02 06 2010

Ideologjia e neokolonializmit: perspektivizmi

Një mikut tim i kishte ndodhur një gjë tashmë e rëndomtë për këto kohëra postmoderne: teksa po debatonte me dikënd, këtij të fundit i ishin harxhuar argumentet; në pamundësi kundërvënieje, e tëra që i kishte thënë ky bashkëbisedues ishte – ‘ok, ti mund ta kesh mirë; por, ky është vetëm njëri nga këndvështrimet e problemit’! A nuk fsheh ky qëndrim poentën postmoderniste të pamundësisë së njohjes së krejt realitetit nga subjekti?

Le ta quajmë një prirje të tillë – perspektivizëm. Në historinë e mendimit, inaugurues i perspektivizmit modern ishte Nietzsche. Ai mendonte që ‘vetëdija ishte një gabim i natyrës’ dhe se njeriu ishte i rrënjosur thellë në një kuadër të caktuar kulturor, jashtë të cilit s’mund të gjykojë. Kjo bëri që për të gjithçka të shndërrohet në interpretim: ‘nuk ka fakte, ka vetëm interpretime’ – shkruante nihilisti. Çdo gjë, pra, i nënshtrohet absolutizmit të perspektivës. Subjekti domosdo i përket një grupi të caktuar social, një kombi, një feje a kulture të veçantë… Përkatësia e tij partikulare themelon perspektivën jashtë të cilës s’mund të gjykojë. E vërteta si totalitet nuk mund të reduktohet në ndonjërën nga perspektivat. Tërësia e pikëvështrimeve të pjesshme themelon të vërtetën.

Por, kur një teori e tillë fillon e bëhet naivitet? Aty ku qartësia e faktit para hunde bëhet më e fuqishme se çdo relativitet. Aty ku kemi të bëjmë me kundërti të pareduktueshme fundamentale. Relativizohet çdo gjë, deri edhe rëndësia e lirisë. Ja përse ideologjia e administratës neokolonialiste të UNMIK-ut është perspektivizmi. Ti ia argumenton administratorit nevojën e lirisë, ai të tregon se qysh as Franca, madje, nuk ka sovranitet të plotë. E në momentin kur i thua që ne nuk duam më shumë sovranitet se ç’ka vendi prej nga vjen, ai fillon e përpiqet të të bindë qysh kaq sovranitet do të ishte një gjë e rrezikshme! Çdo çalim në arsyetimin e tij s’është tjetër veçse erupcion i paragjykimeve të gatuara që moti.

Përse paragjykimi? Sepse ai është bazamenti i përpjekjes për rehabilitimin e veprimeve të këqija. Atyre nuk u mjafton vetëm mohimi i lirisë sonë. Në mënyrë që shpirti i tyre të mos jetë arenë e shpërputhjeve cfilitëse, ata kanë nevojë ta arsyetojnë këtë mohim. Pra, fillon procesi i zhveshjes së viktimës prej çfarëdo humaniteti. A nuk konsideroheshin zezakët për një kohë të gjatë si qenie gati-gati jonjerëzore – ide e nevojshme kjo për të bardhët që ta mbështesnin pozitën e skllavëruar të racës me ngjyrë? A nuk ishte e mbështetur praktika naziste e ekzekutimit mizor të miliona hebrejve pikërisht mbi do teori kuazishkencore për gjoja inferioritetin e racës joariane? Në po të njëjtën linjë, planet e ndryshme deri edhe akademike serbe për shfarosjen e shqiptarëve gjenin mbështetje mbi ca konstruksione teorike, sipas të cilave ne s’qenkemi më shumë se dofarë qenie riprodhuese dhe asgjë më tepër. Është, si të thuash, e njëjta rrugë nëpër të cilën u desh të kalonte Raskolnikovi i Dostojevskit te Krimi e Dënimi, për të ardhur deri te vrasja e Alona Ivanovnës. Së pari, në mendje ai e bëri plakën një ‘krimb të dëmshëm’, dhe vetëm pastaj krimi në sytë e tij jo vetëm që nuk kishte ndonjë kuptim të keq, por, për më tepër – ai u bë i domosdoshëm! A nuk e shpjegon kjo pse regjimet kolonizatore nuk mjaftohen me legjitimitetin negativ si prani parandaluese, por gjithashtu ato vetëlegjitimohen, para së gjithash, si misione civilizuese dhe emancipuese.

Deri në këtë pikë, situata është e keqe, por jo gjithaq e pashpresë. Sepse deri këtu kemi atë ndarjen skematike në kolonizator dhe të kolonizuar – në shtypës, që arsyeton shtypjen e të shtypurit, dhe ky i fundit që e kundërshton dhe e lufton shtypjen si diçka të padrejtë dhe të padurueshme. Problemi merr përmasën e tij shqetësuese atëherë kur shtypësi nis e bëhet kut moral për të shtypurin, atëherë kur i shtypuri për kriter të vetëkonceptit e merr shtypësin.

