05 09 2015

Isa Mustafa, dorëhiqu!

Pasi askujt nuk i mbeti asnjë dilemë rreth korruptimit të Isa Mustafës dhe faljes së pasurive kombëtare në negociata, Mustafa u sigurua që në kuadër të zbulimit të fytyrës së tij prej idhnaku, të na njoftojë edhe me seksizmin e tij. Megjithëse kaluan afër dhjetë ditë, deklaratat e tij nuk morën kritikat që i meritonte nga opinioni.

Vendi e ka një kryeministër. E ka edhe një presidente. Njëri burrë. Tjetra grua. Asnjëri nuk na kanë bindur që besojnë te barazia mes gjinive. Të dy i shohin gratë si të padenja për luftë. Meqë po bëhet thirrje se për privaten nuk mund të flitet, si për fillim, barazia nuk është koncept privat. Deklaratat janë bërë në cilësinë e pozitave më publike të mundshme. Pra, publikisht si drejtues të publikes, shtetit. Pastaj, as përkufizimi mbi limitet dhe origjinën e privates nuk është privat. Kësisoj, oborri i Isa Mustafës (dhe jo vetëm) të mos mundohet t’i përdorë argumentet e dobëta të deritashme të rehatisë private.

Atifete Jahjaga në fjalimin e saj të mbajtur në TEDx në Amsterdam, në dhjetor të vitit 2013, i kishte paraqitur gratë shqiptare gjatë luftës si të ndrojtura dhe si gra që kishin pohuar: “Ne bukë kemi, s’kemi armë. Na lini të kalojmë!”. Pra, duke e mohuar kështu përpjekjen e grave edhe ushtarake në luftën për çlirim. Duke përdorur harresën e dëshirueshme për të fshehur se ka gra dëshmore, invalide e veterane të UÇK-së. Duke e fshehur luftën.

Isa Mustafa po bën edhe më keq. Deklaroi pa fijen e turpit se gratë janë të padenja për luftë. Madje, ato për të qenkan të manipulueshme. Kësisoj, dëshmon që nuk e njeh historinë e kombit të vet dhe përpjekjet e popullit për t’i rrëzuar diktaturat. Sikur ta njihte vetëm luftën e fundit nuk do të guxonte për hir të dëshmoreve t’i trajtonte aktivistet e Lëvizjes “Vetëvendosje” si qenie të brishta, të cilat ky dashka t’i kursejë nga ballafaqimi me të. Ose më mirë, po ta njihte këtë luftë – këto dëshmore – do t’i njihte idealet e tyre. Po t’i njihte ato ideale nuk do të mundë të pajtohej për “Zajednicën”. Po ta njihte Lëvizjen “Vetëvendosje” do ta dinte se aty ka gra e vajza që fitojnë fuqi pikërisht në kundërshtimin dhe papajtueshmërinë me padrejtësitë shoqërore, të cilat tash në masë të madhe vetë Isa po i shkakton.

Por Isa Mustafa e bëri “burrninë” atribut më vete dhe trimërinë gjinore. Kësisoj, gratë jetojnë pra midis hyjnizimit në ligjërimin publik dhe shpërfilljes e keqtrajtimit në përditshmëri. Përderisa janë kontribuuese të mëdha në jetën e përditshme, ato portretizohen si barrë që duhet mbajtur në kurriz gjithnjë.

Shpresat nuk janë që Isa Mustafa të ndryshojë. Shpresat janë te disa sektore përparimtare të shoqërisë. Deklarata e Isës, babait që i korrupton djemtë e tij, do të duhej të skandalizonte opinionin publik. Ata zëra duhet të ngrihen edhe kundër “Zajednicës” edhe kundër seksizmit të Isës. Këto të dyja shkojnë bashkë se janë imponim e shtypje.

Isa Mustafa dëshmoi se nuk e njeh historinë e Nora Kelmendit, Tringë Smajlit, Shotë Galicës e deri te Ylfete Humolli e Xhevë Lladrovci. Prandaj, edhe tingëllon qesharak e absurd dhe duket krejtësisht i padenjë për pozitën që mban.

Ne ia kemi rekomanduar që më herët Isës të pensionohet sa më shpejt. Por, një gjysh i tillë do të paraqiste rrezik edhe për mbesat e nipërit e tij. Çfarë duhen janë burrat e gratë që edukojnë mbi terma barazimtarë dhe e praktikojnë atë. Ai, edhe si gjysh duket i padobishëm. Dobia e tij fillon vetëm me aktin e dorëheqjes.

4 shtator 2015
Albana Gashi

Kontribo