08 09 2020

Kërkesat urgjente të GP-së për raportim të z. Hoti

Sot, deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! kanë dorëzuar kërkesat urgjente për raportim të Avdullah Hotit dhe ministrave që u bënë pjesë të delegacionit apo që kanë përgjegjësi mbi koncensionet antikushtetuese dhe të paligjhshme në letrën e nënshkruar me 4 shtator në Washington DC dhe në takimet e Brukselit me Vuçiqin me 7 shtator.

Kërkesa për raportim lidhur me Politikën e Jashtme, Ekonominë, të pagjeturit, viktimat e dhunës seksuale, Ujmanin, Minishengenin, bisedat për Zajednicën, ata që po i quajnë të “zhvendosurit” dhe për shpenzimet e një delegacioni të stërmadh në Washington.

Deputetët anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë përmes një kërkese zyrtare kanë ftuar z. Hotin për raportim në Komision për arsye se lista e zotimeve të bëra në letrën e 4 shtatorit, është një listë me përfitime për Republikën e Serbisë në kurriz të subjektivitetit, integritetit dhe sovranitetit të shtetit të Kosovës. Që nga bërja hisedare Serbinë në shfrytëzimin e resurseve shtetërore të Republikës së Kosovës, pranimi i mini-shengenit si një ide dhe projekt i Serbisë për të garantuar hegjemoninë ekonomike e tregtare, vënies në funksion të këtij synimi të infrastrukturës rrugore e hekurudhore të Kosovës e deri tek dalja në detin Adriatik si një ëndërr e kamotshme e shtetit të Serbisë, e heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, janë të gjitha në kundërshtim me interesat e Kosovës e krejtësisht në shërbim të Serbisë.

Ndërsa, anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike kanë bërë kërkesë për raportim të Avdullah Hotit lidhur me nënshkrimin e tij për të ndarë shfrytëzimin e Liqenin e Ujmanit me Serbinë dhe pranimin e Mini-Shëngenit për të cilin fuqishëm gjithmonë e ka kundërshtuar edhe vetë ai. Liqeni i Ujmanit është pasuri e shtetit të Kosovës, pronë e Ndërmarrjes Publikë Ibër-Lepencë, i ndërtuar nga institucionet e Kosovës. Ndërsa, Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton resurset shtetërore. Po ashtu, bërja pjesë e minishengenit, si një projekt dhe ide e Serbisë dëmton interesat e Kosovës.

Në anën tjetër anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Personat e pagjetur dhe Peticione nga Lëvizja VETËVENDOSJE! kanë thirrur Zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj për raportim si pjesë e delegacionit të Kosovës në takimin me delegacionin e Serbisë, të cilët mënyra se si kanë trajtuar çështjen e personave të zhdukur dhe se si nuk i kanë adresuare fare cështjen e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Qendrimi i këtij delegacioni është i turpshëm dhe ofendues për të gjitha viktimat dhe popullin e Kosovës. Çështja e të pagjeturve dhe viktimave të dhunimeve do të duhej të ishte prioriteti themelor i institucioneve si kërkesë e padiskutueshme dhe e pakushtëzuar. Serbia ka ndjekur politika shtetërore gjenocidale. Shteti i Serbisë i ka të gjitha informacionet për varrezat masive dhe për fatin e të pagjeturve. Po ashtu dhe mbi përgjegjësit dhe urdhënësit e dhunimeve seksuale gjatë luftës. Refuzimi për të zbardhur këtë çështje dhe për të kthyer trupat është vazhdim i lojës më vuajtjet e familjeve që kërkojnë trupat e të dashurve të tyre dhe dinjitetin e Kosovës si shtet. Ndërsa fshehja e heshtja për dhunimet seksuale si aparat i luftës është edhe më e rëndë.

Takimi i 4 shtatorit përveç lëshimeve dhe nënshtrimit përballë Serbisë u karakterizua edhe nga përbërja masive e delegacionit të Kosovës, të cilët me qëndrimin e gjatë para dhe pas takimit i kanë shkaktuar shpenzime të mëdha e të panevojshme buxhetit të shtetit. Lidhur me këtë, deputetët e Lëvizjes, anëtarë të Komisionit Për Mbikëqyrjen e Financave Publike kanë ftuar Avdullah Hotin që të raportojë lidhur me shpenzimet e bëra të delegacionit të Kosovës gjatë qëndrimit në SHBA. Përkitazi me këtë çështje, deputetët tanë kanë kërkuar edhe qasje në dokumentet publike në Zyrën e Kryeministrit me qëllim të ofrimit të transparencës për të gjitha shpenzimet e udhëtimit, qëndrimit dhe mëditjeve për delegacionin që ka marrë pjesë në këtë takim.

Kontribo