Në fillim njerëzit shtypjen e shohin si të padrejtë, por me kohën, vetë atyre liria fillon t’u duket relative, e parëndësishme, pa ndonjë peshë vendimtare. Dhe vjen koha kur sistemi nuk ka nevojë për efikasitetin e mekanizmave të jashtëm detyrues: ai ka përjetësuar vetveten në tjetërsimin e njerëzve. Tjetërsimi është rrugë e arratisjes nga Realja. Përderisa në ndërgjegjen e shtypësit heqja e shpërputhjeve nënkupton krijimin e idesë për inferioritetit mental dhe kulturor të të shtypurit (apo edhe fizik, siç ndodhte me nazizmin), te i shtypuri, nëse ai nuk e mohon dhe lufton shtypjen, po ashtu ndodh i njëjti proces veçse në formë të përmbysur. Pamundësia, frika ose ngurrimi për ta kundërshtuar konkretisht mohuesin e lirisë, racionalizohet si minimizim i rëndësisë së asaj që të është mohuar (liria). Është mekanizëm mbrojtës psikologjik. Bile-bile, te dikush ky racionalizim është aq ndrydhës sa ata edhe kanë filluar t’i frikësohen lirisë! Ndrydhjen e pason zhvendosja: në frikë përballjeje me sistemin, fillon cikli i vetëfajsimit. A nuk janë pre e kësaj ndrydhjeje dhe zhvendosjeje shumë nga analistët dhe ‘intelektualët’ tanë të mjerë? Disa po na akuzojnë deri edhe për monopolizimin e konceptit ‘vetëvendosje’! Vetëvendosja nuk është kurrnjëherë e monopolizueshme, sepse ajo i përket popullit. Por, ku qëndron shqetësimi i tyre real. Atyre, në fakt, po u prishet komoditeti i ndrydhjes. I mbyllur brenda në zyrë, duke e përshkruar situatën politike në përputhje me dioptrinë e Brukselit, pa guxuar të përdorë terma politikisht jokorrekt – ‘i drejtë’ apo ‘i padrejtë’, pra gjithnjë duke u ndrydhur… a nuk është ky një pozicion sa për të qarë, po aq edhe qesharak? Në krejt këtëfarë sëmundje, shërimi i shpirtit mbetet refuzimi konkret i padrejtësisë. Kushti i normalitetit dhe shëndetit shpirtëror ka mbetur lufta aktive ndaj sistemit. Ndrydhja është e dëmshme.

Treguesi më i sigurtë i këtij tjetërsimi është perspektivizmi. Njerëzit e shohin realitetin shoqëror dhe politik si shumësi forcash dhe perspektivash garuese: UNMIK-u, KFOR-i, IPVQ-të, partitë politike, OJQ-të…. Ata janë harlisur pas dallimeve simbolike mes tyre, por nuk po e shohin mungesën e fundamentit, mungesën e lirisë. Mungesa e lirisë nuk është perspektivë, as këndvështrim – ajo është krejt problemi, thelbi i tij. Kur edhe lirinë fillon ta shohësh vetëm si njërën prej perspektivave të shumta – ja shkëputja definitive nga ajo! Ja suksesi i sistemit!

Mënyra qysh sistemi përjetëson vetveten në shpirtërat e tjetërsuar, është e ngjashme me ato situatat e disa filmave të zhanrit horor, ku njerëzit luftojnë kundër një qenieje gjakpirëse. Tamam sikur te filmi Dawn of the Dead i Zack Snyderit: kjo qenie vampiriste po e infektoi njërin nga njerëzit me kafshimin e tij e shumëfishon vetveten në luftë me të tjerët, të cilët luftojnë të mbesin të painfektuar. Po t’i mbyste njerëzit një nga një, ajo do të kishte gjasa më të pakta për ta fituar luftën. Sepse, në këtë mënyrë, ajo thjesht do ta kishte vetëm një armik më pak. Ndërkaq, duke i infektuar ata, ajo përveçqë i bën disa armiq më pak, i krijon disa aleatë më tepër kundër të tjerëve ende të pahelmuar. Ndryshimi i raportit të forcave këtu është i natyrës gjeometrike. Prandaj, të painfektuarit gjenden para dy alternativave të pareduktueshme: ose ta luftojnë këtë monstrum me të gjitha mjetet; ose ta presin fatin e helmimit. Rrugë të mesme s’ka.

Kontribo