21 09 2012

Kapërcimi i qorrsokakut politik

Në Kosovë, breza të tërë njerëzish ikën me ëndrrën e parealizuar për ta parë këtë vend një ditë të çliruar nga Serbia, e të tjerë sakrifikuan jetët e tyre që kjo ëndërr një ditë të bëhet realitet. Shumë vuajtje përjetuan me mijëra shqiptarë, diskriminim shumëtrajtësor, dhunë fizike e psikologjike, tortura nëpër burgje e jashtë tyre, vrasje, dëbime djegie e shkatërrime, për gjatë një shekulli. Por kjo epokë fatmirësisht mbaroi me 1999. Fatin për ta parë Kosovën të pavarur, siç është sot, pavarësisht nga cilësia e kësaj pavarësie nuk e patën të gjithë. E ata që e patën, nuk po dinë ta çmojnë. E ata që nuk po dinë ta çmojnë në radhë të parë janë udhëheqësit politikë të këtij vendi, të cilët prej dhjetë vitesh gatuajnë një politikë qorre, e cila në thelb ka vetëm interesat e veta klanore, e jo të shtetit. Sa për interesa e qytetarëve politika e prodhuar gjatë kësaj periudhe është deficitare edhe në të kuptuarit e konceptit. Nuk është e nevojshme të kthehesh në vitet e shkuara për të shpjeguar qorrsokakun politik. Është më se e mjaftueshme të analizojmë situatat e krijuara vetëm në muajin e fundit. Janë tri procese të rëndësishme që i kanë karakterizuar këto 30 ditë. Tri procese të cilat mund të thuhet që në krye të herës se janë një dështim i pafalshëm e me kosto të lartë në të ardhmen. T’i marrim me radhë.Procesi i turpshëm zgjedhor Filloi me një fushatë perverse të blerjes së votave të qytetarëve me mbushje telefonash apo 50 eurosha, me premtime për rritje rrogash apo shtrime rrugësh, me vende pune apo tenderë dhe si duket do përfundojë me shitblerje deputetësh. Aq e paskrupullt që fushata sa qytetarët, të gjunjëzuar nga politikat indiferente dhe korrupsioni ngulfatës, jo rrallë pranuan të shesin vullnetin e tyre për pak para. Jo se iu besojnë atyre që i votojnë, mirëpo si i thonë një fjale më mirë një vezë sot se një pulë mot…Por degjenerimi i vërtetë i procesit elektoral ishte data 12 dhjetor. U mbushëm kutitë anë e mbanë Kosovës, u vodhën e prishën vota, u ndërrua destinacioni i tyre, u kërcënuan vëzhgues e komisionerë, u blenë e u shitën këta të fundit, u fikën e ndezën dritat sipas skenarit të parapërgatitur të

hajdutërisë, u numëruan e ç’numëruan, derisa i doli boja këtij procesi në të katër anët e botës. Përsëritja e zgjedhjeve në komunat ku u pati “vjedhje industriale” dëshmoi se ata që inskenuan manipulimet e 12 dhjetorit nuk kishin në plan të dorëzoheshin e gjasat janë që edhe në Mitrovicë të ndodhë e njëjta gjë. Kështu si po shkojnë punët babazia për të marrë një ulëse në kuvend apo për ta shfrytëzuar procesin për të bërë pare siç vepruan komisionerët është aq e madhe sa nuk përfill as faktin se me qindra vëzhgues të huaj ishin dhe do të jenë prezentë. Gjasat janë që Mitrovica, komuna e një mijë e një problemeve, të marrë edhe një njollë të rëndë mbi trupin e saj, atë të manipulimit të votave, vetëm e vetëm sepse hienat e pushtetit do t’i vërsulen, madje me intensitet shumë më të lartë se ai i 12 dhjetorit. Si duket në këtë vend, këtyre të babëziturve për vota e për pushtet nuk ju intereson aspak që Kosova sapo u krahasua me Bregun e Fildishtë dhe Bjellorusinë për shkak të parregullsive në procesin zgjedhor e nuk do t’i interesojë nëse do të krahasohet nesër me Somalinë apo Korenë e Veriut, kur t’i presë izolimi nga vendet që këtu kanë investuar për të ndërtuar demokraci e jo hajdutëri. E duke marrë parasysh se kush e gatoi çorbën e 12 dhjetorit, e po kështu duke marrë parasysh ato që kam shkruar më poshtë, a gabohemi nëse themi se “luftëtarët” e lirisë janë shndërruar në hajdutë votash? Pyetja është retorike… 

