22 06 2012

Letër zëdhënësit të vetëshpallur të Partisë së Xhabirave, Berat Buzhalës

Para disa ditësh, zëdhënësi i vetëshpallur i Partisë së Xhabirave, Berat Buzhala, në një nga shkrimet e tij flet me entuziazëm shumë të madh për suksesin e partisë në Ferizaj dhe Kaçanik. Ndër të tjera ai sulmon me të madhe analistët dhe disa media të cilët nuk po shkruajnë dhe nuk po i japin hapësirë mediatike kësaj fitoreje. Me vjen mirë që “zëdhënësi” e ka kuptuar se PDK tani e tutje është Partia e Xhabirave. Sikurse  shefi i tij, Kryeministri Thaçi, ashtu edhe vet ky nuk kërkuan falje për të bëmat që i ka shkaktuar Xhabir Zharku. Për më keq ata e falenderuan për punën e mirë që ka bërë.

Berati thotë se faji është personal. Unë do të isha pajtuar me të, sikur Kryeministri Thaçi dhe ai ta merrnin përgjegjësinë dhe t’i kërkonit falje qytetareve për dëmet e Xhabirit.

Xhabir Zharku ka qenë kryetar i PDK-së dega Kaçanik, është propozuar kandidat për kryetar të Kaçanikut nga PDK dhe kjo tregon se ky i fundit nuk na piku nga qielli por u propozua nga PDK-ja. Fakti që Kryeministri Thaçi, Berat Buzhala dhe as PDK-ja nuk u distancuan nga veprimet e Xhabir Zharkut, por i përkrahën ato, e vërteton atë që PDK tash e tutje mbetet parti e Xhabirave dhe tregon se faji edhe nëse është personal i Xhabir Zharkut përgjegjësia është partiake.

Se, PDK është parti e Xhabirave dëshmohet edhe nga fakte të tjera si p.sh: Në kabinetin Qeveritar të Kosovës janë tetë zyrtarë nën hetime për krime të ndryshme, duke filluar nga vet Kryeministri Thaçi e duke vazhduar me zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra. Po ashtu, edhe 5 kryetarë të komunave janë nën hetime të cilët që të gjithë janë nga PDK.

Le të flasim tash për sukseset e Partisë së Xhabirave.

Berati flet në shkrimet e tij vetëm për suksesin e partisë së tij dhe dështimet e të tjerëve. Partia e Xhabirave kanë harruar të flasin për të drejtën dhe të padrejtën, për të mirën dhe për të keqen, për zhvillimin dhe varfërinë, për punësimin dhe papunësinë,  etj. Pajtohem publikisht se Partia e Xhabirave ishte e suksesshme në Ferizaj dhe Kaçanik. Besoj që të gjithë pajtohemi se Hitleri dhe Fashizmi për një kohë ishin shumë të suksesshëm në pushtimin e shteteve dhe vrasjen e miliona njerëzve. Suksesi që nuk e ka përbrenda të drejtën, të mirën e përbashkët, zhvillimin, punësimin dhe mirëqenien e qytetarit është sukses por është i njëjtë me suksesin e Fashizmit.

Po le ta shohim se çfarë suksesi është ky i Partisë së Xhabirave.

Sot Kosova sipas raporteve ndërkombëtare është renditur vendi i 9 për nga varfëria. Kosova ka papunësinë mbi 45%,  pushteti juaj vetëm sa e ka rritur këtë. Sot Kosova është ngjitur edhe më lartë në listën e vendeve me korrupsion duke ju falenderuar suksesit të pushtetit të tyre. Gjatë qeverisjes së Partisë së Xhabirave kanë ndodhur dy vjedhje në dy vendet më të sigurta të shtetit, e kam fjalën për dy dhomat e dëshmive në Pejë dhe Prishtinë në Policinë e Kosovës dhe kështu mundemi të vazhdojmë e t’i numërojmë sukseset e Partisë së Xhabirave pambarimisht. Rezultati i këtij pushteti është se në Partinë e Xhabirave, e besa edhe në LDK e AAK kemi politikan që janë pasuruar shumë suksesshëm, njëjtë sikurse edhe këta, përballë një populli gjithnjë e më të varfër.

Berati është një nga ata që besojnë që qëllimi arsyeton mjetet. Pra, qëllimi i Partisë së Xhabirave ishte suksesi në Kaçanik dhe Ferizaj, duke u nisur nga ajo që beson Berati dhe partia e tij që duhet të përdorim çdo mjet për ta arritur qëllimin, edhe e bën një gjë të tillë në Ferizaj dhe Kaçanik.

Fitorja e Partisë së Xhabirave në Ferizaj dhe Kaçanik është fitore e mundësuar nga përdorimi i mjeteve e jo fitore e programit për qytetarët. Sa, për sqarim të qytetarëve dhe ndoshta edhe të Beratit,  Partia e Xhabirave nuk ka pasur fare program të shkruar dhe as të publikuar as për Ferizajn dhe as për Kaçanikun.

Tri janë mjete kryesore që i ka përdorë kjo parti në këto zgjedhje: mashtrimin, vjedhjen dhe shantazhimin.

Duke qenë në qeveri kjo parti i ka mashtruar qytetarët se do të ketë investime të mëdha nëse fiton prapë Xhabiri i ri, se do të ketë nga një të punësuar për çdo familje të madhe që voton për Partinë e Xhabirave, etj.

E ka vjedhur buxhetin e qeverisë dhe të komunës për ta vjedhur votën e qytetarëve. Janë shtruar dreka e darka për punëtorët e arsimit, shëndetësisë, për veteranët e luftës dhe shumë kategori të tjera dhe të gjitha këto shpenzime janë bërë më parat e buxhetit komunal, këtë do ta vërtetojmë kur t’i kemi raportet e fushatave zgjedhore nga partitë politike. Po ashtu, komplet kabineti qeveritar që është nga Partia e Xhabirave i ka keqpërdorur automjetet zyrtare për të bërë fushatë.

Partia e Xhabirave i ka shantazhuar qytetarët, e më së shumti i ka shantazhuar vet Kryeministri Thaçi i cili në çdo deklarim publik dhe jo publik ka thënë se kandidatët e partisë së tij e kanë përkrahjen e Qeverisë për çdo projekt, duke dashur të dërgojë porosi që kandidatët tjerë nuk e kanë një gjë të tillë thuajse buxheti i shtetit është i tij e jo i qytetarëve. Madje, në një nga mediat lokale në Ferizaj ai kishte deklaruar se kandidatët nga subjektet tjera nuk e kanë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për asnjë projekt.

Ky është suksesi i Partisë së Xhabirave për të cilin flet me të madhe zëdhënësi i saj Berat Buzhala.

Kam një porosi për Beratin dhe për Partinë e Xhabirave: historia e zhvillimeve politike dhe shoqërore na ka mësuar se suksese të tilla janë ndëshkuar gjithmonë nga shoqëria. Nuk ka asnjë dyshim që ky do të jetë edhe fati i juaj.

Suksese në rrugën pa kthim të ndëshkimit shoqëror.

Kontribo