02 06 2010

Ja pse JO NEGOCIATA. Ja pse VETËVENDOSJE!

 (Reagim ndaj shkrimit të Muhamedin Kullashit – ‘Pavarësia pa bisedime?’, botuar në gazetën Koha Ditore, më 4. 8. 2005, fq. 10)

Filosofi i njohur slloven, Slavoj Žižek, tek flet për zhvillimet politike në Serbinë e para katër viteve, ndryshimet kozmetike të përmbajtjes së pushtetit atje dhe mënyrën se si i trajtoi ato bashkësia politike ndërkombëtare, me plot të drejtë i krahason me ngjarjen biblike të kryqëzimit të Krishtit. Krejt mëkatet iu hodhën një njeriu, dënimi i të cilit merrka me vete gjithë morinë e veprimeve kriminale të strukturave shtetërore dhe institucionale të Serbisë ndaj popujve tjerë. Gjithsesi, shkuarja e Millosheviqit në Hagë, nuk ishte aspak akti i mëkatarit të penduar për krimet e urdhëruara. Ishte ‘drejtësi merkantiliste’: një njeriu iu veshën krejt bëmat që shkaktuan mbi 220.000 viktima, në shkëmbim për 1.3 miliardë dollarë.

Të gjithë i kaploi një ekzaltim i hovshëm. Krejt kjo katrahurë ishte pjellë e çmendurisë së një njeriu dhe, ja – ai u dënua, problemi u mbyll dhe gjithçka duhet të nisë nga e para. Paçka se mbi 70% e përbërjes së strukturave administrative, ushtarake dhe policore vazhdoi të jetë e njëjta. Ani çka që mendimi i pushtetarëve të rinj ndaj Kosovës nuk ndryshon aspak nga ai i të mëparshmëve. Dhe, kështu, Serbia filloi ‘legjitimitetin’ e ekspansionit politik e diplomatik ndaj vendit tonë.

Mu këtu dua ta prek problemin e negociatave. Janë çuar i madh e i vogël, problematizojnë Kosovën. Por ata nuk problematizojnë kurrë rrugën nëpër të cilën ajo erdhi deri këtu. Kurrnjëherë nuk shtrohen shkaqet, askurrë nuk shihen pasojat. Popullit tonë i vihen kushte, atij i imponohen procese që s’i zgjedh vetë. Vetëm e vetëm që viktima t’i meritojë negociatat me dhunuesin e tij. Negociata të viktimës pa kurrfarë dëmshpërblimi, negociata me dhunuesin pa asfarë dënimi për dhunën e kryer.

Ne nuk jemi kundër negociatave si koncept. Ne kundërshtojmë këto negociata – negociatat e të pabarabartëve. Natyrisht që ne duhet të flasim. Ne s’mund të mos bisedojmë. Por, për çka të dialogojmë? Nëse unë meritoj të jem i barabartë me të tjerët për lirinë time të domosdoshme? Jo falemnderit!

E, këto negociata nuk janë bisedime çështjesh teknike, por thelbësore. Të gjithë diplomatët ndërkombëtarë e shprehin shumë qartë këtë gjë, duke filluar që nga Solana: këto janë bisedime për ‘statusin FINAL’. E, ky është përcaktim i kufijve të lirisë sonë kolektive dhe individuale.

Këto negociata, pra, as për së afërmi nuk mund të krahasohen me ato që zhvilluan Franca me Algjerinë në Evian. Këto të fundit janë mbajtur vetëm sa për ta formalizuar atë status që Algjeria e fitoi me luftë. Statusi i saj nuk ishte arritje përgjatë procesit të negociatave, por fakt i kryer nëpërmjet luftës çlirimtare/dekolonizuese algjeriane. Duke e parë kundërvënien ndaj kësaj lufte si të paleverdishme, krejt çka i mbeti Francës ishte përpjekja e fundit që krejt këtë ngjarje ta shndërronte në një spektakël të ‘përkrahjes’ së popujve të robëruar. Kosova nuk e përfundoi këtë luftë. Prandaj negociatat bëhen pikërisht për të mos e fituar statusin që është vullnet i popullit shumicë. Martin Luther Kingu e thoshte fort mirë: ‘Ne e dimë nga përvoja e hidhur se shtypësi kurrë nuk ta ndanë lirinë vullnetarisht. Ajo duhet të kërkohet nga të shtypurit.’