Shpërfillja e FMN-së 

E pra zgjedhjet e 12 dhjetorit u zhveshën nga gënjeshtra fillestare se ishin të rregullta e të barabarta, mirëpo një tjetër gënjeshtër e madhe zuri vend me të hyrë të vitit e që kishte të bënte me premtimet elektorale për rritjen e rrogave për administratën dhe kategori të tjera të shoqërisë. Duke hedhur gurë e dru mbi subjektet e tjera politike, të cilat kryeministri i vetëshkarkuar së bashku me beniaminin e tij, zëvendëskryeministrin, u munduan t’i paraqesin se janë kundër rritjes së pagave për punonjësit- një konstrukt ky i llojit të vet që u plasua në televizionin publik përmes një interviste të stërzgjatur e natyrisht të porositur, qeveria e vëtëshkaruar bëri aktin e pamoralshëm të radhës. Kërkoi të blejë votat duke përdorur si karrem buxhetin ende të pamiratuar, e njëkohësisht të shpallë publikisht armiqtë e mirëqenies. Pra, me një gur të vrasë dy zogj. Edhe në këtë rast nuk u mor parasysh asnjë ligj të cilin një qeveri e shkarkuar është e detyruar ta respektojë, e për më tepër me një buxhet të pamiratuar nga Kuvendi i Kosovës. Në këtë rast qeveria doli mbi kuvendin dhe këtë se ka për herë të parë, duke i vënë shqelmin logjikës institucionale të një shteti. Por ky ishte vetëm njëri nga shqelmat. Tjetri ishte ai në raport me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Vendimi për rritje pagash, në çfarëdo vlere, është në kundërshtim me rekomandimet e këtij institucioni, i cili është matësi më i mirë i parametrave të zhvillimit ekonomik dhe rekomanduesi më i saktë jo vetëm për institucionet vendore, por edhe për ato kompani të cilat kanë synime të investojnë në Kosovë apo ato banka të cilat do të mund të ofronin ndonjë kredi me interes. Edhe në këtë rast kryeministri me të tijtë, me një gur vrau dy zogj, edhe i vuri në pikëpyetje raportet me FMN-në për të ardhmen, duke u vetëklasifikuar si një shtet joserioz, edhe vuri në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes për ndihmën prej 110 milionë eurosh, e cila më shumë gjasë do të anulohet. Si u bë që të injorohet ky institucion, kur mburrja për anëtarësimin e Kosovës në të vazhdon ende të jetë nga të vetmet e qeverisë së Hashim Thaçit, edhe pse e dimë se është merita e tjetërkujt? Apo edhe këta të FMN-së janë kundër rritjes mirëqenies së qytetarëve të Kosovës?! 

Marrëzia në raport me raportin e Dik Martit 

E para marrëzi, sapo doli në skenë ky raport, nga ana e kryeministrit të vetëshkarkuar ishte hakmarrja ndaj gazetës që e publikoi. Duke

gjykuar se “The Guardian” është fajtore,- shikoni se në çfarë niveli është të kuptuarit e rolit të medias së lirë dhe të lirisë së shprehjes, kryeministri me beniaminët e tij u zotuan ta hedhin në gjyq. D.m.th. “vrasja e Korrierit”, një gjë të cilën bota e vendeve demokratike nuk ta falë. Gabimi tjetër po kaq i rëndësishëm ishte acarimi i gjuhës, e cila në vend që të ishte politike e diplomatike qe hakmarrëse dhe primitive. Sado i keq mund të jetë raporti i Dik Martit për Kosovën, dhe për këtë s’ka dyshim, sado të rënda të jenë akuzat e tij, sado të pavërteta dhe monstruoze, nuk duhet harruar se ky raportues përfaqëson një institucion e që është hiç më pak së Këshilli i Evropës. Shfletimi i ndonjë libri për të gjetur ndonjë shembull naziskin e për t’u dukur sikur je shumë i lexuar është naivitet që të hakmerret fuqishëm, ashtu sikurse edhe ndodhi. Sjelljet e pamenduara të kryeministrit jo vetëm që dëmtuan raportet me shtetet që i janë gjetur pranë Kosovës në ditë më të vështira, por vetëm sa i kanë nxitur mediat ndërkombëtare edhe më shumë që të mos e lënë këtë punën e trafikimit të organeve, me aq sa thotë raporti. Për informacionin e kësaj qeverie ata janë në terren duke hulumtuar dhe do të jenë për një kohë të gjatë. E po kështu një raport që ka në thelb akuza për krime shumë të rënda nuk mund të luftohet me peticione qytetarësh, për faktin e thjeshtë se drejtësia punon me fakte, jo me interpretime emocionale. Nga ana tjetër një raport me prapavijë politike të errët, siç kemi dëshirë ne ta interpretojmë, sepse e kundërta, pra trafikimi i organeve do të ishte i tmerrshëm, duhet të luftohet me metoda politike e diplomatike. Edhe pa raportin e Dik Martit në Kosovë ka ardhur koha që të dekonstruktohet shtresëzimi i të vërtetave historike, qoftë dhe për luftën e UÇK-së, e cila në shumë raste është zmadhuar apo falsifikuar për interesa personale. Edhe pa raportin e Dik Martit ka ardhur koha që të merret vesh njëherë e mirë se cilët janë ata që kanë luftuar vërtet, e cilët ata që kanë përfituar në emër të tyre, se cilët kanë kryer krime e fshihen pas UÇK-së, duke i vënë njolla të errëta angazhimit të mijëra njerëzve që dolën në mal për të mbrojtur familjet e tyre. Edhe pa raportin e Dik Martit kjo shoqëri njëherë e përgjithmonë duhet të distancohet nga ata që u pasuruan brenda natës, duke vjedhur e plaçkitur djersën e të tjerëve, sepse liria nuk ka kuptim pa të drejtën dhe barazinë; të distancohen nga ata që duan të qëndrojnë në pushtet duke vjedhur votat e të tjerëve, sepse demokracia nuk mund të ndërtohet pa legjitimitet; të distancohen nga ata që falsifikojnë historinë duke përvetësuar meritat e të tjerëve, sepse historia të hakmerret, sado vonë; dhe nga ata që tashmë janë identifikuar si armiq të fjalës së lirë, sepse ndryshe do të rrëshqasim drejt diktaturës…

Kontribo