03 05 2013

Koncepti politik duhet të bëhet organizim që të jetësohet

Shumë shpesh krijohet përshtypja se organizimi është i ndarë nga koncepti politik. Fakti që ke një koncept të drejtë nuk do të thotë aspak që do të kesh edhe një organizim të mirë dhe të fuqishëm. Po ashtu organizimi i mirë dhe i fuqishëm, nëse nuk është i ndërtuar mbi parime dhe vlera, mund të jetë shumë i rrezikshëm për vetë konceptin. 

Është shumë e rëndësishme sot të diskutojmë mbi organizimin tonë. Koncepti jonë politik  është shumë i drejtë, dhe aktualisht i vetmi që ofron alternativë për zhvillimin e vendit. Por rrezikon të mbetet vetëm një koncept i mirë dhe i drejtë, thuajse utopik, nëse nuk do të pasohet edhe me një organizim të mirë dhe të fuqishëm.

Dëshiroj ta shtroj për diskutim një temë shumë të rëndësishme mbi organizimin tonë, një temë që ka të bëjë me debatin se a duhet të synojmë rritjen e anëtarësisë (zgjerimin sasior) apo forcimin e aktivistëve (thellimin cilësor). Është një diskutim shumë i vjetër mbi debatin se ku duhet të fokusohet një organizatë, në rritjen e saj sasiore apo atë cilësore. Ajo që unë po e theksoj këtu si anëtarësi cilësore nuk ka të bëjë me shkollimin formal të anëtarit, por me atë se sa një anëtar e ka kuptuar, përvetësuar konceptin dhe programin dhe sa  është në gjendje ta riprodhojë atë . Ky diskutim i vjetër mendoj që është shumë aktual edhe sot dhe sidomos për organizimin tonë. Në organizimin tonë këtë dallim formalisht e bëjmë përmes ndarjes së anëtarëve dhe aktivistëve. Tash e tutje këtij dallimi do t’i referohemi me këto dy etiketa, pra anëtarë dhe aktivistë.

Sot Lëvizja VETËVENDOSJE! ka mbi 15 mijë anëtarë të pajisur me karta anëtarësie. Për mendim tim ne jemi sot një organizatë me shumë anëtarë, por me pak aktivistë, pasi pjesa më e madhe anëtarësisë tonë nuk e ka kuptuar dhe as nuk e ka përvetësuar sa duhet konceptin dhe programin tonë e aq më pak kemi anëtarë që janë në gjendje ta riprodhojnë atë. E them ketë sepse shumica e theksuar e anëtarëve tanë e kanë pranuar programin tonë vetëm formalisht. Pranimi vetëm formal i programit tonë nga qytetari, pa e kuptuar dhe përvetësuar atë, jam i bindur se nuk do të kontribuojë në ndërtimin e një organizate të fuqishme dhe mbi të gjitha një organizate që ka frymë bashkësie dhe e cila bazohet në parime dhe vlera. Krejt çka ndodh në këtë rast është se qytetari i bërë tash anëtar indetifikohet formalisht me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, por e ka të pamundur që të ndihmojë për ta shtrirë organizatën në vendin ku banon dhe punon. 

Pra anëtari nuk është aspak në gjendje të shtrijë konceptin tonë të qytetarët me të cilët jeton dhe punon. Kurse aktivisti është ai që e ka kuptuar dhe përvetësuar konceptin dhe programin dhe është në gjendje ta riprodhojë atë. Aktivisti për një kohë shumë të shkurtër mbërrin ta shtrijë organizimin dhe konceptin tonë në vendin ku banon dhe ku punon, sigurisht që ai do ta shtrijë  konceptin tonë edhe të anëtaret e rinj që do të anëtarësojë. Kështu do të kemi një zgjerim jo vetëm formal e sasior të organizimit por mbi të gjitha ky zgjerim do të jetë konceptual dhe i qëndrueshëm.

Shumë lehtë mund të krijohet përshtypja që faji qenka tek vetëpërcaktimi i qytetarit për të qenë anëtar, e jo aktivist, e kështu mund të duket se struktura jonë po përpiqet ta hedhë fajin diku jashtë vetes. Por thirrja që unë po bëj në këtë moment është që ne si Lëvizje në të gjitha nivelet organizative të kemi një qasje që nuk synon thjesht rritjen e anëtarëve, por në radhë të parë synon shndërrimin e anëtarëve në aktivistë, dhe çdo angazhim i ri në lëvizje të këtë synimin aktivistin. 

Një organizim i tillë është i domosdoshëm për lëvizje që synojnë transformime socio-politike në një vend. Jam shumë i bindur që Kosova ka nevojë për një transformim të tillë.

Regjimi gjithnjë i përdor si mjete policinë, mediat e kontrolluara, paranë publike dhe grupet mafioze për ta mbajtur pushtetin. Ndërsa rezistenca e ka vullnetin dhe konceptin e drejtë politik si mjetë për tu ballafaquar më të. Prandaj pushtetin mundemi ta mundim vetëm me aktivistë të cilët e kanë përvetësuar konceptin dhe programin. Koncepti dhe programi pa organizim të fuqishëm rrezikon me mbet vetëm një ide e mirë në letër. Një organizim i papërshtatshëm rrezikon ose ta pamundësojë realizimin e konceptit ose ta stërkeqë atë. 

Kontribo