Prandaj, parakusht i negociatave duhet të jetë një actus i fuqishëm që ka të bëjë me drejtësinë. Pikënisje e qëndrimit tonë duhet të jetë ç’është dhe ç’nuk është e drejtë. Mundësitë futen në lojë a posteriori. Ne hedhim poshtë çfarëdo negociatash, në të cilat që me fillim statusi ynë në to është çnjerëzor. Çnjerëzore është ta provosh krimin mbi lëkurë, e të detyrohesh të ulesh në tavolinën e bisedimeve me fajtorin, në një kohë kur ai jo vetëm që s’është dënuar, por as është shpallur përgjegjës. Nëse kjo nuk ndodh, ne nuk mund të negociojmë, sepse ndërmjet nesh ekziston pabarazia a priori. E, pabarazia është e padrejtë. Ne e luftojmë padrejtësinë.

Sa për vetëvendosjen, kjo gjë s’është gjithaq e ndërlikuar. Ne gjithnjë e kemi përsëritur: ajo që i duhet vendit tonë është vetëvendosja eksterne. Një gjë është e sigurtë: vetëvendosja e brendshme është aspak e rëndësishme, nëse asaj nuk i paraprinë vetëvendosja e jashtme, e cila do ta kishte për bazament sovranizimin e popullit. Është populli ai që duhet t’i përcaktojë lirshëm interesat e tij, të mund të vendosë vetë për kahet e zhvillimit ekonomik dhe kulturor.

Më rastis ndonjëherë të rri me ndonjë nga zyrtarët ndërkombëtarë këtu. Has gati rregullisht në të njëjtin reagim ndaj idesë së sovranitetit: ‘po, shikoni, sovraniteti sot s’është çështje absolute; edhe shtetet më të fuqishme kanë sovranitetin e kufizuar…’. E vërtetë hipokrite po aq sa cinike. Ide e pështirë që hedh poshtë atë të drejtë, të cilën vendi i tij, e ka shfrytëzuar për të arritur pikërisht këtu ku është. Ne nuk po kërkojmë sovranitet absolut. Ne po kërkojmë barazi me të tjerët në sovranitet. Dhe, po e përsërisim: sovraniteti nuk është shkopi magjik i zgjidhjes së menjëhershme të të gjitha problemeve, por, gjithsesi, parakushti i domosdoshmëm i mundësisë së krijimit të mekanizmave efektivë për t’i zgjidhur ato. Natyrisht, mungesa e sovranitetit garanton më parë regresin se progresin.

Profesor i nderuar do t’iu këshilloja të mos frikësoheni për pasojat (siç mendoni ju) negative që do të mund të kishte parulla jonë në klasën politike kosovare. Kjo parullë nuk i bën ata aspak përtacë. Ata kanë pranuar dokumentet bazike të këtij sistemi jodemokratik, kanë pranuar të funksionojnë përbrenda këtyre rregullave të lojës që s’janë të popullit, ata janë pajtuar të jenë të dëgjueshëm. Pra, ata janë të përkushtuar që detyrat e disenjuara nga tjetërkush t’i kryejnë me një zell të jashtëzakonshëm. Ata po punojnë pa përtuar. Por, puna që po e bëjnë është e gabueshme. Në momentin që ata do t’i shmangeshin sado pak agjendës politike të UNMIK-ut, nuk do të jenë në ato pozicione politike. Kushti ekzistencial i këtyre institucioneve politike është dëgjueshmëria dhe zbatimi i pikëpërpiktë i agjendës politike të UNMIK-ut.

Jo rrallë ndeshet edhe pikëpamja, e cila e merr bashkësinë ndërkombëtare si referencë absolute të rrjedhave ‘fataliste’ që s’kemi tjetër mundësi veçse t’u nënshtrohemi. Prandaj Tjetri bëhet pasqyra dhe vetëkoncepti ynë, ai strukturon kufijtë e vetëdijes sonë. Pikënisje e qëndrimit politik nuk është më interesi i grupit që përfaqëson, por imazhi i krijuar para një zyrtari ndërkombëtar.

Krejt kësaj gjendjeje të mjerë do t’i shkonte për bukuri një mendim i një miku tim (Agim Kuletës): ne nuk kemi liri për të dhënë; ata kanë padrejtësi për të sakrifikuar.

Kontribo