13 12 2012

Komandanti refugjat – lufton ish të burgosurit dhe burgos ish-luftëtarët

Me 12 dhjetor, pikërisht dy vite pasi mori dhunshëm drejtimin e Kosovës, Kryeministri Thaçi doli para Kuvendit për të na informuar lidhur me koncesionet dhe lëshimet e reja që ia kishte bërë Serbisë së Daçiçit. Ky Kryeministër, me 4 dhjetor u takua për herë të tretë formalisht me ish-zëdhënësin e Millosheviçit, me ç’rast pranoi marrëveshjen e IBM-së. Marrëveshje kjo, që po bën hapin e parë drejtë autonomisë së veriut dhe legalizimit të kriminalitetin dhe kontrabandën në atë pjesë të Kosovës. Duke qenë i vetëdijshëm për dëmet që po ia shkakton Kosovës çdo ditë e çdo minutë pushteti i tij, Thaçi kishte vendosur që të mbrohet duke i sulmuar deputetët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

 

Në këtë seancë ai u mundua ta manipulojë opinionin publik, duke i akuzuar Albin Kurtin dhe Liburn Aliun, për të kaluarën e tyre. Thaçi i frustruar, iu drejtua deputetit Liburn Aliu me këto fjalë: “Tregoju qytetarëve se qysh je lagur, qysh je shku në mal dhe e ke fsheh armën, dhe ju ke dorëzuar policisë së Serbisë?” Ndërsa, Albin Kurtit i tha se “ti u ke shpëtuar torturave në burg, dhe se të janë organizuar konferenca për shtyp atje, me qëllim të ngritjes tënde në politikë”. Akuza tipike SHIK-iste. Akuza që po përsëritet shumë shpesh e në shumë raste nga të njëjtit, duke dashur të thonë se të burgosurit politikë shqiptar nëpër burgjet serbe, janë të “vetëdorëzuar” dhe të mjerë. Kryeministri i sotëm i Kosovës, shpeshherë ka përbuzur të burgosurit politik, duke bërë shaka me torturat që u janë bërë atyre. “Jeni lagur..; Nuk iu mbanin këmbët..; Nuk patët mundësi ta shkrepni asnjë plumb..”, janë vetëm disa nga ofendimet e përditshme që ua bën Hashim Thaçi të burgosurve politik. Ironia më e madhe është se si nuk reagojnë disa deputetë të partisë së tij, që ose ishin të burgosur politik, ose janë familjarë të të vrarëve nëpër burgjet serbe? Pse nuk flet asnjëri prej tyre, sa herë që Thaçi luan me ta? Le ta pyet Nait Hasanin, për torturat që ka përjetuar vetë Naiti, bashkë me Albinin e Liburnin nëpër kazamatet serbe. Le t’i pyet të gjithë ish të burgosurit politik të tjerë që ka në partinë e tij, se si janë ditët nëpër burgjet serbe. Burgje këto, që u mbushën me shqiptarë nga spiunët që sot punojnë me dhe për Thaçin.

 

Liburn Aliu është arrestuar në vitin 1997, si veprimtar i LKÇK-së. Është arrestuar në Ulpianë midis Prishtinës. Gënjeshtra dhe imagjinata e tij rrjedh nga rrethanat e tij. Ai nuk e ka idenë e rrethanës urbane. Ai nuk ka pikë përvoje në atë rrethanë, prandaj imagjinata e tij lidhet me malin.  Në Ulpianë nuk ka mal. Liburni është arrestuar si shumë veprimtarë tjerë të ilegales së asaj kohe. Është arrestuar atëherë kur Hashim Thaçi nuk dukej gjëkundi. A e din Thaçi që shumë veprimtarë e themelues të UÇK-së, janë vrarë pikërisht nëpër burgjet serbe? Çfarë do të thotë ai për shumë veprimtarë, ushtarë e komandantë të UÇK-së që u vranë nëpër burgjet serbe, mos “janë vetëdorëzuar”? Ndoshta në mendjen e tij, zë vend ideja që patriotët e vërtetë në këso kohëra ikin për në Zvicër, kurse “tradhtarët” rrinë në Kosovë.

