është një mbledhje pune.

Në fakt, kjo sot nuk është thjesht një mbledhje pune; është një mbledhje e rëndësishme pune. Sepse GVV-ja është tejet e rëndësishme për VETËVENDOSJE!-n, meqenëse vlera dhe rëndësia e grave në shoqëri janë edhe të paçmueshme edhe të pazëvendësueshme.

GVV-ja në këtë fillim të rrugëtimit të saj ka patur dinamikë në aktivizëm dhe për këtë dua të ju përgëzoj si kryetar i LVV-së dhe t‘ju inkurajoj që të vazhdoni edhe më shumë. Strukturat e kësaj organizate kanë filluar të etablohen, dhe, vetë kjo organizatë çdo ditë e më shumë po njihet publikisht si organizim.

E kuptoj vështirësinë e fillimit të organizimeve të reja por jam i bindur që GVV-ja do të ndikojë pozitivisht në fuqizimin e grave e vajzave brenda Lëvizjes dhe jashtë saj. Çdo fillim është edhe shans, e çdo vështirësi është edhe kalitje.

Gratë e kanë bërë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjektin e parë në Republikën e  Kosovës. Gratë e kanë nxjerrë Lëvizjen tonë më shumë se 50% në zgjedhjet e fundit. Gratë padyshim që do ta rrisin GVV-në, ta rrisin pjesëmarrjen e grave në politikë, ta rrisin pjesëmarrjen aktive të grave në shoqëri. Ato do ta bëjnë Kosovën shtet të drejtë dhe barazimtar.

Më lejoni të ndalem të përparimi i madh që kemi bërë në aspektin gjinor kur flasim për pjesëmarrje të grave në institucione. E ajo është tejkalimi i kuotës. Nga zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, grupi parlamentar i LVV-së doli me 23 gra deputete apo 40%: 23 gra nga 58 deputetë sa pati grupi ynë parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nga zgjedhjet historike të 14 shkurtit 2021. Dhe asnjëra prej këtyre 23 grave nuk u bë deputete duke ju falenderuar kuotës: 23 gra me punën, kontributin, reputacionin e vet atyre. Në Qeveri i kemi 5 gra ministre dhe unë si Kryeministër i kam dy zëvendëskryeministre. Kemi ecur shumë para me deputete në Kuvend, e ministre në Qeveri, e tash është radha që të përgatitemi, qysh sot, që pas dy vitesh të kemi shumë kryetare gra nëpër komuna. 

Angazhimi ynë duhet të jetë poshtë, në Komuna. Jo vetëm sepse në komuna bëhemi lart, edhe më lart. Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka 6 kryetarë të komunave, por që të gjithë burra.

Andaj, është e domosdoshme që në zgjedhjet e radhës kjo të ndryshojë. Jo në zgjedhjet pas atyre që vijnë, por atyre që vijnë. GVV-ja dhe gjithë ne së bashku duhet të  angzhohemi qysh tani që në zgjedhjet e ardhshme 30%-shi t’i përket të kaluarës edhe në Kuvende Komunale, edhe me kryetare të Komunave.

Ka një hierarki të angazhimit dhe kontributit të nderuara pjesëmarrëse. Dikush e ka angazhimin gjinor detyrë më shumë, dikush më pak. Kjo për shkak të rrethanave në të cilat gjendet. Për gratë nëpër Qendrat tona, nëpër Komunat e Kosovës, ndihma duhet të jepet pikë së pari  nga gratë që janë më së larti në hirarki sepse e kanë përgjegjësi. Sa më lart në hierarki aq më të mëdha mundësitë, e sa më të mëdha mundësitë aq më e lart përgjegjësia. Pra, e kam fjalën për ministret dhe deputetet. Ministret dhe deputetet i kanë mundësitë sepse janë në pozita më të larta e rrjedhimisht e kanë edhe përgjegjësinë më të madhe sa i përket emancipimit dhe barazisë gjinore.

