21 12 2012

Hipokrizia e BE-së ndaj Kosovës

Tashmë, pas miratimit të statusit të kandidatit për Serbinë, i doli përfundimisht era edhe motivit të shtyrjes së palëve, përkatësisht Kosovës dhe Serbisë në dialog.

Një vit më parë, Bashkimi Evropian insistoi në fillimin e një dialogu të quajtur teknik, edhe pse institucionet e vendit, të sapokonstituara, nuk ia kishin nisur mirë punës. Presioni i BE-së ishte aq i madh sa nuk dëshironte t’ia dinte se e shtynte qeverinë e Kosovës të shkelte institucionet, e frymëzonte Kryeministrin të rrënonte demokracinë e brishtë, të injoronte Kuvendin, opozitën, të degradonte vetë pozitën, me një fjalë të sillej si monark i shekullit të 15-të.

Tani një  vit më pas, u bë e qartë si drita e diellit se dialogu u konstruktua për t’i hapur rrugën Serbisë drejt anëtarësimit në njërën anë, dhe nëpërmjet suksesit nga raportet me BE-në, t’ia  mundësonin edhe një fitore partisë së presidentit aktual Boris Tadiç, i cili ia ka dalë për mrekulli ta shesë veten si reformator e demokrat i madh. Po edhe nëse kjo aureolë nuk pi ujë te të gjithë, sigurisht që ai perceptohet si një variant shumë më i përshtatshëm se ai i kundërshtarëve të tij politikë në Serbi. Pas kësaj që ndodhi, formula e tij “Edhe BE-në edhe Kosovën” u bë realitet, ndërsa  propaganduesin e madh të integrimeve evropiane në Kosovë, Hashim Thaçin e la me gishtat në gojë (ose me premtimin se do të merret parasysh vullneti për të bërë studimin e fizibilitetit).

Marrëveshja për fusnotën, përfundimisht bëri që maskat e BE-së të bien. Ajo e detyroi Kosovën të bëjë koncesione, në vend që ta shfrytëzojë këtë rast që t’i bëjë presion Serbisë që të heqë dorë nga ambiciet territoriale ndaj Kosovës.

Po si rrodhi i gjithë ky proces, i cili u kurorëzua me një fitore historike të Serbisë dhe një dështim epokal të Kosovës? Secili mund të shtrojë pyetjen se si është e mundur, që Serbia, shkaktarja e të gjitha luftërave në Ballkan në fundshekullin e kaluar, shkaktare e gjakderdhjes së qindra mijëra viktimave, ia doli mbanë të futet në shinat që të çojnë drejt Bashkimit Europian, pa kërkuar as falje për krimet? Si ka mundësi që një vend i cili ende ka pretendime territoriale ndaj fqinjit të vet, që ende nuk ka bërë katharsisin si popull, e as si qeveri, që kriminelët e luftës i mban të lirë, që në krye të ushtrisë ka një njeri të akuzuar për krime lufte, ia doli të marrë statusin e kandidatit përpara Shqipërisë apo Malit të Zi, sepse për Kosovën  ka pengesa mbi pengesa.

Përgjigjja e parë që më vjen në mendje ka të bëjë me ndërrimin e parimeve të Bashkimit Evropian, në fakt ata po përdorin standarde të dyfishta ndaj vendeve të rajonit. Serbinë e përkëdhelin, Shqipërisë dhe Kosovës i japin kërbaçin. Disa reforma politike në Shqipëri na dolën që janë më problematike se krimet e luftës në të cilat është e zhytur Serbia. Disa deklarata për të drejtën universale të vetëvendosjes, na dalin se janë më negative se ambiciet territoriale të Serbisë, (kulmi është kur ndonjë deputet  konstravers dhe proserb i Parlamentit Evropian, si Jelco Kacin, vjen e na blasfemon në mes të Prishtinës për qëndrimet tona, e bile edhe na shet mend për parimet e BE-së, të cilat do apo nuk do ai, burojnë nga e shkuara e saj,) e po kështu edhe se strukturat e saj ilegale në Kosovë, të cilat po sfidojnë dhe përqeshin edhe vetë misionin e Bashkimit Evropian dhe të OKB-së në Kosovë, na del se nuk iu bën fare përshtypje.

Sado strategjik mund të jetë afrimi i Serbisë në gjirin e BE-së, për ta larguar atë nga kthetrat e Rusisë, (edhe pse kjo teori nuk duket e qëndrueshme, pasi për Rusinë Serbia është vetëm një joker në lojën e madhe diplomatike dhe jo garanci për një të ardhme më të mirë) shkelja e parimeve mbi të cilat është themeluar, nuk më duket e justifikueshme.

