09 01 2013

Josipoviç-Milanoviç vs Jahjaga-Thaçi

Milutin Mrkonjiç është Ministër i Transportit në Serbi, dikaster i ngjashëm me atë të Fehmi Mujotës, Ministrit të Infrastrukturës në Kosovë. Dikaster qeveritar tepër i rëndësishëm.  Ky person vjen nga Partia Socialiste e Serbisë, partia e Sllobodan Millosheviçit, dhe në zyrë në Ministri mban të varur fotografinë e këtij të fundit.  Tomislav Nikoliç, është President i Serbisë dhe për më shumë se 10 vite ishte dora e djathtë e Sheshelit kur ai vizitonte tokë të djegura nga paramilitarët e mbledhur dhe financuar nga vetë ai. Ivica Daçiç, është Kryeministër i Serbisë, dhe ishte zëdhënës i Millosheviçit kur i njëjti bënte luftërat e tij në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.

Dhe pikërisht duke ditur këto fakte, paraqiten momente të cilat shpërfaqin në tërësinë e saj qasjen tmerrësisht servile të Qeverisë së Kosovës në raport me Serbinë, me dialogun, Evropën, dhe diskursin e retorikën kundrejt të njëjtave. Kur them këtë nisem nga rasti i Presidentit kroat Ivo Josipovic, Kryeministri kroat Zoran Milanovic dhe qëndrimi i Republikës së Kroacisë ndaj Serbisë.  

Presidenti Kroat në fund të muajit maj të këtij viti pas deklaratave të Nikoliçit se “Vukovari është qytet serb dhe se kroatët nuk çfarë të kërkojnë aty” dhe se në “Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocid”, deklaroi se nuk do ta takojë Nikoliçin derisa i njëjti nuk dëshmon se vërtetë mbështet vlerat evropiane. Për më shumë Presidenti kroat konstaton se Nikoliçi me këto deklarata po dëshmon që është larg vlerave evropiane.  

Me 6 dhjetor 2012 Zëvendëskryeministrja kroate dhe njëherësh Ministrja e punëve të jashtme,  Vesna Pusiç, deklaroi se takimi i Kryeministrit kroat me atë të Serbisë nuk është në rend të ditës, dhe nëse do ketë ndonjë  takim mes përfaqësuesve të shteteve ai do jetë në mes të Ministrave të punëve të jashtme, ashtu siç e do rendi.  Pra, Kroacia dhe udhëheqësia kroate edhe 15 vite pas përfundimit të luftës kushtëzon çdo lloj takimi, lëre më dialogun, meqë nuk ka dëshmi të qarta të ndryshimit të (dis)kursit të Serbisë.

Për Qeverinë kroate është më se evidente, që kjo Qeveri në Serbi është pasardhëse e drejtpërdrejtë e qeverive të Millosheviçit, zëdhënës i të cilit ishte kryeministri aktual, dhe Sheshelit i cili bënte kërdinë në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë me formacionet e tij paramilitare e zëvendësi i të cilit ishte Presidenti aktual serb. Për më shumë, në zyrat e ministrave më të rëndësishëm në Qeverinë aktuale, portretet e këtyre dy kriminelëve të luftës janë të varura në mure.  

Pra, në vitin 2012, kur Kryeministri Hashim Thaçi takohet me Ivica Daçiçin, Presidenti kroat dhe Qeveria kroate deklarojnë qe takimet me këta njerëz nuk bëhen derisa të njëjtit nuk provojnë, jo me fjalë por me dëshmi, që kanë ndryshuar.  Derisa Presidentja e Kosovës çdo javë na përkujton sa është e gatshme të takohet me njeriun i cili i ka qëndruar në krah Sheshelit në çdo vizitë që i njëjti ka bërë me formacionet e tij gjatë luftërave në Kroaci, Bosnje, dhe Kosovë.

E tani, duke ditur historikun dhe prejardhjen politike të këtyre aktorëve politik, cili është diskursi real që Qeveria e Serbisë ka për Kosovën dhe a ka ndonjë ndryshim prej viteve kur të njëjtit udhëhiqnin ne atë vend? Në fakt, jo vetëm që nuk ka ndryshim por ka, në baza ditore dëshmi të cilat, vetëm Qeveria dhe Presidenca e Kosovës nuk i sheh.  

Për Qeverinë e Serbisë synimi primar është futja sa më e thellë në rirregullime të brendshme të Kosovës duke mos e njohur ekzistencën e Kosovës si shtet. Dhe këtë Serbia, me këtë kastë politike, synon ta arrijë me anë të një dialogu i cili mundëson dy gjëra. E para, Qeveria e Kosovës i shfajëson sepse ulet në tryezë duke mos i kushtëzuar me asgjë, dhe këtë kushtëzim e kthen në temë dialogu thuajse duhet qartësuar se kush ka bërë çka. Dhe e dyta, duke bërë këtë kjo qeveri i mundëson projektimin e progresit që i shkon për shtat veç Serbisë.

Presidenti kroat Ivo Josipoviç dhe Kryeministri kroat Zoran Milanoviç nuk bën asgjë radikale apo të skajshme, por atë që është normale, kërkuan dëshmi për ndryshimin. Derisa Presidentja e Kosovës dhe Kryeministri, po bëjnë atë që është jonormale dhe politikisht e pakuptueshme. Derisa ata që në këtë mes po kërkojnë normalitet, pra kushtëzim, janë të etiketuar si radikal dhe të skajshëm.  

Kjo lojë, dhe ky rrotullim i fakteve është mbase i kuptueshëm. I kuptueshëm pasi që Presidenti kroat është i zgjedhuri i popullit, dhe jo i dalë nga zarfe çudibërëse, derisa Kryeministri kroat nuk i ka manipuluar 38% të votave, por i ka fituar ato pa ndihmën e strukturave kriminale dhe para-partiake. Kryeministri kroat e ka të qartë që për të bërë politikë duhen ca parime, pak kurriz dhe asësesi afera korrupsioni të cilat prej dite në ditë dalin në media si kërpudhat pas shiut. Për më shumë, edhe Presidenti kroat por edhe Kryeministri kroat e kanë kuptuar që rruga e zhvillimit ekonomik, rruga e mirëqenies sociale, dhe ndërtimit të shtetit nuk ka asnjë lidhje me nënshtrim ndaj komshiut.

E kundërta totale ndodh këtu, Jahjaga dhe Thaçi qëndrojnë në pushtet vetëm me tema që nuk janë tema të Kosovës por të Serbisë. Janë në media të pranueshëm e të pranishëm vetëm me rrotullime mediatike duke paraqitur servilitetin si normalitet, derisa normalen si radikale.  Dhe janë të përdorshëm ndryshe nga homologët e tyre, vetëm si pasojë e mungesës së virtytit të udhëheqjes e jo si pasojë e pasjes së tij. Gjithë çka është virtuoze tek ta është saltot mortale për të mbajtur pushtetin personal.

Kontribo