02 06 2010

Florini

Florinin s’e njoh as e kam parë kurrë. Ndoshta edhe e kam parë, s’e di… s’është fort me rëndësi. E tëra që di është emri dhe mosha e tij. Ai ka 33 vjet. Nejse. E rëndësishme dhe po aq e tmerrshme është çka ka thënë dhe ç’mendon ai. Më rastisi që në numrin e pestë të një gazete informuese, të cilën e nxjerr OSBE-ja, me titull ‘Detaje’ (fq. 3), ta lexoj një shkrim për procesin e decentralizimit. Florini ishte njëri nga ata qytetarë të rastit, i cili po i përgjigjej pyetjes, që i kishte bërë gazetarja e atij shkrimi, Zana Limani. Në pyetjen e saj se ç’mendon për decentralizimin, Florini përgjigjet:

Unë kam votuar në zgjedhje dhe kam dhënë votën time për të zgjedhur këto institucione, kështu që besoj se ato bëjnë gjithçka që është në mundësinë e tyre për të zgjidhur problemet tona. Nëse ata mendojnë se decentralizimi është ajo çfarë na duhet, atëherë unë e përkrah.

A mund të gjendet vallë ndonjë shembull më ilustrativ për shpjegimin e të gjitha problemeve nëpër të cilat po kalon sot Kosova? Florini është mikrokozma e krejt asaj që po ndodh në vendin tonë. Le të fillojmë me qesëndi dekonstruktimin e kuptimit të mendimit të tij.

Ai ka dalë në zgjedhje. Mendon që një gjë e tillë është ‘obligim qytetar’. Ai nuk e di dallimin ndërmjet të drejtës dhe obligimit. Aq i bën. Pas përfundimit të luftës, ai u kthye në Kosovë. Para luftës, si shumë qytetarë shqiptarë, Florini ishte keqtrajtuar nga një polic serb. Ai Florinit i kishte pas rënë shuplakë.

Serbia për të ishte armiku ashtu sikur për të gjithë popullin e tij. Kur ushtria dhe policia serbe e përzunë dhunshëm nga Kosova, shpresat e tij kishin veç një emër: NATO. Këtë të fundit e konsideronte mik të popullit të tij. Dhe, sikur një vegim i kujtohej ajo thënia që i kishte treguar gjyshi kur Florini ishte i vogël: ‘armiku i armikut tënd është miku yt’.

Ëndrra e tij u realizua. Ai s’mund të besonte: në vendlindjen e tij nuk po i zinte syri asnjë polic apo ushtar serb. U gëzua pa masë. Të mos shohësh më tankse rrugëve, të mund të bërtasësh ç’të duash – paj, ç’kuptim tjetër mund të ketë liria? Dhe Florini mendoi: ne ia dolëm. Falë Zotit, NATO-s dhe miqve tanë. Ai ishte fort i bindur që Bill Clintoni, Papa Gjon Pali II (tashmë i ndjerë), Jacques Chiracu dhe Joscha Fisheri e sollën pavarësinë e Kosovës. Duhet vetëm edhe njohja formale, dhe gjithçka do të jetë në rregull. Sepse, ne de facto jemi të pavarur…

Me t’u kthyer në Kosovë, Florini ishte dëshmitar i zhvillimit të shumë proceseve demokratike shtetformuese: populli i tij u bë me qeveri, parlament, polici, ushtri, televizion publik, objekte universitare… Mbi të gjitha, jetën shoqërore e gjallëronte pluralizmi politik. Parti të shumta politike garonin lirshëm për të fituar përkrahësit e tyre. Zgjedhjet ishin një satisfaksion i veçantë për të. Votën e shihte si fetish: shkop magjik për zgjidhjen e problemeve.

Florini mezi që u punësua. Kishte fat që daja i tij qëlloi të jetë zëvendësministër. Megjithatë, të ardhurat e tij mujore si nëpunës i rangut të ulët, ia sigurojnë, në mos diçka tjetër më shumë, atëherë, mbijetesën gjithsesi.