 

Kur Liburni dhe të tjerët po torturoheshin, e kur lufta në Kosovë veç kishte filluar, të gjithë e dimë se ku ishte Hashim Thaçi. Ai tha se punoi e veproi në Preshevë. Nuk tregoi që në Preshevë shkoi për të ikur nga Kosova, nëpër Miratoc e Llojan, e jo për të vepruar. Në atë kohë ka pas vërtetë nevojë që të veprohej edhe aty, por ai nuk ka qenë aty për të vepruar. Por, më shumë detaje për Thaçin e asaj kohe, na jep një intervistë e mikut të tij Ramadan Avdiu, për një revistë zvicerane, ku thotë: “Në vitin 1994, Thaçi erdhi në Zvicër, si 26 vjeçar. Ai iku nga policia serbe që në vitin 1993 ndërmori një aksion për arrestimin e lëvizjes ilegale. Shtëpia e tij u bastis dhe ai kërkohej nga policia. Për pak e shpëtuam nga ekzekutimi apo një dënim i madh me burg. Thaçi shkoi fillimisht në Austri, e nga aty në Zvicër ku bëri kërkesë për azil. Shumë shpejt u bë refugjat. Ai dërgoi një kërkesë në vitin 1995 dhe iu aprovua në vitin 1996”, thonë në Zyrën për Migracion Federal. Pas qëndrimit në një banesë kolektive në Appenzell, ai më pas u zhvendos në Dietikon”. Ai vetë iku, dezertoi. Prandaj nuk ka të drejt të flet për atë kohë. Është kulmi i mjerimit që një i tillë, komandant refugjat, të del sot e të rrah gjoks, duke na treguar neve se kush ku ka qenë e çfarë ka bërë, pa i përjetuar vetë kurrë torturat e burgut e pa e ndier kurrë erën e barutit. Nga kush mbrohen sot vlerat e luftës, nga Berat Buzhala e Petrit Selimi? Apo ndoshta nga Azem Vllasi?! Jo! Vlerat e luftës mbrohen nga të gjithë ata që punuan dhe vazhdojnë të punojnë nën betim e ushtarit të UÇK-së. Nga ata që nuk e njohin EULEX-in, rrjedhimisht nuk i njohin gjykimet e tij, përmes të cilave ky mision po mundohet që ta barazojë luftën tonë çlirimtare me gjenocidin serb.

Sot, 13 vjet pas luftës, Thaçi po i lufton ish të burgosurit e po i burgos ish-luftëtarët, vetëm e vetëm për ta zgjatur pushtetin e tij. I është afruar edhe atij dita e të qenit i burgosur, por për dallim prej të tjerëve, ky mund të burgoset veç për hajni e korrupsion. Ky mund të dënohet për punën që ka bërë kundër Republikës, për zëvendësimin e Republikës me fusnotën që përmban R-1244, e jo si të tjerët që u dënuan për punën pro Republikës dhe për vendosjen e saj. Ky edhe UÇK-në, kaherë e ka tradhtuar. UÇK-ja u betua se do të luftojë deri në bashkimin e trojeve shqiptare. Thaçi e shkeli këtë betim dhe e çarmatosi UÇK-në në Rambuje. UÇK-ja ishte krejt ndryshe. UÇK-ja nuk negocionte. UÇK-ja vetëvendosi edhe atëherë kur etiketohej si “organizatë terroriste” nga ndërkombëtarët. Prandaj, Thaçi nuk është UÇK-ja. Thaçi është turpi i UÇK-së.

 

Tash, gënjeshtra i është bërë mjet kryesor, i është bërë mburojë, si pasojë e deficitit të thellë intelektual e patriotik. Gjatë gjithë kohës tenton ta manipulojë opinionin e gjerë, duke shpifur e duke montuar storje, ashtu siç dinë t’i montojnë vetëm njerëzit si ai, si Berat Buzhala dhe si Kamishit. Por jo! Populli e di shumë mirë se kush çfarë ka bërë, kush ka punuar për çështjen kombëtare, kush ka ikur qosheve, e kush e ka tradhtuar këtë linjë.

 

Po e përmbyll me fjalën e Albinit nga seanca e 12 dhjetorit, që thotë se nuk është me rëndësi të mos dorëzohesh fizikisht, por mentalisht, intelektualisht dhe emocionalisht: “Jo vetëm në deklarimin tim para gazetarëve në burg, por edhe në gjyq, edhe Liburni në gjyq, edhe në gjyqin në UNMIK, edhe në gjyqin në EULEX, nuk e kemi dorëzuar mendjen asnjëherë. Ndërkaq, ju e keni shpëtuar veten fizikisht, keni shkuar në Zvicër, por mendjen e keni dorëzuar. Keni bërë pakt me djallin. E ne pakt me djallin nuk bëjmë kurrë!”

Kontribo