02 06 2010

Žižeku, lifti dhe Kosova

 Në një ligjëratë, filosofi virtuoz slloven, Slavoj Žižek, shpjegon të ashtuquajturin ‘iluzion të zgjedhjes’, mbi të cilin fundamentohet thelbi i lirisë në shoqëritë kapitaliste. Në të tilla shoqëri, liria është e reduktuar në ‘zgjedhjen e mënyrës së të jetuarit’. Por, kjo s’është e gjitha: sistemi është ai, i cili, nëpërmjet mekanizmash të ndryshëm, kufizon lirinë e individit deri në këtë masë, për ta mbajtur atë nën kontroll. Mënyra e veprimit të këtyre mekanizmave është e butë, madje gati e pahetueshme. Përmes tyre sistemi vetëlegjitimohet. Nëse Fransis Fukuyama gaboi kur tha që demokracitë parlamentare të shoqërive të zhvilluara kapitaliste paraqesin ‘fundin e historisë’ si shterrje e mundësive organizative politiko-shoqërore, ato, megjithatë, e heqin veten për të tilla.

Po ç’është ky ‘miti i lirisë’? Ç’kuptim ka ‘iluzioni i zgjedhjes’? Për ta ilustruar raportin e funksionimit politik të këtyre shoqërive ndaj pafuqisë politike të individit, Žižekut i shërben metafora e liftit. Atij i kishte rënë në sy një detaj, në shikim të parë i parëndësishëm: mënyra se si funksionojnë liftat në këto shoqëri, funksionon politikisht vetë shoqëria në përgjithësi. Ta zëmë se po hyjmë në një lift të tillë. Pasi të kemi hyrë, do të vërejmë se njëra nga pullat komanduese është ajo që shërben për ta mbyllur derën e liftit. E shtypim atë dhe mendojmë që gjithçka është në rregull. Por, kujdes! – përshtypja sipas të cilës ne personalisht jemi ata që komandojmë, është një iluzion i pastër: dera e liftit është mbyllur jo si pasojë e shtypjes së kësaj pulle, por si rrjedhim i peshimit të trupit tonë në bazamentin e liftit. Dera e tij do të mbyllet jo atëherë kur ne i japim komandën, por pas asaj periudhe të caktuar pesësekondëshe ç’prej se pesha e trupit tonë rëndon liftin. E tëra që na karakterizon në një situatë të tillë është njëfarë iluzioni i pëlqyeshëm i ‘efektivitetit’ të veprimeve tona personale. Kemi të bëjmë me një mashtrim.

Dikush me të drejtë do të pyeste: po ku dreqin qëndroka ngjashmëria ndërmjet mënyrës së funksionimit të këtij lifti dhe shoqërive të tilla? Përgjigja s’është aspak e ndërlikuar: ndërmjet vendimmarrjeve kyçe politike që realizon një elitë njerëzish në këto shoqëri dhe rëndësisë politike të individit ekziston një hendek i pakapërcyeshëm. Këtij të fundit i servohet një ‘spektakël zgjedhor’ përplot vezullima. I krijohet përshtypja se po zgjedh diçka. Se vendimi i tij është përcaktues, se zgjedhja që bën është vendimtare. Por, ai, në të vërtetë, është fatalisht i pafuqishëm. E tëra që bën në një të tillë karnaval s’është asgjë më shumë se shtypja e asaj pullës së liftit.

Çka do të mund të na tregonte Žižeku për vendin tonë?

Metafora e Žižekut me të drejtë do të mund të merret si paksa ekzagjeruese. Por, ekziston një shembull që e shpëton këtë metaforë nga pasaktësia e qindpërqindtë: vendi ynë, Kosova. Një vend i administruar ndërkombëtarisht. Administrim i fundamentuar në një Rezolutë të OKB-së. Një korpus institucionesh vendore, kushti funksional i të cilave është pranimi i këtij dokumenti. Dokument në shpërputhje me vullnetin e popullit. Gjithsesi, metafora e liftit do të mund të shfrytëzohej për të shpjeguar realitetin tonë jo nga perspektiva e një shoqërie të zhvilluar kapitaliste. Aplikimi i këtij shembulli do të kufizohet, me këtë rast, vetëm për të treguar funksionimin e ‘iluzionit të zgjedhjes’ në shoqërinë tonë.

