05 04 2010

Marrëveshja e fshehtë

Këto ditë në gjithë Kosovën ka filluar trajnimi i mësimdhënësve për aftësi kompjuterike, i planifikuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Tenderin për këtë punë e paska marrë Universiteti Amerikan i Kosovës (AUK), i cili, për të mbuluar të gjithë vendin, më pas, e ka nënkontraktuar me kompani tjera që merren me këso punë. Siç merret vesh nga arsimtarët e një shkolle të mesme në Kaçanik, të cilët veç kanë filluar vijimin e këtij kursi në Ferizaj, me rastin e regjistrimit të tyre, personeli përgjegjës i AUK-së, i cili edhe po e administron tërë këtë proces, u paska bërë një vërejtje tepër interesante arsimtarëve-kandidat. Ata janë kujdesur t’i “mësojnë” arsimtarët tanë se si duhet ta plotësojnë formularin (ECDL Skills Card), ku në fushën Nationality, u është thënë se duhet patjetër të shkruhet emri “Kosovar”! “Kjo bëhet si pas një ‘marrëveshje’ me Ministrinë e Arsimit, prandaj ju nuk duhet të gaboni sikundër kanë gabuar disa kolegë tuaj, të cilët kanë shkruar gabimisht emrin ‘Shqiptar’ në këtë fushë” – u është thënë më tej kandidatëve! Për tu bindur edhe vetë, jo mbi këtë lloj marrëveshje të fshehtë por mbi efektet e saj, pata rastin të shoh një nga formularët e plotësuar në këtë mënyrë.

Por, në vend se të përfundonte këtu ky skandal i qarqeve të huaja në të cilin po merr pjesë edhe Qeveria e Kosovës, e keqja ndërkaq fillon pikërisht këtu: të gjithë arsimtarët nga shkolla e referuar, të cilët ndjekin këtë kurs, e nënshkruan vetë këtë dokument, me të cilin ata vetveten e quajtën, jo ashtu siç janë dhe ndjehen në të vërtetë, por ashtu siç të tjerët u thanë se duhet të jenë!

