26 07 2010

Fjalimi antologjik i mospërfaqësimit politik

Mund të quhet edhe fjalim himnizues. Por mund të quhet edhe fjalim mashtrues. Mashtrues jo kundrejt atyre që u drejtohej por kundrejt atyre në emër të të cilëve iu drejtohej. Fjala është për fjalimin e Hashim Thaçit mbajtur në Institutin Amerikan për Paqe në Washington më 20 korrik 2010. Në përpjekjen e tyre për tu treguar të gatshëm për tu futur sa më thellë nën sqetullën e superfuqisë botërore, fjalëshkruesit  e fjalës së Kryeministrit ishin kujdesur fort që fjala e tij në veshët e diplomatëve amerikan dhe perëndimor të tingëllonte skajshmërish butë; që fjala e tij e thënë para amerikanëve të rrezatonte shumëdimesionalisht dhe maksimalisht përkushtim, përkushtim për shërbim e nënshtrim; që fjala e tij të jetë bindëse, përkatësisht të shpreh bindje të fundbotshme për bindjet të mëtejshme të përhershme dhe të përjetshme ndaj tyre. Dhe mund të thuhet se këtë qëllim, fjalëshkruesit e Kryeministrit, në një nivel mjaft të kënaqshëm edhe e kishin arritur. Gjashtë herë ndërpritej fjala për të shtuar një Zonja dhe zotërinj të shoqëruar nganjëherë dhe me Të nderuar pjesëmarrës, apo, Pjesëmarrës të nderuar.

Nuk është vetëm forma dhe stili i fjalimit që mundohej të tregonte përkushtim dhe gatishmëri për nënshtrim, por është përmbajtja dhe sidomos gjuha me të cilën përshkruhet ajo përmbajtje. Cilësorët sipëror dhe të skajshëm, si bie fjala “përgjithmonë”, “kurrë”, “të gjitha”, “asnjë”, “gjithmonë”, “asnjëherë”, e të tjerë, mbizotëronin në tërë fjalën e kryeministrit.  Shprehjet si “Edhe qytetarët e Kosovës janë krenarë – krenarë për trashëgiminë dhe shumë-etnicitetin tonë, krenar për historinë tonë dhe plot shpresë për të ardhmen.” dhe “Vjeshtën e kaluar ne e befasuam botën me suksesin e zgjedhjeve lokale dhe me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të qytetarëve tanë serbë…” nuk donë shumë koment – ato janë krye e këtij fjalimi antologjik. Nuk mund ta di se a kanë besuar dëgjuesit e këtij fjalimi në ndjenjën e “krenarisë” sonë për shumetnicitetin dhe trashëgiminë, por mund ta di me siguri se bota më tepër është befasuar nga suksesi i Serbisë në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme dhe lokale në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, se nga suksesi i këtyre zgjedhjeve lokale për të cilët flet Kryeministri. Po mos të jetoje në Kosovë a në Ballkan, po mos të dije kurrgjë për Kosovën dhe Ballkanin, duke lexuar këtë fjalim do të mund të kujtoje: sa fatlum na qenka ky kryeministër dhe ai popull në emër të të cilit po flet, të gjitha të mirat e botës paskan rënë mbi ta! Mbase lexuesit e këtij shkrimi mbi fjalëshkrimin e Kryeministrit mund të mos e kenë të qartë se pse fjalimi i tij mund të quhet antologjik. E meriton të ruhet në arkiva, së bashku me shumë fjalime, shkrime, kumtesa, deklarata, intervista, ligjërata dhe libra tjerë që janë shkruar, dhënë, lexuar e folur, viteve të fundit e po vazhdojnë edhe sot. Të ruhen së bashku me dokumentet e kohës së komunizmit. Duke lexuar dokumentet e kohës së komunizmit sot, e kuptojmë më mirë dhe më drejtë fytyrën e atij regjimi. Nga leximi i nesërm i këtyre dokumenteve të sotshme, do të kuptohet më qartë natyra e fytyrës së këtij regjimi. Sikundër fjalimet e komunistëve të djeshëm ashtu edhe fjalimet e ‘liberaldemokratëve’ të sotshëm i shquan një ngjashmëri mbizotëruese: ato nuk flasin për gjendjen reale por për një gjendje imagjinare, ata nuk flasin për atë që është po për atë që duhet (sipas tyre) të jetë, ato nuk zbresin kurrë në tokë por gjithmonë fluturojnë në ajër. Ata, si në ide ashtu edhe në veprime, janë të shkëputur prej popullit, në emër të të cilit flasin. Në fjalën e Kryeministrit pati vend për fshatin Partesh, por nuk pati vend për mbi 11 mijë shqiptarët e shpërngulur nga veriu i Kosovës që s’u kthyen kurrë! Ekziston vetëm një mënyrë për t’i kuptuar drejtë këto fjalime: të lexohet e kundërta e asaj që thuhet. Më këtë mënyrë leximi mund të zbërthehet gjuha e politikanëve të sotshëm. Produktin e keq mundohen të ta shesin për të mirë: “Muaj më parë e kemi përmbyllur me sukses të plotë dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës…” apo “Decentralizimi po zë rrënjë në mbarë vendin, kurse Qeveria po ua bartë përgjegjësitë strukturave lokale, duke sjell qeverisjen më afër qytetarëve”  janë dëshmi e përpjekjes së tillë. Ndonëse fjala e Kryeministrit nuk na është drejtuar neve, që megjithatë, dimë si ta lexojmë, është e rëndësishme të dimë se si e lexojnë ndërkombëtarët fjalën e kryeministrit tonë. Dhe mendimi im për këtë është se ndërkombëtarët e çmojnë të suksesshëm një paraqitje të ndonjë përfaqësuesi të këtyre vendeve të varura atëherë kur përmes gjuhës dhe sjelljes së tyre e kuptojnë se këta politikanë e kanë mësuar mirë se si duhet të sillen ndaj padronëve të tyre.

Kontribo