01 12 2015

Kerry si ndërmjetësues i dyfishtë

S’do mend që pasnesër Vuçiq e Daçiq do t’i bëjnë kërkesa John Kerry-t për Serbinë në kurriz të Kosovës. S’do mend edhe që Mustafa e Thaçi nesër do t’i bëjnë kërkesa Kerry-t për pushtetin e tyre kundër opozitës. Në fund, Kerry me ekipin e tij do ta nxjerrë një mesatare të qëndrimit të tij në Beograd dhe në Prishtinë. As Mustafa e as Thaçi nuk do t’ia përmendin Kerry-t krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë dhe borxhin që Serbia ua ka shqiptarëve. Në anën tjetër, Vuçiq e Daçiq do të flasin qysh serbët janë të rrezikuar në Kosovë dhe se ndaj tyre janë bërë krime të shumta. Opinioni publik në Beograd do të angazhohen t’i thonë diçka Kerry-t e në Prishtinë do të përgatiten të dëgjojnë se çfarë Kerry na tha. Mediet e regjimit tashmë po e përgatisin situatën që vizita e nesërme në Prishtinë të jetë vizitë nga doktor Kerry për pacientin e quajtur Kosovë.

Nuk është çështja vetëm e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Edhe diplomatët e politikanët e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës janë me nga dy kapela. Njëra kapelë e tyre është e shtetit që na ka njohur e me të cilin do të duhej t’i forcojmë marrëdhëniet bilaterale, ndërsa kapela tjetër është e ndërmjetësuesve në dialogun e përhershëm Kosovë-Serbi. Sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, me vetë faktin që pas Prishtinës shkon edhe në Beograd, nuk do ta ketë vetëm njërën kapelë por të dyja. Po nuk u kuptua kjo, dëmi është gati. Natyrisht që tema është lufta globale kundër terrorizmit, mirëpo aty jemi pak të rëndësishëm. Çështja themelore është ajo e marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës me Serbinë dhe rezistenca e opozitës së bashkuar në Kosovë.

Kësisoj, Kerry do të jetë dyfish ndërmjetësues: midis Kosovës dhe Serbisë dhe midis qeverisë së Kosovës dhe opozitës në Kosovë. Ndërmjetësimi në rastin e dytë është pasojë e rastit të parë. Po të ishte Qeveria e Kosovës përnjëmend qeveri dhe me të vërtetë e Kosovës nuk do t’i kishim te dera as ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe as demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Por, e këtillë siç (nuk) është kjo qeveri, ato janë tanimë te pragu ynë. Dhe, sërish, e këtillë siç (nuk) është kjo qeveri, ajo do të ketë shumë më tepër vëmendje për Kerry-n si ndërmjetësues në rastin e dytë (kundrejt opozitës) sesa në rastin e parë (kundrejt Serbisë). Për Mustafën e Thaçin shumë më e rëndësishme është që Kerry të flasë ndonjë gjë (që mandej interpretohet) kundër opozitës në Kosovë sesa kundër kësaj Serbie të pasardhësve të drejtpërdrejt politikë të Milosheviqit e Sheshelit. ‘Zajednica’ e Serbisë dhe demarkacioni me Malin e Zi janë dëshmi që Mustafa e Thaçi e duan shumë më tepër pushtetin e tyre sesa shtetin e Kosovës.

Objektivisht, si treg me fuqi blerëse, si burim njerëzor e si kapacitet industrial e zhvillimor, si aleate historike dhe tradicionale e Rusisë, Serbia peshon shumë më rëndë se Kosova për superfuqitë botërore. Kur kësaj i shtohet edhe pesha subjektive e Serbisë si udhëheqje politike radikale, pakrahasimisht më radikale sesa ajo te ne, atëherë del se Kosova nuk ka shansë të përparojë pa e ndërruar udhëheqjen dhe pa u vendosur në peshoren gjeopolitike si pjesë e kombit shqiptar në tërësi. Me të drejtë thotë një mik imi nga Shkupi se ne shqiptarët i bëjmë tifozeri ShBA-ve. Ky s’është partneritet politik dhe ekonomik. Kjo s’është aleancë ushtarake dhe strategjike. Kosova që të fillojë të peshojë më rëndë në arenën ndërkombëtare duhet që ta përfytyrojë veten si pjesë të kombit shqiptar shtatëmilionësh në Ballkan dhe ta ketë një udhëheqje radikale në diskurs dhe veprim politik që nuk sprapset para vuçiqave e daçiqave. Kot jemi të urtë e të sjellshëm. Durimin e shqiptarëve faktorët ndërkombëtarë e konsiderojnë fakt të përhershëm njerëzor e jo koncesion të përkohshëm politik që duhet shpërblyer.