Sistemi manipulon individin në Kosovë përmes iluzionit të zgjedhjes. Shumësia kuantitative na shitet për shumëllojshmëri cilësore. Zgjedhja këtu është e kundërta e zgjidhjes. Iluzioni i zgjedhjes reduktohet në shumësinë e alternativave. Fuqia absolute e PSSP-së shfuqizon rëndësinë politike të individit. Shkuptimëson radikalisht nevojën e tij për të zgjedhur. Ja përse, këtu te ne demokracia është reduktuar në atë që Žižeku e quan ‘respektim demokratik i proceseve jodemokratike’. Vlera e saj kufizohet në të drejtën e shprehjes, nëse kjo e drejtë s’përfton asnjë ndryshim konkret. Sistemi konsideron të drejtën e shprehjes si privilegjin më të lartë të individit. Ia kufizon atij kuptimin e ekzistencës në vetëmjaftueshmërinë e të drejtës për t’u shprehur. Dhe asgjë më shumë.

Sipas Žižekut, ajo që shquan kohën tonë ‘perëndimore’ është situimi i individit në shoqëritë e mallrave, përmbajtja e të cilave suprimohet në formë të pastër. Ja përse, sipas tij, na kanë pushtuar kafja pa kofeinë, çokollatat pa sheqer, cigaret pa duhan, birrat pa alcohol, seksi pa seks (seksi virtual)… Në vendin tonë ndodh po i njëjti fenomen: kemi zgjedhjet pa liri, institucionet joinstitucionale, opozitën fiktive, qeverinë pa qeverisje… Ky është procesi i mashtrimit përmes përpjekjes që emërtimi të shitet si presupozim i thelbit. Vetëm e vetëm që të nënkuptohet thelbi i qeverisjes përbrenda një institucioni që quhet ‘qeveri’. Procesi tjetër është maskimi i thelbit përmes ndërrimit të emërtimit: humbja e disa hektarëve tokë quhet ‘demarkacion’; përgatitja për ndarjen e Kosovës quhet ‘reformim i pushtetit lokal’ dhe ‘ofrim i pushtetit më afër qytetarit’; krijimi i kushteve për ta integruar Kosovën në Unionin SMZ quhet ‘integrim në Evropë’; kushtet raciste që popullit të Kosovës i vihen në mënyrë që ky t’i meritojë negociatat me Serbinë ende pa u dënuar dhuna e kësaj të fundit, quhen ‘standarde civilizuese’; negociatat për negocimin e lirisë sonë kolektive dhe vullnetit të popullit quhen ‘bisedime për çështje teknike’…

Kosova është peng i ligjeve të funksionimit të strukturave. Këto ligje kryeneçe imponojnë individët e caktuar në krye të proceseve. Dikush, i cili pasi ka kaluar një pjesë të misionit burokratik njëvjeçar në Bosnjë, e vazhdon atë edhe për 6 muaj tjerë në Kosovë, duke ikur nga këtu, në po të njëjtën mënyrë siç erdhi. Vetëm diçka duhet të ketë ndodhur gjatë qëndrimit të tij pothuajse turistik këtu: rritja e varfërisë së popullit. Dhe plot probleme tjera. I njëjti ligj i dëmshëm strukturor karakterizon jo vetëm UNMIK-un, por edhe institucionet dhe partitë tona politike.

Dhe, ky është tregimi i hidhur se si vendi ynë kontrollohet. Populli manipulohet. Thelbi i regjimit antidemokratik maskohet. Dështimi sistemik hedhet te populli, duke i vënë problemit social maskën e konfliktit etnik. Në mënyrë që populli ta përjetojë këtë ‘dështim’ si vetëfajësi… dhe sistemi të shfajësohet.

Kontribo