17 05 2010

Ideja e komprometuar

Ka kohë që në RTK, pas edicionit qendror të lajmeve, është hapur rubrika “10 minuta debat”, ku përballen vetje të ndryshme, më së shpeshti politike, në një debat i cili gjithsesi do të përfundoj akoma pa filluar. Në këtë emision dhjetëminutësh, të premten, më 14 maj, ishin ftuar dy vetë me pikëpamje plotësisht të kundërta: Nexhmedin Spahiu – i përkatësisë “kombëtare” kosovare dhe Kastriot Bujupi – shqiptar, nga Fronti për Bashkim Kombëtar Shqiptar, ndërsa, tema e debatit ishte “Ideja e bashkimit kombëtar”!

Më parë se të merrem me Nexhmedin Spahiun, i cili ka të drejtë të mendoj si të dojë, por kurrsesi që atë mendim t’ua imponoj gjysmës së popullit shqiptar, i cili ka të drejtë të vetëquhet si të dojë por kurrsesi që t’i shpallë gjysmën e popullit shqiptar si do ai, pra më parë se të merrem me atë – pikëpamjet e të cilit nuk janë të panjohura për askënd që dëgjon lajme e lexon gazeta, dua ndërkaq të merrem me RTK-në e cila një temë kaq të madhe dhe serioze e fut në një kornizë kaq të ngushtë kohore!

Nuk mund të diskutohet e të debatohet për çështjen e bashkimit kombëtar në një emision dhjetëminutësh. Janë tepër pak për ta rrahur një çështje aq të madhe, aq komplekse, si për luftëtarët dhe patriotët e saj, ashtu edhe për kundërshtarët dhe kundërvepruesit e saj. Është temë e madhe, pra e rëndësishme, ngase i takon një populli të tërë, që shtrihet në gjeografi dhe histori. Është temë komplekse, sa për shkak se gjeografia dhe historia janë treguar të pamëshirshme, aq edhe pse kundërshtarët e çështjes që trajton kjo temë, në përpjekjen e tyre për ta penguar realizimin e saj, përdorin “argumente” të çuditshme, duke përmendur nocione, koncepte, formulime dhe definicione të shumëllojshme teorike sociologjike e filozofike. Për shkak të një definicioni teorik sociologjik të cilit mund, madje, t’i përgjigjet edhe ndonjë rast konkret, mundohen ta mbajnë peng çështjen e një populli të tërë. Teoria është përshkrim i realitetit, ndërsa realiteti jo gjithherë dhe domosdo zbatim i teorisë. Ndonëse nuk është e vështirë sot ta mbrosh me fjalë idenë e bashkimit kombëtar, ngase me ty janë e drejta dhe e vërteta, është tejet e mërzitshme të përballesh me persona të tillë zhvlerësues, ngase kosovaristët çintegrues, jo vetëm se qëndrojnë në koordinata tjera ‘shkencore’ dhe teorike, por rëndom përdorin edhe fyerje jo vetëm ndaj bashkëbiseduesit, por në përgjithësi ndaj gjithë atyre që mendojnë si bashkëbiseduesi i tyre. Kjo do të thotë se ata e fyejnë të gjithë popullin shqiptar. Ata, të shkombëtarizuarit, fare lehtë të quajnë “stalinist”, në qoftë se guxon të mendosh për veten dhe popullin tonë ashtu siç kanë menduar dikur rilindësit tonë, në kohën kur Stalini as që ka ekzistuar, ndërsa me kënaqësi do të të thonë se je “nacionalist primitiv i shekullit XIX” dhe madje edhe “terrorist”, në qoftë se do të shfaqësh gatishmëri për realizimin e idesë së bashkimit kombëtar me të gjitha mjetet demokratike. Duke i quajtur “stalinistë” ata që mendojnë për kombin dhe të ardhmen e tij, pak a shumë ashtu siç kanë menduar dikur rilindësit tonë, do të thotë ta fyesh gjithë kombin shqiptar bashkë me historinë e tij, me figurat si Kristoforidhi e Pashko Vasa, Jeronim De Rada e vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali e Hasan Prishtina, e gjithë të tjerët. Nuk mund ta akuzosh dikë se je “stalinist”, apo se ke pikëpamje “staliniste”, në qoftë se pikëpamjet e tij për diçka mund të përputhen me pikëpamjet e Stalinit. Stalinist je atëherë kur në qeverisje dhe në jetën institucionale zbaton doktrinën ideologjike bolshevike, duke përdor metodat e Stalinit. Stalinist është ai pushtetar që ndjenjat e sinqerta nacionaliste të popullit i përdor për qëllime të ngushta të pushtetit të tij – siç vazhdojnë të bëjnë shumë pushtetarë sot. Por ‘stalinist’ nuk mund të quhesh vetëm se e kupton dhe e mbështet teorinë mbi kombin ashtu siç e ka mbështetur dhe kuptuar edhe Stalini. Po të mos jetë kështu, atëherë, Nexhmedin Spahiu, në vend se t’i quajë Pashko Vasën e Sami Frashërin stalinistë, le ta quajë Stalinin pashkovasist apo frashërist, ngase këta kanë shprehur pikëpamje ideologjike kombëtare shumë më herët se Stalini! Për çështjen e madhe të bashkimit kombëtar kanë dhënë jetën shumë shqiptarë, janë bërë shumë vjet burgje, dhe kanë vuajtur shumë familje. Për çështjen e madhe të bashkimit kombëtar po vriten edhe sot shqiptarët nëpër rrugë dhe në për male, po përndiqen, burgosen dhe po dënohen shumë prej tyre, duke bërë të vuajnë shumë familje. Të hapësh këtë çështje në një emision dhjetëminutësh, do të thotë të përpiqesh ta mbyllësh atë. Të përpiqesh ta trajtosh idenë e madhe në një hapësirë kaq të vogël, dotë thotë të përpiqesh ta komprometosh atë. Ideja e bashkimit kombëtar nuk komprometohet aq shumë duke e kundërshtuar atë siç bën Nexhmedin Spahiu (e aq më tepër ai), por duke e keqtrajtuar atë, siç bëri RTK-ja si televizion publik.

Kontribo