08 11 2020

Lëvizja VETËVENDOSJE! uron popullin amerikan për zgjedhjen e presidentit të ri, Joe Biden

Lëvizja VETËVENDOSJE!, si subjekti më i madh politik në Kosovë, e uron popullin amerikan për zgjedhjen e presidentit të ri, Joe Biden, dhe zv. presidentes, Kamala Harris. Qysh gjatë fushatës ne e kemi dhënë mesazhin tonë mbështetës për z. Biden, sepse e kemi dëshiruar vërtet fitoren e tij. Joe Biden është një politikan me përvojë të angazhimit në Ballkan, ku vazhdimisht ka mbajtur qëndrime të drejta në raport me agresionet e agresorët, por edhe në ndihmë të viktimave e të lirisë së tyre. Si mik i dëshmuar i shqiptarëve, ne besojmë se ardhja e tij në detyrë është arsye për shpresë për kombin tonë, nëse ne shqiptarët punojmë siç duhet e ndershmërisht, e nëse i largojmë prej qeverive të korruptuarit e të gjitha ngjyrave.

Presidenti i ri, Biden, pritet të jetë një përforcues i aleancave e jo një dobësues i tyre. Ai është një politikan që e njeh mirë kontekstin e fuqive, para dhe pas Luftës së Ftohtë, për pasojë besojmë se do të jetë fuqizues i NATO-s e do të ndihmojë për vendosjen e kufijve ndaj ndikimit të fuqive si Rusia e Kina në rajonin tonë. Prirja programore e Partisë Demokratike të ShBA, për politika sociale, gjithëpërfshirje, luftim kundër diskriminimit dhe rritje të mirëqenies, përputhet me kahjen e përpjekjen e politikave tona, prandaj përkrahja për ta ka qenë e natyrshme. Zhvillimi i përgjegjshëm ekonomik, duke ruajtur e shëruar natyrën, duke përparuar njerëzoren e duke mos e cënuar assesi lirinë, këto janë çështje për të cilat mezi presim të bashkëpunojmë.

Ndryshimi në ShBA duhet të reflektohet edhe me ndryshim në Kosovë, ku tash disa muaj kemi një qeveri të paaftë dhe jolegjitime. Kjo qeveri u ndërtua me detyrën e vetme: dobësimin ndërkombëtar të Kosovës, dhe servilizmin ndaj emisarit të presidentit Trump, Richard Grenell, i cili pati si synim zhbërjen e trashëgimisë demokratizuese e lirisjellëse të presidentëve Clinton e Bush në Ballkan. Fatkeqësisht, përpjekje të tilla destabilizuese gjetën mbështetje edhe te disa shqiptarë, të gatshëm të shkojnë kundër historisë sonë, vetëm për pushtet. Kosova ka nevojë urgjentisht për zgjedhje të reja dhe qeveri e institucione legjitime, të cilat do të kenë mundësinë të zhvillojnë raporte të drejta me fqinjët, e të thellojnë aleancën me ShBA e me presidentin e ri z. Biden.

Kontribo