Kosovarizimi i arsimtarëve

Aspak nuk mund të befasohem nga përpjekja e këtij institucioni amerikan për shkombëtarizimin e një pjese të shqiptarëve në Ballkan, e as nga marrëveshja e fshehtë që ky institucion arsimor paska bërë me ministrinë në fjalë, ngase që të dy këta, herët e kanë treguar synimin e tyre për tjetërsimin kombëtar të shqiptarëve, por mua ndërkaq më habitë tepër shumë dëgjueshmëria dhe nënshtrimi i arsimtarëve tanë, të cilët veten e quajnë profesorë, e që pranuan një fyerje të tillë! E dihet se të jesh mësimdhënës domethënë të kesh për profesion një detyrë të shenjtë. Të pakta janë punët si kjo e mësuesit. Ai ka për detyrë t’i mësoj dhe edukoj brezat e ri, domethënë, Ai ka detyrë-mision të edukoj ardhmërinë e vendit të vet. Gjatë sundimit të egër të Serbisë së Millosheviçit mbi Kosovë, arsimtarët bënë që arsimi të mbetet fortesa e fundit ku Serbia nuk arriti të shkelte. Edhe sot si dje, madje sot më shumë se dje, kemi nevojë për mësues të mençur dhe atdhetar, të cilët e dinë mirë se çfarë janë, çfarë bëjnë dhe çfarë duhet të bëjnë. Nën efektin turbullues të kësaj ngjarjeje, po përpiqem të kuptoj një gjë: a është e mundur që mësuesit tanë, në këtë kohë kur qenia kombëtare shqiptare po rrëmohet nga të gjitha anët, të lejojnë që dikush tjetër t’u tregojë atyre se çfarë dhe si duhet ta shkruajnë identitetin e tyre kombëtar? Qysh s’u gjet, as edhe një arsimtar i vetëm prej Kaçanikut historik e heroik, e t’u thotë atyre se, “Unë e di mirë se si duhet ta shkruaj këtu emrin tim”? E meqë kështu s’ndodhi, a është e mundur që mësuesit tanë të mos e dinë se çfarë janë, kush janë dhe çfarë bëjnë? Dhe, ndonëse bëhem gati t’i jap përgjigje negative kësaj pyetje që ia shtroj vetes, sërish me del përpara pyetja tjerë kundërshtuese: po nëse ata e dinë mirë se kush janë, si është e mundur të mos e dinë se çfarë bëjnë? Kjo është një çështje e madhe. Gabimet e pavetëdijshme mund edhe të falen, ndonëse jo gjithkund dhe jo gjithkujt, mirëpo gabimet e vetëdijshme, a mund dhe a duhet të falen? E mësuesit tanë, kolegët e mi, bashkëkombësit e mi, që mbase nesër mund të mos jenë më të tillë, ngase u deklaruan tjetërsoj, nuk mund kurrsesi të falen. Ata nuk janë fëmijë që të falen. Ata nuk janë të paarsimuar që të mund të falen. Ata nuk qenë të rrëmbyer a të burgosur që të mund t’i falim për lëshimin që qenë të “shtrënguar” ta bëjnë. Ata nuk janë të atij rangu, që të mund të themi se u mashtruan. Ku është atëherë problemi? Ai ndodhet diku tjetër. Për një vetëdije të çliruar Për të trajtuar plotësisht këtë temë duhet një shkrim më vete, shumë më i gjatë se ky, por po përpiqem ta skicoj mendimin në pak rreshta më poshtë. As që do t’i hyja këtij shkrimi, në qoftë se do të kisha bindjen se arsimtarët e kosovarizuar ndjehen vërtet të tillë. Por, jo. Unë i njoh mirë ata. Të gjithë janë shqiptarë dhe ndjehen shqiptarë. Ata, ç’është e vërteta, janë shumë të shqetësuar për këtë rast. Por, vetëm kaq – të shqetësuar. Revolta e tyre nis dhe përfundon në vetvete. Është pa rezultat. Nuk është se janë të paaftë, por ndjehen të paaftë. Ata nuk pranuan të quhen me identitet kombëtar “kosovar” pse ndjehen të tillë, por pse refuzimi i urdhrave që vijnë nga lart u duket krejtësisht i pamundur. Është investuar shumë në një mendësi të tillë. Inferioriteti. Bashkësia ndërkombëtare bashkë me politikanët tanë, i kanë mbushur mendjen popullit se, po mos të ishte Evropa dhe Amerika, Kosova dhe shqiptarët do të zhdukeshin nga faqja e dheut. I kanë mbushur mendjen popullit, se gjithçka vjen nga lart; se ne jemi të pafuqishëm dhe më të dobëtit e botës, se po humbi përkrahja ndërkombëtare, ne mbaruam, e të tjera si këto. Dhe kështu, popullit ia kanë robëruar mendjen. E kanë bërë të tillë, që të mos guxojë madje as të mendojë, ngase edhe mendimin duhet ta merr të gatshëm. Shprehjet “rezistencë” dhe “liri” u duken shumë të rezervuara. Rezistencë bën tjetërkush dhe liria varet nga tjetërkush. I kanë mësuar të thonë: liri kemi mjaft sot, sepse dikur s’kemi pasur aspak. Aq shumë e kanë deformuar lirinë në praktikë, sa që edhe konceptin teorik për të e kanë shpërfytyruar. Nuk mund të fitosh lirinë me mendje të robëruar, sepse nuk mund ta kuptosh atë si duhet, pa e çliruar mendjen. Në kohën kur ke përjashtuar mundësinë të thuash fjalët “unë mundem”, s’do mend se, nuk do të mundesh kurrë. Pse të mos thuhet kështu (?): jam, prandaj mundem dhe mundem gjersa jam. Por te ne po thuhet e kundërta: jam, por s’mundem gjersa janë të tjetër. Kjo të tjetërson, sepse nuk të lejon të bëhesh vetvetja. Meqë ti s’do të mundesh gjersa të tjerët do të jenë, atëherë ti s’do të mundesh kurrë sepse të tjerët do të jenë gjithmonë. Njerëzit e mençur kanë thënë se një popull përparon atëherë kur përparon vetëdija e tij. Vetëdija në kuptimin e plotë të fjalës. E në këtë mes, edhe vetëdija kombëtare, e cila kap vetëdijen historike, vetëdijen bashkëkohore dhe vetëdijen vizionare. Pa kapur këta tre përbërës të vetëdijes kombëtare, në njërën anë, me të cilën do e plotësojë vetëdijen e përgjithshme në anën tjetër, një popull nuk mund ta mbrojë si duhet qenien e tij, prandaj as identiteti i tij kombëtar. Duke shpresuar se kësaj rruge të gabuar nuk do të ecin arsimtarët e shkollave tjera të Kaçanikut dhe mbarë Kosovës, e përmbyll këtë shkrim duhet thënë se, ky fakt, dëshmon se pushteti ndërkombëtar në Kosovë, po vazhdon në mënyrë të heshtur, e njëkohësisht tepër të stërholluar, punën e nisur qysh se është këtu, për tjetërsimin kombëtar të shqiptarëve. Kësaj radhe në testin e shkombëtarizimit i futi arsimtarët të cilët, nëse vazhdon kështu edhe në të gjitha komunat tjera të Kosovës, “shkëlqyeshëm” do ta kalojnë atë, për të vazhduar me tej me shtresat tjera të shoqërisë, tek të cilat, shpresa për të pasur sukses gjithsesi do të jetë më e madhe. Pse jo? Kur vetë mësuesit pranojnë, do të thonë ata, pse të mos pranojë edhe populli, që mësohet prej tyre.

Kontribo