Së dyti, heqja dorë nga parimet e anëtarësimit, vetëm për Serbinë është kryekëput një dëshmi e dështimit të BE-së në politikën e jashtme. Paaftësia e saj për të folur me një zë, është sfiduar prej fillimit nga raportet që ajo ka krijuar me Kosovën dhe Serbinë. Ndërsa së parës i hap rrugë, dhe dorëzohet para presionit të saj, të dytën nuk është në gjendje ta thërrasë as me emrin që mban, por i bën presion të pranojë fusnotën, sepse “kjo është në të mirë të Kosovës”, a thua se ne të gjithë jemi budallenj, dhe s’e dimë se asnjë prej marrëveshjeve nuk i bën mirë forcimit të shtetit, por shkon në favor të kontestimit të tij.

Së treti, prej këtej mund të dalim në përfundimin se Bashkimi Evropian nuk e merr seriozisht Kosovën. BE-ja e ka nuhatur se ambicia e sëmurë për pushtet e Kryeministrit dhe shpurës së tij mund t’u sjellë të gjitha rezultat që dëshirojnë. Mund të pranojë fusnotën në vend të emrit, mund të pranojë rezolutën 1244, mund të pranojë të marrë kopje në vend të origjinaleve, mund të pranojë t’i poshtërojë qytetarët e vet në kufij me Serbinë, duke i detyruar të ndërrojnë targat dhe kartat e identitetit, nëse dëshirojnë të kalojnë nëpër territorin e saj, mund të pranojë marrëveshje problematike për menaxhimin e kufijve, mund të pranojë të flasë për veriun me Serbinë, bile pse jo, edhe ta japë atë nëse është e nevojshme, “sepse kjo është në të mirë të Kosovës.”

Është fare e qartë se burokratët e Bashkimit Evropian nuk kanë kurrfarë respekti për klasën politike të Kosovës, dhe këtu jo pa të drejtë, pasi ajo që është në pushtet e ka dëshmuar me sukses se është e korruptuar deri në grykë.

Së katërti, kjo gjendje alarmante në të cilën e futi veten Kosova, lidhet me diplomacinë e dobët të saj, paaftësinë për t’i kuptuar proceset dhe rreziqet që bartin ato dhe me mungesën e vendosmërisë. Nga ana tjetër, Serbia është më aktive se kurrë në rrafshin diplomatik dhe rezultatet nuk po i mungojnë.

Kosova u përdor si një leckë, që t’i mundësojë Serbisë nëpërmjet pranimit për të hyrë në dialog që në vjeshtën e vitit 2010 Këshilli i Ministrave të miratojë vendimin për fillimin e punës për dhënien e opinionit për statusin e kandidatit, më pas me marrëveshjet e arritura në vjeshtën e vitit që shkoi, për lirinë e lëvizjes dhe IBM-në ia mundësuan Serbisë të marrë nota pozitive nga Komisioni, ndërsa tani, me fusnotën përfundimisht Kosova ia bëri një shërbim Serbisë që të marrë statusin e kandidatit, pa iu prekur një qime nga qëndrimet e saj për Kosovën. Madje edhe kushtin për mosmbajtje zgjedhjesh do e kufizojnë vetëm tek ato lokale, se parlamentare thonë se nuk u prishin punë. Nuk di nëse ka ndonjë shtet tjetër në botë që lejon t’i mbahen zgjedhje brenda territorit të tij nga një shteti tjetër. Por eksperimentet vazhdojnë.

Së pesti, nuk ka kurrfarë çudie që BE dhe shtetet anëtare, sjelljen hipokrite ndaj Kosovës dhe Shqiptarëve në përgjithësi, ta ketë të determinuar nga disa vende që po të ishin ndjekur parimet e saj, mund të mos e kishin vendin fare aty, por që në anën tjetër ende mund të derdhin ndonjë lot për bombardimet e ’99-ës mbi Serbi.

Fakti që pjesë e liberalizimit të vizave u bënë gjithë vendet e rajonit, ndërsa Kosova u la jashtë dhe ka tre vjet që e mbushin zbrazëtinë me premtime, flet për hipokrizinë e BE-së në raport me qytetarët e Kosovës. BE ka standarde, por ama ato duhet të jenë të njëjta për të gjithë. Në rast se Kosovën nuk e përfshijnë dot në proces, atëherë kjo duhet thënë hapur.

E vërteta është se BE e mban Kosovën me premtime të thata, bile-bile po e keqpërdor, ndërsa Serbinë e shpërblen.

E ka kuptuar apo jo Kryeministri i Kosovës këtë lojë, mbetet të përgjigjet ai, por  një gjë është e qartë, që Kosova po mbahet me retorikë ndërsa rruga e Hashim Thaçit për në Bruksel kalon përmes koncesioneve që ai ia bën Serbisë. Izolimin në të cilin e kanë futur, kërkon ta çajë me çdo çmim, ndërsa pazari i Kosovës sot është shumë i ulët: ka shkuar te një foto me baroneshën Ashton.

Kontribo