05 11 2020

Homazhe në përkujtim të 4 vjetorit të rënies së Astrit Deharit.

Sot, në katërvjetorin e vdekjes së Astritit, një delegacion i VETËVENDOSJE!-s, i prirë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes, Rexhep Selimi, bashkë me prindërit dhe familjarët e Astritit, deputetët e tjerë dhe shokët e shoqet aktiviste, bënë homazhe në kujtim të tij. Po bëhen katër vjet prej vrasjes së Astrit Deharit në burgun e Prizrenit, në duar të shtetit e nga vetë shteti.

Drejtësia për Astritin nuk është vënë në vend ende. Vrasja e Astritit filloi që kur u arrestua me akuza të fabrikuara e të montuara dhe teksa po mbahej padrejtësisht në burg, në duar të një shteti të kapur e të korruptuar, i cili po vazhdon pengimin e zbardhjes së këtij akti.

Sikundër kemi bërë deri tani, edhe në këtë katërvjetor të mungesës fizike, Astritin do ta kujtojmë si aktivistin e zellshëm e të pashembullt, punëtor e fjalëpak, i cili nuk qe asnjëherë rehat me degradimin e vazhdueshëm që po i bëhej vendit.

Ai do të duhej të ishte në krye të aktiviteteve si aktivist, e në krye të detyrës si mjek, pranë familjes si familjar. E, megjithatë, për secilin aktivist të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e për secilin qytetar që do drejtësinë e barazinë në këtë vend, Astriti mbetet personifikim i përpjekjes së përditshme që Republikës t’ia kthejmë dinjitetin e qytetarëve shpresën.

Astriti, shihte më larg e më gjerë se të gjithë ne. Herët e kishte kuptuar që fati individual fiton rëndësinë vetëm në një shoqëri të mirëqenë, të lirë, të drejtë, të barabartë e të dinjitetshme. Ashtu siç ishte shembull i përkushtimit për të mirën e përgjithshme, është bërë simbol i gjithmonshëm i përpjekjeve për drejtësi e barazi, përherë frymëzues për ne dhe të tjerët që do të vijnë.

Ai na ndriçon rrugën përpara me dëshminë e tij, e ne do të ecim palëkundur drejt idealeve të Astritit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe populli shqiptar, gjithmonë do ta kujtojmë e do ta nderojmë Astrit Deharin dhe asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari Drejtësi për Astritin.

Kontribo