Nuk guxojmë ta lejojmë që të mungojë solidariteti i grave tona deputete e ministre me asambleistet dhe aktivistet nëpët Qendra. Vendimtare për ngritjen e GVV-së është solidariteti gjinor dhe ky duhet të fillojë para se të gjithash e mbi të gjithash me gratë ministre dhe deputete.  

Është gabim të mbetemi vetëm te disa gra si ministre, e deputete, e zëvendësministre. Kështu  rrezikojmë që edhe të mos ecim përpara edhe e dëmtojmë feminizmin e mirëfilltë, atë që përfshin 99% të grave.  Mos të keqkuptohem, shumë mirë që kemi gra në hirarki, për këtë kemi luftuar dhe këtë e kemi fituar, por duhet të zbresim edhe tek periferia. Duke zbritur te periferia, periferia nis e ngritet porsi qendra. Periferia duhet të bëhet si qendra. E për këtë, ne duhet ta kemi periferinë në qendër të vëmendjes, në qendër të mendjes, në qendër të angazhimit. Periferia në qendër, kjo duhet të jetë parulla e re e organizatës sonë. Progresi i periferisë e mban qendrën demokratike dhe shoqërore. Ngecja e periferisë e bën periferinë reaksionare kurse qendrën autokratike. Andaj: Periferia në qendër!

Teoricienja feministe, Angela Davis e ka një nocion të mirë për feminizmin, të cituar e përdorur kudo në botë, të cilin e quan ajo ‘’tavani i qelqit’’. Pra, feminizmi që sot është dominues është i tillë që disa gra që janë lart në hierarki janë të shkëputura tërësisht nga nevojat dhe interesat kolektive të grave. Ne nuk guxojmë të përfundojmë te tavani i qelqtë, sepse kjo le që nuk i ndihmon shumicën e grave, por përkundrazi, e devijon edhe përpjekjen disa vjeçare të vetë grave aktiviste të Lëvizjes.

Prandaj, siç e themi shpesh, solidariteti është e vetmja mënyrë që do të na shpëtojë. Dhe do të na shpëtojë aq fuqishëm saqë ky shpëtim do të jetë vet fitim. Shpëtimi dhe fitorja nuk janë dy gjëra të ndryshme, pikërisht nëpërmjet solidaritetit. Përveç që neve nuk duhet të na mungojë solidariteti, ne e kemi për obligim si institucione e si organizatë politike që të krijojmë dhe mirëmbajmë vatra të solidaritetit gjinor. Duhet të dihen ato vatra. Vatra e ka prushin, prushi jo vetëm që të ngrohë po edhe shihet. Sepse prushi i ka gacat. Neve na duhen vatrat e solidaritetit gjinor. Ato edhe duhet të ndjehen edhe duhet të shihen. Ku janë vatrat e solidaritetit gjinor në organizatën tonë edhe në shoqërinë e Kosovës? Modeli i gruas politikane që ne promovojmë është gruaja që i mbështet gratë e tjera. E kemi thënë edhe herave të tjara që nevojitet bashkëpunim, jo vetëm konkurrencë. Konkurrenca pa bashkëpunim bëhet rivalitet, e rivaliteti, me kohë, bëhet, armiqësi. Rivaliteti nuk duhet më shumë sesa koha që të bëhet armiqësi. Ndërkaq konkurrenca pa bashkëpunim bëhet rivalitet. Praktikisht konkurrencën si të tillë e mban dhe mirëmban bashkëpunimi. Ne duhet ta mbrojmë konkurrencën nga degjenerimi në rivalitet. Pikërisht bashkëpunimi ja ruan këtë karakter konkurrencës. Në çdo konkurrencë, gjejeni bashkëpunimin; në çdo punë, gjejeni solidaritetin; e te çdo solidaritet, do ta gjeni bashkësinë. Nuk ka bashkësi pa solidaritet dhe nuk ka solidaritet në të cilën nuk do ta gjeni tashmë bashkësinë.

