02 06 2010

Koka dhe Zemra

Sociologu i mirënjohur i drejtimit të interaksionizmit simbolik ‘dramaturgjik’, kanadezi me prejardhje hebreje Erik Goffman, tek flet për jetën shoqërore të individit te vepra e tij The Presentation of Self in Everyday Life, thotë që performansa sociale e personit është dypjesore. Njërën e quan ‘skena e përparme’ (‘front stage’), tjetrën ‘skena e prapme’ (‘back stage’). Ajo e para është hapësira shoqërore në të cilin individi performon rolin e tij social në përputhje me pritjen e të tjerëve. Kurse, ‘skena e prapme’ është gjithçka që s’hyn në atë të parën, çdo gjë që është në kundërshtim me pritjet e njerëzve. Kjo është arsyeja pse mësimi i Goffmanit quhet ‘teoria e menaxhimit të përshtypjeve’. Në momentin kur ‘skena e prapme’ do të bëhej e qasshme publikisht, roli i caktuar i individit to të shkatërrohej, ose do të pësonte dëmtime të rënda.

Le ta marrim teorinë e Goffmanit për t’i zbërthyer figurat politike të regjimit të padrejtë të UNMIK-ut dhe IPVQ-ve. Gati për çdo ditë dëgjojmë për skandale politike e financiare. UNMIK-u përditë na e mohon lirinë. Populli përditë e përjeton varfërinë thellë e më thellë. E politikanët e blejnë një xhip gati një qerek milion euro. Ata bëjnë udhëtime turistike personale me dhjetëra mijëra euro. Policia financiare në institucionet presidenciale gjen turli armë e valuta të dyshimta për të cilat nuk ka kurrfarë mbulese, por gjyqësia nuk ngrit procedura. ‘Skena e prapme’ e këtyre njerëzve është bërë faktikisht fytyra e tyre e vërtetë.

KFOR-i bastis paturpësisht memorialin e kryeheroit Adem Jashari. Një tjetër ushtar i KFOR-it në Ferizaj me xhipin e tij mbyt një fëmijë në trotuar. Nuk ndërmerret asgjë. Në anën tjetër një falangë e tërë administratorësh ndërkombëtarë duan t’ia imponojnë popullit kompromisin me Serbinë nëpërmjet udhëheqësve partiakë të Kosovës. Ku jeton vallë guximi kaq i pacipë i krejt kësaj padrejtësie, në ç’vend banon kjo trimëri e paskrupullt? Unë do të thoja – ajo qëndron mbi kurrizin e lodhjes së popullit, sipër molisjes së tij. Ata janë të tillë sepse po tolerohen nga shumica e popullit. Jeta e tyre është vegjetimi ynë.

Kjo ka bërë që të jemi në gjendjen më të keqe të mundshme në të cilën mund të katandiset një popull. Nuk është gjithaq e pashpresë gjendja e një populli kur ai, edhe pse nën robëri, e lufton me çfarëdo mjetesh dhe çmimi pushtimin dhe okupimin e padrejtë që i është bërë. Por e mjerë është gjendja e atij populli, që jo vetëm çlirimin e sheh të pamundshëm dhe, bile, tabu, por edhe lirinë e konsideron të panevojshme, diçka të tepërt e të dalë mode.

Prandaj Kosovës i duhet një Rilindje e madhe popullore, popullit i nevojitet një zgjim i gjithanshëm. Së paku në dy rrafshe. Në kokë na nevojitet një kod i ri i dëshifrimit të Historisë dhe të tashmes. Një aparat tjetër konceptual që thërmon iluzionet dhe shpresat e rrejshme. Një shpjegim i ri i lidhjes së ngjarjeve (1878-1912-1945-1974-1989-1999…).

Rilindja tjetër është ajo e zemrës. Është zemra ajo që sistemin e sheh të paprekshëm dhe vetëm pastaj koka është ajo që arsyeton letargjinë. Është koka ajo që mendon se pavarësia do të vijë disi vetvetiu, dhe zemra që pastaj ndalet. Na duhet një ndarje e re: je për këtë sistem, dhe i pranon rregullat e lojës të vëna nga ai, qëllimi themelor i të cilave është vetëruajtja e sistemit; apo je kundër tij, dhe e lufton atë me mjetet jashtë tij. Sepse gjithçka që mund ta ndërrosh brenda sistemit e duke përdorur mjetet e tij, më e shumta është ndryshim kozmetik. E, liria kolektive nuk është kategori kozmetike. Ajo është vetëvendosje. Ose e ke, ose s’e ke. Ne s’e kemi. Duhet ta fitojmë. Prandaj mundemi.

Kontribo