Zgjedhjet e fundit ishin hera e katërt që Florini po votonte. Në kokën e tij, proceset politike kishin veç një kuptim: mjafton të besosh në mençurinë dhe vizionin e një politikani, prandaj t’ia japësh atij votën, dhe kjo është mënyra më efektive se si delegohet interesi i qytetarit për t’u mbrojtur nga një forcë e caktuar politike. Florini besonte në IPVQ-të e Kosovës, vetëm ngaqë ishin të Kosovës dhe vetëm pse quheshin ‘institucione’. Ndoshta edhe ngaqë punonte aty…

Florini i besonte UNMIK-ut, ngaqë, siç shpesh e përsëriste, pa ndihmën e tyre ai nuk do të mund të kthehej në Kosovë. Prandaj, si rrjedhim i kësaj ndihme, mirësia e tyre nuk mund të vihej në pikëpyetje. Njëjtë e mirë duhet të jetë edhe agjenda e tyre politike: standardet para statusit dhe decentralizimi. Edhe politikanët, të cilëve ai ua kishte dhënë votën, do të duhej të ishin të mirë. Paj, po të mos ishin të mirë dhe të zotë, ata nuk do të ishin aty ku janë! Kjo është arsyeja pse ata po i përkrah edhe UNMIK-u, miqtë tanë ndërkombëtarë. Ata na e duan të mirën. Dhe do të na e sjellin pavarësinë e plotë në vitin 2006… Njëjtë mendoi ai edhe në vitin 2002, 2003, 2004 dhe sivjet poashtu. Sidoqoftë, ‘pavarësia është proces…’

Dhe, kështu Florini vazhdon jetën e tij të thjeshtë. Por, ai tashmë nuk është vetëm njeri. Florini është dukuri, ai është bërë vetëdije. Problemet e Kosovës qëndrojnë në përpjestim me numrin e ‘Florinëve’. Kosova, bile, është problem i Florinit.

Definimi i problemit të Florinit është identifikimi apriorik i mirësisë dhe mençurisë së individit me pozicionin politik të tij. Bazamenti i këtij identifikimi është iracional: Florini BESON që politikanët ia duan të mirën vendit; që ata ‘dijnë’, sepse janë NË ‘pushtet’; që unë ‘duhet’ të votoj; që zgjedhjet ‘zgjidhin’ problemet… që kjo është ‘demokracia’.

A s’është Florini paradigma ideale e atij ‘materiali’ të përshtatshëm që nëpërmjet të ndërtimit të iluzionit të demokracisë t’i shërbejë UNMIK-ut si legjitimitet formal për implementimin e agjendës së tij në shpërputhje me interesat më fundamentale të këtij populli? IPVQ-të janë konkretizimi i këtij legjitimiteti formal të UNMIK-ut. Këto institucione janë ndërtuar nga një ‘material’. Ai quhet Florin.

Dhe, kështu shtyhen përpara të ashtuquajturat ‘procese demokratike’ në Kosovë. Një projekt i dëmshëm, siç është decentralizimi, vjen nga ‘lart’. UNMIK-u merr përsipër ta zbatojë atë. IPVQ-të janë të krijuara që ta pranojnë pa kushte dhe ta tumirin formalisht atë. Ndërkaq, Florini është për të votuar këto institucione mjerane. Ky është tregimi se qysh krijohet panorama ‘idilike’ e demokracisë iluzore në vendin tonë. Krejt këtë pafytyrësi, pjesëtarët e këtij inxhinieringu iluzionkrijues e quajnë ‘progres’, në një kohë kur vetëm dy gjëra janë rritur në vendin tonë: pasurimi kriminal i shumë pushtetarëve dhe varfërimi i mëtejshëm i qytetarëve…

Kontribo