18 03 2013

Korporata e Hashim Thaçit e sheh Shtetin si treg që duhet zaptuar nga pushteti

Hashim Thaçi dhe klika e tij në PDK e trajton shtetin si treg, ndërsa pushtetin si Korporatë private, fuqia e së cilës rritet vetëm duke zaptuar sa më shumë shtetin pra, duke kapur ato pak institucione që kanë mbetur jashtë kontrollit të Korporatës ku e ka shpallur veten aksionarin kryesor.

Ajo çfarë po quhet Qeveria në  Republikën e Kosovës që nga mandati i parë i Hashim Thaçi e deri më sot i ka trajtuar institucionet e pavarura të vendit si pengesë në realizimin e një qëllimi e ai është kapja e plotë dhe e pakompromis e shtetit.  Ky qëllim tanimë po shpaloset haptazi tanimë dhe për publikun, duke filluar nga emërimi i Blerim Rexhës në krye të Bordit të AKP-së, proponent tërësisht partiak i PDK-së rrjedhimisht i Qeverisë, deri te votimi i cili do të tentojë të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës për Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës e për të cilin post garon Bedri Hamza, ish Ministri i Financave deri para pak javësh në Qeveritë e Hashim Thaçit dhe në partinë e tij.

Për ata që merren me biznes dhe ekonomi është e qartë se një biznes duhet të rrisë pjesëmarrjen në treg në mënyrë që të siguroj fitim më të madh, fitim i cili i siguron rritjen e vazhdueshme.  Duket se Hashim Thaçi dhe shokët e tij e kanë përvetësuar këtë logjikë mjaft mirë, por të kthyer me kokë poshtë. Këta nuk i ndihmojnë sektorit privat të Kosovës, përkundrazi, këta këtë logjikë e përdorin për vete e për pushtetin e tyre.

Hashim Thaçi dhe klika e tij në PDK e trajton shtetin si treg, ndërsa pushtetin si Korporatë private, fuqia e së cilës rritet vetëm duke zaptuar sa më shumë shtetin pra, duke kapur ato pak institucione që kanë mbetur jashtë kontrollit të Korporatës ku e ka shpallur veten aksionarin kryesor.

Në radhën e veprimeve të kësaj logjike është kapja e Bankës Qendrore të Kosovës. Ky veprim i mundëson zgjerimin e kontrollit të tij edhe në industrinë financiare gjë që i ka munguar deri më tash në portofolion e tij zaptuese, ani pse Hashim Thaçi këtë institucion tenton ta kap duke futur një figurë komplet partiake në pozitën e Guvernatorit.  

Mjeti i tij për të zaptuar dhe futur në kontroll edhe këtë treg quhet Bedri Hamza derisa mënyra e përzgjedhur është emërimi i tij si Guvernator i BQK-së.  Pra, BQK sikurse edhe AKP tanimë bëhen institucione të cilat janë në funksion të pushtetit, zaptuesve e uzurpatoreve të shtetit.

Banka Qendrore e një vendi duhet të jetë e pavarur nga çfarëdo presioni, këshillimi apo edhe ndikimi nga qeveria apo cilido organ tjetër në vendimmarrjen e saj. Rrjedhimisht,  çdo lloj ndikimi shkel mbi pavarësinë e këtij institucioni. Dhe ndikimi me përzgjedhjen e Bedri Hamzës nuk do jetë i natyrës këshilluese por vendimmarrëse, sepse ky Guvernator do i përgjigjet çdo kërkese të Kryeministrit.

Po çfarë nënkupton praktikisht kontrolli për të cilin flasim?

Le të radhisim disa momente që lidhen me kompetencat e Bankës Qendrore kur vjen fjala tek Ligji Për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare. Banka Qendrore, ka ekskluzivitetin e miratimit paraprak me shkrim të hapjes, të mbylljes, zhvendosjes së një dege apo zyre të bankave të tjera në Kosovë. Po ashtu, Kryeshefi ekzekutiv dhe zëvendëskryeshefi ekzekutiv i një banke, s’mund të emërohen pa miratimin paraprak të BQK-së. E nëse, BQK-ja refuzon kërkesën për miratimin e një individi sipas kritereve të përcaktuara me ligj, banka s’mund të parashtrojë një kërkesë tjetër për emërimin e atij individi për të njëjtën pozitë deri në eliminimin e shkaqeve të përmendura në vendimin e BQK-së. Po ashtu, asnjë person s’mund të bëhet drejtor ose menaxher i lartë i një banke pa marrjen e miratimit paraprak të BQK-së. Si dhe pas pranimit të miratimit paraprak nga BQK-ja të kërkesës për licencë që të operoj me një ose disa degë në Kosovës, banka e huaj duhet ta njoftojë BQK-në për çdo zëvendësim të drejtorëve dhe menaxherëve të bankës së huaj.

Siç duket qartë, nëse autoritetet drejtuese të Bankës Qendrore nuk janë në nivel të lartë profesional, me integritet dhe këmbëngulës në zbatim të ligjit e rregullatorëve, Kosova rrezikon funksionimin e krejt sistemit.

Po cili personazh po na afrohet për këtë detyrë tejet delikate dhe vendimtare për sistemin financiar? Ish Ministrin i Financave i emëruar në shkurt 2011, i cili vendosi në Ligjin për buxhetin e shtetit, në mënyrë të paligjshme, të hyrat nga shitja e presupozuar e PTK-së. Ose, ish zëvendësministrin, ose dorën e djathtë të Ahmet Shalës, simbiozën e privatizimeve të kompromentuara, ose nënkryetarin e degës së PDK-së në Mitrovicë, ose ish drejtor i shërbimeve publike në Komunë dhe kontabilist në Metalurgjinë e Plumbit në Trepçë.

Personi në fjalë nuk ka asnjë lidhje me sistemin bankar e financiar, as me njohuritë në këtë fushë. Personi në fjalë ka vetëm një lidhje, e kjo kontrolli që ka planifikuar Hashim Thaçi për sistemin ku qarkullojnë paratë, kursimet e fitimet e qytetarëve dhe sipërmarrësve të Kosovës.

Kontribo