23 08 2012

“Gjendje Dialogu” – është Qëllimi!

Çdo ditë e më shumë po shtohen zërat që janë për “realitetin” e dialogimit me Serbinë.  Realitetin që sipas tyre duhet pranuar,  realitetin e krijimit të një mënyre tjetër të administrimit të 1/5 së territorit të Kosovës, e që për pasojë ndryshon edhe Republikën.  Këta shkruajnë për dobësinë tonë karshi një trysnie miqësore.  Të një trysnie për pak tokë, ujë dhe sovranitet.   

Për këta avokues, realititeti na qenka i pandryshueshëm. Për ta është më se e qartë, s’ka alternativë pos negociatave.  Analistë dhe ekspertë, eksponentë dhe proponentë, tanimë janë duke bërë atë që qe 12 vite e bëjnë, po kornizojnë opinionin rreth të “paevitueshmes”, rreth pragmatizmit të domosdoshëm për të mbijetuar, jo si shtet e republikë, por për ta si “elitë” e opinionizëm. Duket se vetëm në këtë sfond ata duken të gjallë, ndoshta edhe të dobishëm, përderisa në ndonjë sfond progresiv s’janë asgjë më shumë se mediokriteti i cunguar në kohën e negociatave dhe të varësisë.  Pra, jo në kohën e tanishme që punon për të ardhmen, por në kohën e tanishme që projekton të kaluarën.     

Kosova ka kohë që i është futur dialogut me Serbinë, në forma dhe modalitete të ndryshme, në kohëra e momente të ndryshme.  Çdo herë me arsyetime dhe qëllime prej më të larmishmeve, prej njohjes nga Serbia e cila do ia krijonte Kosovës hapësirën e duhur për anëtarësim në OKB e deri tek lehtësimi i jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.  Asnjëra nuk u arrit.  

Të mos keqkuptohem, qëllimi im këtu nuk është të flas për mossuksesin apo dështimin e dialogut, sepse kjo tani më është evidente.  E, as të shkruaj se si do të duhej të bëhej, sepse në fakt ky dialog e këto negociata nuk do të duhej të bëheshin fare.  Tanimë është e qartë se dialogu është në funksion të mbajtjes së pushtetit e jo në funksion të shtetndërtimit dhe sovranitetit të plotë të këtij vendi.  Për më shumë, dialogu është në funksion të Serbisë dhe për Serbinë.   Arsyeja për këtë është e thjeshtë, për Serbinë dialogu është vetë qëllimi, sepse duke dialoguar i dëshmon progresin BE-së.  Derisa për Qeverinë e Kosovës, dialogu është bërë mjeti i vetëm i mbetur për të qëndruar në pushtet.  

Rrjedhimisht, as për njërën palë e as për tjetrën dialogu nuk është më instrumenti i nevojshëm për të arritur tek një qëllim politik i definuar paraprakisht.  Ani pse për të dialoguar duhen dy partnerë të barabartë, e që në këtë rast barabarësia është e panevojshme.  Pra, asimetri e resurseve, asimetri e pozicioneve, por simetri e harmoni e përkryer në shndërrimin e instrumentit në qëllim.  Kuptohet, për motive të ndryshme.  E kur instrumenti, dialogu, bëhet qëllimi e jo mjeti për të arritur tek qëllimi atëherë kemi të bëjmë me skenar i cili Kosovën e shpie drejt pafundësisë së varësisë. Serbinë në anën tjetër e shpie në Evropë sepse është duke dialoguar, pra po ia arrin qëllimit.   

Ajo çka Qeveria e Kosovës është duke bërë me këtë dialog është pikërisht kjo, duke u futur në skemën ku dialogu nuk përdoret si instrument për të arritur deri tek një qëllim por bëhet vet qëllimi.  Thënë thjesht, kjo qeveri dhe kjo mendësi qeverisëse i shkon për shtati Serbisë pasi që po i krijon ambientin e duhur, duke e ndihmuar atë me konvertimin e një instrumenti dhe mjeti politik në qëllim.  Pra, duke dialoguar Serbia paraqet progresin, dhe kështu në fund të fundit edhe i matet progresi, derisa Kosova me këtë qeveri bëhet instrumenti i domosdoshëm, pasi që dialogu është qëllimi.  

Çdo tentativë për të modifikuar diçka në këtë dialog është e kotë. Vetëm me ndaljen e plotë bëhet përmirësimi.  Problemi nuk është as tek përgatitja, as tek zotësia e dialoguesve,  e as te legjitimiteti i kësaj qeverie, sepse me 38% të votave të manipuluara nuk ka se si të tentohet asnjëra.  Pra, askush nuk do e bënte më mirë, askush nuk do përfitonte më shumë sepse nuk ka çka të bëhet më mirë, e as çka të përfitohet.  

Duke dialoguar, Kosova bëhet instrumenti i nevojshëm por edhe i pazëvendësueshëm për arritjen e qëllimit të Serbisë, atë të vetë dialogimit.  Në të kundërtën, duke mos lejuar shndërrimin e një instrumenti në qëllim, e kjo do të thotë duke mos dialoguar, Kosova forcon veten, shpërfaq realitetin, ndërton raporte reciprociteti dhe përfundimisht stopon rrjedhjen e sovranitetit.  

Kjo qeveri në Kosovë dhe çdo qeveri në Serbi, pa dallim, kanë qëllimin e njëjtë, për motive të ndryshme.  Derisa qeveria e Kosovës duke qëndruar në gjendje të dialogut të pafund ruan pushtetin, e që për pasojë krijon varësi të pafundme, Qeveria e Serbisë e shndërron instrumentin në qëllim, sepse vetëm duke qenë në dialog projekton progres dhe ecën drejt Evropës.  Motivi i kësaj qeverie është tmerrues, ai i Serbisë ka shekuj që është shpalosur, derisa për grupin e opinionistëve është ambienti i vetëm në të cilin ata mund të mbijetojnë. 

Kontribo