E kuptoj angazhimin e shumëfishtë që e keni secila nga ju. Ju jeni pjesë e strukturave të LVV-së, pjesë e strukturave të GVV-së, e ato që janë të reja në moshë janë edhe pjesë e RVV-së. Pra, duke pasë parasysh edhe këto organizatat e reja që i kemi krijuar, kemi raste kur një aktiviste, një anëtare e jona, është në të tri organizatat. Për këtë me vjen keq sepse i bie angazhim shtesë, ndonjëherë edhe tepër, por edhe ju e dini që është e domosdoshme kjo formë e angazhimit, sepse është e domosdoshme kjo formë e organizimit.

Tani më lejoni të theksoj një çështje tjetër të rëndësishme, përtej demokracisë përfaqësuese. Më shumë gra në politikë, më shumë gra në vendimarrje, nëse nuk shoqërohet me më shumë shërbime publike e sociale, me më shumë vende pune e mirëqenie për gratë tjera, është e kotë. Mirëqenia e grave do të rritet ose jo, në proporcion me atë se sa veprimet që do të ndërmarrim ne janë përgjigjje e kërkesave kolektive të grave.

Shembuj të asaj se çka kemi bërë si Qeveri e që kanë pasur ndikim shumë të madh te gratë e për gratë janë sidomos:

Shtesat për lehona dhe femijë, që i përmendi edhe kryetarja edhe ministrja Albulena. Ne kemi ndarë shtesa për 34 mijë lehona dhe për mbi 340 mijë fëmijë nën moshën 16 vjeçare dhe kjo ka kontribuar që afër 90 mijë gra për herë të parë kanë hapur llogari bankare si rezultat i pranimit të shtesave. Më tej, masat ekonomik e kanë rritur numrin e grave të punësuara: për 21 muaj prej marsit 2021 deri në dhjetor 2022 është rritur punësimi primar për gjithsej 37 mijë e 350 persona, me ç’rast 18 mijë e 774 apo 50.3% janë gra. Pra, në këtë rritje, jo në korpusin e përgjithshëm të të punësuarve, por në këtë rritje të punësimit, 50.3% janë të përfaqësuara gratë. Pastaj jo vetëm punësimi, por edhe arsimi, sepse arsimimi i paraprin punësimit. Gratë e shkolluara, gratë e punësuara, e bëjnë dallimin drejt barazisë. Andaj ndamë 3 mijë bursa për studime brenda dhe jashtë vendit, mbi 1 mijë e 300 bursa për fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri e matematikë) në vitin akademik 2021/22. Këtë vit 2 milionë euro për 2 mijë bursa, 5 mijë bursa për nxënës të shkollave të mesme nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian, mbi 100 bursa për nxitjen e vajzave dhe djemve për studime në profile deficitare dhe deri në fund të muajti mars rreth 2 mijë marrëdhënie pune përmes programit Superpuna, ku prej tyre mbi 51% janë vajza.

Të nderuara delegate,

Të dyja  këto masa kanë ndihmuar shumë gratë. Pra, edhe shtesat për lehona dhe fëmijë edhe këto të tjerat, masa ekonomike e arsimore. Kështu, nëpërmjet veprimeve kontribuojmë edhe në mirëqenien e grave edhe nuk distancohemi nga nevojat e tyre. E shtojmë numrin e grave punëmarrëse e punëdhënëse, mësimdhënëse e mësimnxënëse.