Të gjithë e dimë se NATO-ja nuk e bombardon më Serbinë. NATO-ja madje as që ka armatim të vetin. NATO-ja e ka armatimin e shteteve anëtare. Shtetet kanë armatim. E, Kosova s’ka ushtri për shkak të kundërshtimit të Listës serbe, përkatësisht të Beogradit. NATO-ja e KFOR-i nuk mund të jenë zëvendësim për ushtrinë tonë. Ku ishte NATO-ja kur 11 shqiptarë u vranë, 11.364 u dëbuan ndërsa 80 u plagosën e lënduan në veri të Mitrovicës në shkurt në vitin 2000? Po pra, NATO-ja, si KFOR francez, ishte në vendin e ngjarjes! Ajo bënte sehir teksa të ashtuquajturat ‘roje të urës’ dhe formacione të tjera të armatosura serbe po i shndërronin shqiptarët në popullsi pakicë në veri të Mitrovicës.

Kroacia po blen armatim nga ShBA-të kurse Serbia po e bën të njëjtën gjë nga Rusia. Mustafa e Thaçi kanë vetëm një kërkesë për faktorët ndërkombëtarë: liberalizimin e vizave! 16 raketa balistike që i bleu Kroacia së fundmi e çmendën Serbinë dhe bënë që Vuçiq të vrapojë te Putini sepse na qenka prishur balansi ushtarak rajonal. Për këto raketa balistike Kroacia i mori falas lansuesit dhe ato bëhen operative në vitin 2017, pra një vit para se të mbahet referendumi i paralajmëruar në Republikën serbe në Bosnje. Ish presidenti kroat (nga viti 2000 deri në vitin 2010) Stipe Mesiq, në ditët e fundit të tij në postin e presidentit, më 19 janar 2010, pat dhënë një deklaratë testament që atëbotë njësoj e pat çmendur Serbinë, duke thënë që nëse Republika serbe mban referendum për t’iu bashkuar Serbisë atëherë tankset kroate shkojnë në Brçko! Kroacia nuk mund të lejojë që atje lart te Banja Lluka, Serbia t’i afrohet Zagrebit në 50 kilometra distancë!

Sllovenia dhe Kroacia patën dalur nga Jugosllavia sepse ikën nga Serbia. Shpallja e tyre e pavarësisë në vitin 1991 ishte praktikisht pavarësi nga Serbia e Madhe. Procesi i Berlinit i vazhduar në Vjenë, afron e integron me njëra-tjetrën gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor si zëvendësim për anëtarësimin e munguar në BE edhe për një dekadë. Pasojë e kësaj do të jetë tendenca për njëfarë mini-Jugosllavie ku hyn Shqipëria në vend të Sllovenisë e Kroacisë. Kjo padyshim që do t’i jep zemër forcave pro-jugosllave në Kosovë në krye të të cilave do të jetë dueti Mustafa-Thaçi. Të rinjtë e këtyre gjashtë shteteve Bosnje, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Serbi e Maqedoni do t’i lodhin në seminare e konferenca të përbashkëta, prej mbrëmjeve poetike e deri te diplomacia ndërkombëtare.

Bosnja për shkak të Republikës serbe dhe Maqedonia për shkak të regjimit proserb të Gruevskit nuk i vunë sanksione Rusisë pasi që ajo pushtoi Krimenë. Duke qenë proserbe ato u bënë edhe proruse meqenëse shpërfillën direktivën e ShBA-ve dhe të BE-së për sanksione Rusisë. Kreu i serbëve në Bosnje, Milorad Dodik, është bërë më i lidhur e më i afërt me Putinin dhe Rusinë sesa me Vuçiqin dhe Serbinë. Asaj rruge do të shkojë edhe presidenti i ardhshëm i ‘Zajednicës’ po e lejuam instalimin e saj në Kosovë. Ndërkohë, Mustafa e Thaçi duan liberalizim vizash për qytetarët dhe burgosje e shtypje të opozitës…

 

1 dhjetor 2015

Albin Kurti

Kontribo