02 06 2010

Fluturon, fluturon… diplomacia!

 Kush nga ne gjatë fëmijërisë së tij s’ka luajtur qoftë edhe një here të vetme ‘Fluturon, fluturon?…’. Fillojnë e të vërtiten në kokë të gjitha objektet e mundshme fluturuese – llojet e zogjve, insekteve, aeroplani, raketa… Mundoheshim t’ia qëllojmë se ç’po mendonte tjetri. Kështu e kanë fëmijët.

Por, kohëra të çuditshme erdhën edhe në vendin tonë. Nuk po fluturojnë vetëm ato gjëra për të cilat jemi mësuar të dëgjojmë zakonisht. Kanë filluar të fluturojnë edhe dukuritë politike. Diplomacia. Shuttle diplomacy, siç po parapëlqejnë ta quajnë.

Për ta zbërthyer dhe kuptuar këtë dukuri na nevojiten nja katër elementë: Serbia, UNMIK-u, IPVQ-të dhe populli i Kosovës. Gjithçka që është bërë përbrenda këtyre gjashtë viteve të fundit në vendin tonë ka qenë strategji e pengimit të përmbushjes së vullnetit të popullit. Pra, tre elementët e parë, vazhdimisht kanë ndrydhur atë të fundit. Nga ky prizëm duhet shqyrtuar edhe domethënien e konceptit të UNMIK-ut për sigurinë. Ata e shohin realizimin e vullnetit të qytetarëve si destabilizim të rajonit. Kjo tregon që për UNMIK-un situatë e paqëndrueshme është ajo të cilën Serbia e mohon fundamentalisht. Sepse për misionin ndërkombëtar këtu, Serbia është faktori ndikues real. Populli i Kosovës është shfaktorizuar.

Prandaj, rendi i proceseve ka drejtim plotësisht të padrejtë: Serbi → UNMIK → IPVQ → popull i Kosovës. Ja në ç’kuptim, pra, pushteti në Kosovë është antimokratik: baza e tij është në shpërputhje me dëshirat e popullit, në kundërshtim me vullnetin dhe interesat e tij. Kjo është arsyeja përse populli po shtypet.

Kur një popull shtypet, shtypësi kërkon të realizojë planin e shtypjes nëpërmjet atyre që janë të shkëputur nga populli. A s’keni parë edhe vetë sesi krejt çështja e Kosovës nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë trajtohet si problem personal i nja 6-7 politikanëve? A nuk u ka rënë tashmë edhe juve në sy sesi këta zyrtarë i grumbullojnë këta individë në pallatet e tyre, kërkojnë ‘konsensus’ nga ta, fotografohen, i shtrëngojnë duart, i fusin në negociata dhe kërkojnë që ta bindin popullin e Kosovës për kompromis? Ky është statusi i politikanit tonë gjatë këtyre viteve, e i njëjti do të jetë edhe përgjatë negociatave: parakushti i mbijetesës së tyre është mashtrimi dhe dyfytyrësia. Në po të njëjtën mënyrë qysh gënjyen për ardhjen e pavarësisë për vite e vite me radhë vetëm sa për të mbetur në atë kinsepushtet, në po atë mënyrë po e fshehin të vërtetën për decentralizimin dhe negociatat. Të parin po e quajnë ‘reformim të pushtetit lokal’, e të dytën ‘biseda me bashkësinë ndërkombëtare për modalitetet e funksionimit të shtetit të ardhshëm të Kosovës’. Si rrjedhim, kompromisi për ta ka kuptimin e ‘integrimeve evropiane’.

Çka tregon kjo? Pa dyshim, një gjë të rëndësishme: në Kosovë paska mbetur vetëm një faktor shpëtues – populli. Kompromisi me Serbinë ka për parakusht shkatërrimin e çfarëdo ndikimi të këtij faktori, shpërbërjen e fuqisë së popullit. Prandaj, gjithçka po synohet të bëhet tinëzisht, disi prapa shpine. Ja, pra, erdhëm te shuttle diplomacy. Diplomacia fluturuese do të shërbejë pikërisht si mjet amortizues kundrejt fuqizimit potencial të popullit. I dërguari special për bisedime, Marti Ahtisaari, do të fluturojë nga një vend në tjetrin për t’i takuar veç e veç përfaqësuesit e palëve negociuese. Shumica prej këtyre takimeve do të realizohen larg gazetarëve dhe syrit të kamerave. Jo pa qëllim: në këtë mënyrë shmangen situatat e takimeve të hapura të dy delegacioneve, të cilat do të kishin dy efekte kapitale por kundërpoduktive për kompromisin. Së pari – humbjen automatike të imazhit edhe ashtu të mjerë të kompromisaxhinjve. Së dyti – qartësimin përfundimtar të padrejtësisë që do të ndikonte në një polarizim radikal të gjendjes dhe organizim të përshpejtuar gjithëpopullor.

A s’është kjo, në të vërtetë, shuttle duplicity (mashtrimi fluturues)?

Kontribo