06 12 2013

Lista Serbe e Daçiqit

Që prej vitit 1999 Kosovën dhe funksionalitetin e saj e ka mbajtur peng projekti i Serbisë për kontrollimin e serbëve dhe të territoreve ku ata jetojnë. Serbia gjithnjë e ka shfrytëzuar popullatën serbe brenda Kosovës si instrument për ta realizuar programin e saj shtetëror hegjemonist në funksion të pushtimit të Kosovës, dëbimit, represionit, kolonizimit dhe gjenocidit.

Ashtu siç proklamohej rregullisht, strategjia e qeverive tona dhe faktorëve ndërkombëtarë ndaj këtij problemi pretendonte të kishte për qëllim shkëputjen e ndikimit të fuqishëm të Beogradit te serbët e Kosovës përmes mbështetjes së partive serbe në Kosovë të cilat e pranonin rendin institucional dhe Kushtetutën e shtetit tonë. Dhe kështu dalëngadalë t’i lidhnin serbët e Kosovës gjithnjë e më shumë me projektin e shtetndërtimit multi-etnik të Kosovës.

Pikërisht për shkak të kësaj strategjie u fuqizuan vazhdimisht partitë të cilat i pranonin ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës, siç është Partia Liberale Serbe, ndonëse dihet fare mirë se ata refuzuan ta nënshkruajnë deklaratën e pavarësisë si dhe nuk qenë të pranishëm në shpalljen e saj. Kjo gjë megjithatë tregon se lidhja e tyre politike me projektin e Serbisë mbetet e pranishme.

Por në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën tash së fundi duhet të thuhet që projekti i integrimit të serbëve të Kosovës dështoi në mënyrën më të keqe të mundshme. Lista Serbe e krijuar nga Ivica Daçiqi e mori pushtetin në 9 komuna të Kosovës, duke u bërë kështu e barabartë me LDK-në e cila do të qeverisë me po aq komuna dhe afër PDK-së e cila qeveris me 10 komuna. Dhe kështu, një parti serbe të cilën e përkrahte e gjithë bashkësia ndërkombëtare mbeti minore dhe pothuajse e papërfillshme, kurse Lista e Daçiqit vjen e bëhet pushteti absolut politik në mesin serbëve të Kosovës. Ky është një dështim i përmasave drastike për Qeverinë e Kosovës, Misionin e BE-së dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë.

Kryetarët e zgjedhur të këtyre komunave të gjithë janë bërë bashkë dhe njëzëri kanë deklaruar se qëllimi i tyre është ta luftojnë dhe të mos e pranojnë shtetin dhe pavarësinë e Kosovës.
Ata po ashtu kanë bërë të ditur se do të veprojnë brenda Kosovës ashtu siç i udhëzon politika e Beogradit.

Kjo do të thotë se deri dje, Qeveria dhe shteti nuk e njihnin pushtetin ilegal të strukturave të Serbisë nëpër komunat e veriut. Tash Qeveria dhe shteti po e njeh pushtetin e tyre, kurse ai pushtet lokal po vazhdon të mos e njohë Republikën e Kosovës. Ky është një shërbim i jashtëzakonshëm që i është bërë Serbisë duke ia lejuar krijimin e një subjekti politik drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë dhe programi i të cilës parasheh kthimin e Serbisë në Kosovë.

Të gjithë e dimë kush ia bëri Serbisë këtë shërbim pikërisht siç e kërkoi ajo vetë. Ky është kryeministri Thaçi i cili u pajtua me Daçiqin në Bruksel për krijimin e Listës Serbe. Ai duhet të mbahet përgjegjës për këto politika të gabueshme të cilat po e çojnë Kosovën kah dezintegrimi gjithnjë e më i madh.

Pas mbajtjes së raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 3 nëntor, strukturat e Serbisë i shkatërruan zgjedhjet në Mitrovicën e veriut ku më vota po udhëhiqte një shqiptar.
Daçiqi doli e tha se nëse në veri zgjidhet një shqiptar, atëherë do të ketë konflikte të armatosura e të dhunshme. Ai faktikisht na kërcënoi me luftë nëse nuk bëhet siç do Serbia. Qeveria nuk reagoi fare. Tash u mbajtën zgjedhjet tjera dhe atje fitoi njeriu i Daçiqit. Nesër Thaçi vazhdon të takohet me Daçiqin drejt kompromiseve të radhës.

Politikat e Qeverisë aktuale po e çojnë Kosovës drejt ndarjes së vazhdueshme. Komunat e fituara nga Daçiqi do të lidhen bashkë në Asociacionin e Komunave Serbe. Ky asociacion do të marrë premisa të një qeverie serbe brenda Kosovës e cila përkujdeset dhe merr vendime për territoret e banuara me serbë. Dhe nuk kemi kurrfarë dyshimi që ata do të punojnë për Serbinë dhe jo për Republikën e Kosovës. Qeveria duhet të jap llogari dhe përgjegjësi për këto procese. Por, shpresa do të mund të lindte vetëm pas rënies së kësaj Qeverie.

Kontribo