LDK me kërcënime e parregullësi edhe në zgjedhjet për Bashkësi Lokale në Prishtinë
LDK me kërcënime e parregullësi edhe në zgjedhjet për Bashkësi Lokale në Prishtinë
Tash e disa ditë në lagjet dhe fshatrat e Prishtinës po zhvillohet procesi i zgjedhjeve për Këshillat e Bashkësive Lokale.
Partia politike që është në pushtet në Komunën e Prishtinës, Lidhja Demokratike e Kosovës, po i mbush sallat me përkrahës e militantë partiak nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit e pa qenë banorë të lagjeve respektive ku mbahen zgjedhjet.
Këtë proces zgjedhor të parregullt e me shumë shkelje po e dëmtojnë pafundësisht me praninë e tyre dhe presionin e vazhdueshëm në çdo tubim zyrtarë të LDK-së dhe anëtarë të ekzekutivit të Prishtinës.
Me 8 maj ishte, sipas planit të miratuar nga Komisioni Komunal, data kur do të duhej të mbahej procesi në lagjen Arbëria. Përkundër pranisë së madhe të qytetarëve, zgjedhjet nuk u mbajtën sepse mungonin përkrahësit e LDK-së dhe kishte rrezik të humbiste kandidati i tyre. Për këtë vendim skandaloz të Komisionit e kemi njoftuar edhe Kryetarin Rama dhe kemi kërkuar evitimin e parregullsive.
Megjithatë, problemet vazhduan. Dje edhe në lagjen Taslixhe pati edhe intervenim nga ana e Policisë që shoqëroi në stacion policor Ukshin Rafunën, – babain e Shefes së Grupit të Asamblistëve të LDK-së, që njëherit punon si inspektor në Komunës së Prishtinës. Z. Rafuna po kërcënonte dhe ofendonte në vazhdimësi banorët e lagjes Tasligje që po kërkonin proces të drejtë dhe transparent. Ndërkohë, përballë shkollës ku po mbahej tubimi zgjedhor, në njërin nga lokalet aty, procesin e vëzhgonte dhe e orkestronte shefi i z. Rafuna, Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, z. Florian Dushi.
Pas pakënaqësisë së një pjesë të banorëve të lagjes për praninë e militantëve të LDK-së, e që shumë nga ta nuk ishin banorë të asaj lagje dhe rrjedhimisht nuk kishin të drejtë vote, një ndër ta i pranishëm edhe Berat Rukiqi, dhe pas refuzimit për të dalur nga salla të atyre që nuk ishin pjesë e kësaj lagje, përfaqësuesi ynë në Komisionin Komunal, asamblisti Feim Osmani, vendosi të largohet nga mbledhja e komisionit për shkak të devijimit të procesit dhe parregullsive të shfaqura. Gjithashtu një pjesë e madhe e banorëve të lagjes, gati gjysma e të pranishmëve e kanë lëshuar sallën dhe nuk kanë marrë pjesë fare në proces.
Organizimi i procesit zgjedhor për Bashkësitë Lokale është përgjegjësi e Komunës. Me këtë trysni e presion të LDK-së, me këtë militantizëm e agresivitet të shfaqur, dhe me këtë organizim të dobët të procesit, ekziston rrezik i madh për eskalim të situatës në tubime të tilla dhe pasojat mund të janë të paparashikueshme.
Është e papranueshme që kulturën e kuvendeve zgjedhore të brendshme, LDK-ja, të e sjellë edhe në mbledhjet për Këshillat e Bashkësive Lokale.
I bëjmë thirrje Komunës së Prishtinës, Kryetarit Përparim Rama si autoriteti më i lartë në komunë, të marrë masat e duhura dhe të nevojshme për mbarëvajtje të procesit.
Për të gjitha parregullsitë që ndodhin, për çdo tensionim të gjendjes, adresa e vetme e përgjegjësisë është Komuna e Prishtinës dhe kryetari Rama. Apelojmë të veprohet sa nuk është bërë vonë.
Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra Prishtinë.