18 02 2013

Manastiri i Deçanit

Në muajt e fundit një çështje që është bërë mjaft aktuale në medie është rasti i pronave të  ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan,  të cilat i janë bartur në pronësi Manastirit të Deçanit  në kohën e regjimit të Milosheviçit. Ky transferim është legjitimuar së fundi edhe nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, gjegjësisht në nëntor të vitit 2012. Kjo çështje u bë aktuale dhe mjaft e diskutuar për shkak të organizimeve që po ndodhin në Deçan nga Këshilli Organizativ i udhëhequr nga shoqëria civile dhe i mbështetur nga të gjitha partitë politike në Deçan. Në fakt, kjo çështje sa është aktuale është edhe shumë e vjetër. Sigurisht që ky problem nuk fillon vetëm nga nëntori i vitit 2012 dhe problemi nuk është vetëm me pronat në fjalë. Historiku i këtij problem të paktën fillon nga viti 2005 me vendimin e ish shefit të UNMIK-ut Søren Jessen-Petersen mbi zonën e veçantë rreth Manastirit të Deçanit. Vendim i cili në atë kohë kishte mbështetjen edhe nga Kuvendi Komunal në Deçan që udhëhiqej nga AAK-ja. Ky vendim përfshinte një sipërfaqe prej rreth 1000 hektar, ku rreth 80% janë pronë private dhe 20% pronë shoqërore. Në këtë zonë të veçantë janë edhe ndërmarrjet kryesore që ka komuna e Deçanit, në mesin e tyre janë edhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”. Ky vendim mbi zonën e veçantë rreth Manastirit të Deçanit është vazhduar çdo gjashtë muaj nga shefi i  UNMIK-ut, deri sa çështja e manastireve dhe kishave ortodokse u bë temë në negociatat e Vjenës. Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga fillimi i negociatave të Vjenës kishte ndërmarrë një fushatë për të kundërshtuar krijimin e zonave të veçanta rreth kishave dhe manastireve ortodokse dhe sidomos përvetësimin që po pretendonte Serbia mbi trashëgiminë ortodokse në Kosovë. Me 13 dhe 14 prill të vitit 2006 Lëvizja VETËVENDOSJE! kishte organizuar bllokimin e hyrjes së objektit të Kuvendit Komunal ku ndodhej edhe zyra e administratorit të UNMIK-ut për Deçan. Për dy ditë rresht ka vazhduar bllokimi i cili kishte për qëllim kundërshtimin e vazhdimit edhe për gjashtë muajt e ardhshëm të zonës së veçantë rreth Manastirit të Deçanit. Ky bllokim nuk ishte përkrahur nga subjektet politike në Deçan, e sidomos nga partia në pushtet. Rezultati i negociatave të Vjenës sa i përket çështjes së kishave dhe manastireve ortodokse ishte i dëmshëm dhe shumë i rrezikshëm për Kosovën, sepse në këto negociata u vendos të krijohen 45 zona të veçanta për rreth kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë, dhe që e tërë trashëgimia ortodokse në Kosovë të njihet si serbe. Pasojat e këtyre koncesioneve të Vjenës po i vuajnë qytetarët e Kosovës çdo ditë.

Disa muaj para se të bëhej aktuale çështja e pronave të këtyre ndërmarrjeve vet Kuvendi Komunal dhe kryetari Rasim Selmonaj pranuan që t’i ndërrohet lokacioni fabrikës së përpunimit të mjaltës “Apiko” duke e zhvendosur jashtë pronës së ndërmarrjes dhe jashtë zonës së veçantë rreth Manastirit të Deçanit, për të mos folur se si pa u bërë asnjë vit edhe ndërtesës së re i ra çatia nga bora. Ky vendim i organeve komunale të Deçanit ishte shumë i rrezikshëm dhe i parapriu edhe vendimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.  

Është diskutuar shumë shpesh se problemi në fjalë është fetar dhe jo rrallë herë edhe si problem etnik ose edhe të dyja njëkohësisht. Kjo qasje në përgjithësi është ndjekur në radhë të parë nga Serbia dhe përfaqësuesit fetar serb dhe shumë shpesh edhe nga disa zyrtarë ndërkombëtarë. Jam shumë i bindur se kjo çështje është krejtësisht politike, së fundi e shprehur edhe në platformën e Serbisë lidhur me negociatat që po ndodhin aktualisht në Bruksel ndërmjet kryeministrit Thaçi e atij të Serbisë Daçiç.

Serbia në këtë dokument lidhur më kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë ka kërkuar që kisha ortodokse në Kosovë të ketë statusin e saj sikurse që e ka kisha katolike në Vatikan, pra i bie që edhe kisha ortodokse në Kosovë të jetë si shtet brenda shtetit të Kosovës. Madje përfaqësuesit fetar të kishës ortodokse nuk janë mjaftuar më kaq, por kanë kërkuar nga Parlamenti i Serbisë që ta ndërroj platformën në pjesët ku filet për kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë. Kërkesa e fundit e tyre është që bashkësia ndërkombëtare të garantoj pronën e kishës ortodokse në Kosovë. Shumë kush mund të pyes se çfarë prone po kërkohet të mbrohet? Besoj që është e njohur për shumë nga ne që gjatë regjimit të Milosheviçit është luajtur shumë me ndërrimin e titullarit të pronës në Kosovë, siç është edhe rasti ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan. Po ashtu, kisha ortodokse mund të ketë shumë dokumente të periudhave të ndryshme mbi shumë prona në Kosovë, qofshin ato private apo shoqërore.

Sigurisht që ne nuk jemi pajtuar asnjëherë dhe nuk do të pajtohemi kurrë me një qasje të tillë të Serbisë dhe kujtdo tjetër lidhur me trashëgiminë ortodokse në Kosovë. Në radhë të parë jemi kundër që trashëgimia ortodokse në Kosovë  të njihet si serbe sepse mendojmë që e gjithë trashëgimia në Kosovë edhe ortodokse i takon popullit të Kosovës. Jemi kundër që kishat dhe manastiret të kenë qindra dhe mija hektar tokë dhe aq më pak të ketë edhe zona të veçanta me mija hektar pronë private dhe shoqërore. Sigurisht që jemi dakord që kishat dhe manastiret të kenë aq pronë sa ju duhet për të jetuar dhe punuar për personat që jetojnë në këto kisha dhe manastire.

Prandaj edhe protestat që kanë ndodhur në Deçan dhe ato që do të ndodhin në të ardhmen nuk janë kundër një feje, por janë kundër planeve të Serbisë që nëpërmjet kishave dhe manastireve ta pengojnë ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.

Kontribo