Gratë në shoqërinë tonë, por jo vetëm, janë edhe të diskriminuara edhe të përjashtuara. Të gjitha gratë, edhe ju që jeni këtu diskriminoheni. Emëruesi i përbashkët në bazë të së cilit diskriminoheni është gjinia. Por, diskriminimi ka edhe shtresëzime të tjera. Për shembull, disa këtu diskriminohen edhe mbi bazën e klasës shoqërore, aftësive, rajonit, bile edhe të theksit të gjuhës etj. etj. Ekziston një dallim në mes të diskriminimit dhe përjashtimit. Ju këtu nuk jeni të përjashtuara për shkak se ju jeni këtu dhe jeni pjesë e një strukture siç është Këshilli i Përgjithshëm i GVV-së. Gratë që nuk janë këtu, nuk janë me ne në GVV e në LVV, ato që nuk i takojmë fare, ato te të cilat nuk kemi depërtuar, ato janë të përjashtuara. Varet prej nesh edhe sa gjatë. Varet prej nesh sa shumë. Përjashtimi është më i rëndë se diskriminimi. Pra, të kalohet nga përjashtimi tek diskriminimi, ndonëse tingëllon absurde, në fakt është hap përpara. Parë nga prespektiva e një gruaje të përjashtuar, diskriminimi duket si luks. Andaj, duhet ta kuptoni, që teksa ne flasim për diskriminim ka shumë gra që, ju ndonëse të diskriminuara, ju dukeni të privilegjuara, psh. nga pikëpamja e atyre në fshatrat e largëta të Kosovës. Shumë probleme që ne i përmendim në qytete duken si probleme luksi për ato në fshatrat e largëta. Ne duhet ta luftojmë diskriminim, por të mos e harrojmë përjashtimin.

Unë nuk po them të pajtohemi me diskriminim, përkundrazi ta luftojmë diskriminimin, por të mos e harrojmë përjashtimin. Nuk po them ta tolerojmë diskriminimin, por ama një gjë është e sigurt: garancë për përparim të qëndrushëm, pa arritur që t’iu jepet zë edhe grave të përjashtuara, nuk ka. Sepse ka zëra që shtypën, por ka edhe zëra që nuk dëgjohen fare. Andaj, edhe njëherë: Periferia në qendër! Kjo është tejet e rëndësishme edhe për GVV-në edhe për LVV-në.

Kur thashë për diskriminimet e llojeve të tjera përveç klasës shoqërore apo aftësive, rajonit, theksit të gjuhës duhet ta keni parasysh edhe përkatësinë kombëtare, edhe përkatësinë etnike. GVV-ja nuk duhet që solidaritetin gjinor ta kufizojë vetëm te gratë shqiptare. Kemi edhe gra të pakicave, janë boshnjakët, serbët, turqit, romët, ashkalinjtë, egjiptianët, goranët me të cilët ne punojmë si qeveri dhe si kuvend dhe nuk do të duhej që të kufizohej solidariteti gjinor vetëm te një përkatësi kombëtare apo te një etni. E shpeshherë gjatë qeverisjes, por edhe politikbërjes e aktiviteteve në terren, ne shohim se gratë të cilat janë në veçanti të përjashtuara janë pikërisht gratë e pakicave kombëtare ashkali, rome e egjiptiane. Ato i keni në të gjitha komunat e Kosovës dhe aty ne gjithashtu duhet të krijojmë ura bashkëpunimi e ta dëshmojmë solidaritetin tonë.

Është e rëndësishme pra, të jeni bashkë si gra e si vajza. Kudo, jo vetëm këtu. Gjithnjë, jo vetëm sot. Ato që tashmë kanë arritur të bëjnë hapa përpara, duhet gjithnjë të brengosen e të angazhohen për gratë e tjera, për ato të cilat janë të përjashtuara, për ato të cilat janë të diskriminuara. Siç thotë filozofja amerikane Judith Butler: ‘kthimi kundër njëra-tjetrës do të thotë kthim kundër vetvetes’. Ndërkaq, solidariteti është ai i cili jo vetëm që nuk na lejon të bëjmë regres, por edhe na garanton progres.

Faleminderit shumë e ju dëshiroj suksese e të arritura gjithnjë e më të mëdha në punët e angazhimet në vijim.

Kontribo