18 09 2014

Mbi parimet

Për parime është folur shumë, që kur pas zgjedhjeve parlamentare Lëvizja VETËVENDOSJE! deklaroi se nuk do të ketë qeveri “Thaçi 3” në Kosovë. Marrëveshja e paralajmëruar mes Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe bllokut LAN u nënshkrua nën emërtimin “Marrëveshja mbi parimet”, por për këtë marrëveshje Lëvizja VETËVENDOSJE! është akuzuar si joparimore nga disa grupime me motive e qëllime që dallojnë shumë nga njëri-tjetri. Disa prej tyre mundet që edhe ta kenë pasur të qartë se çdo të thotë fjala parim dhe e kanë keqpërdorur me qëllim, por disa të tjerë hapin sytë kur ia bën këtë pyetje. Prandaj, mund të jetë më e vlefshme që diskutimi mbi parimet t’ia nisë pikërisht nga shpjegimi i këtij termi aq të përfolur.

Fjala parim përkufizohet si ide drejtuese sipas së cilës ndërtohet diçka. Nëse merremi pak edhe me rrënjën dhe origjinën e kësaj fjale kuptojmë se ajo është ndërtuar mbi fjalën “pari”, ajo çka qëndron e para, si drejtuesi(t) i një vendi apo si shkaku fillestar ose origjina. Por, parimi është gjithashtu një marrëdhënie midis dy apo më shumë ndryshimeve. Pyetjet që shtrohen në lidhje me parimet janë: (1) cilin parim të zbatojmë për të realizuar një qëllim, si dhe (2) në ç’mënyrë ta zbatojmë atë.

Nëse ndalemi për një moment te shkencat ekzakte dhe i vendosim vetes për qëllim shkrirjen e ujit nga gjendja e ngurtë (akull) në gjendje të lëngshme e dimë që nuk duhet të zbatojmë parimin e vlimit por atë të shkrirjes: parimi që uji në shtypje normale atmosferike arrin pikën e shkrirjes në temperaturën 0 °C. Për ta sjell në jetë këtë marrëdhënie të veçantë midis ujit, shtypjes atmosferike dhe temperaturës, është e rëndësishme që të njohim mirë secilin prej elementeve bashkë me ndryshimet që pësojnë. Për shembull, në kushte të tjera atmosferike, fizikanti kupton se duhet të përdorë një nivel të ndryshëm temperature për të realizuar të njëjtin parim. Pra, parimi nuk mund të zbatohet pa ndjekur strategjinë e duhur, dhe kështu strategjia kthehet në aspektin më të rëndësishëm për zbatimin e një parimi. Zbatuesit më të mirë të një parimi arrijnë që të përzgjedhin strategjitë dhe mjetet më të përshtatshme që mundësojnë në kushte të reja, ose të panjohura më parë, jetësimin e marrëdhënies së synuar: parimin.

Le t’i kthehemi tani shoqërisë dhe politikës. Cili është parimi i drejtë politik që duhet të ndjekë populli i Kosovës në situatën në të cilën ndodhet vendi? Përgjigja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këtë pyetjeje është vetëvendosja e popujve, me qëllim çlirimin e plotë të vendit. Përzgjedhja e parimeve politike që duhen ndjekur është diçka që lidhet ngushtë me koncepte si drejtësia dhe barazia, dhe vetëvendosja është një parim që i materializon këto koncepte kur parimi zbatohet nga një popull i shtypur politikisht dhe i shfrytëzuar ekonomikisht nga popuj të tjerë. Shkaku fillestar i themelimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! mbi këtë parim qëndron te fakti që jetësimi i tij u pamundësua kur sistemi kolonialist Serb u zëvendësua me sistemin neo-kolonialist të UNMIK-ut. Ky sistem i mundëson një pjesë të ndërkombëtarëve në Kosovë, bashkë me plot politikanë shqiptarë që kanë hequr dorë nga parimi i vetëvendosjes, të sundojnë duke i hequr mundësinë (me kushtetutë) popullit për të vendosur mbi fatin e vet, si dhe duke e varfëruar atë ekonomikisht përmes privatizimeve të egra neoliberale.

Nëse dikush mendon se parimi i vetëvendosjes është vjetruar dhe nuk ka më asnjë funksion, mjafton t’i hedhë një sy përpjekjeve politike për pavarësi të bazuara mbi këtë parim që janë zhvilluar e po zhvillohen për motive të ndryshme nga skocezët në Mbretërinë e Bashkuar, katalunjasit në Spanjë, palestinezët në Lindje të mesme, shtetet e ish-Jugosllavisë në vitet 1990, Mali i Zi në vitin 2006, e kështu me radhë. Parimi i vetëvendosjes së popujve është origjina ideore mbi të cilën është ndërtuar Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kosovë dhe orientimi përmes së cilit kjo Lëvizje i merr vendimet dhe vepron. Janë pikërisht këto vendime dhe veprime ato që përbëjnë strategjinë për realizimin e parimit të vetëvendosjes, dhe strategjia dhe mjetet që Lëvizja përzgjedh janë jetike për realizimin e parimit. Atëherë është legjitime të ngrihet pyetja se cilat mjete duhen përdorur.

Për realizimin e këtij parimi popuj të tjerë kanë përdorur luftën, atentatet, demonstratat, mosbindjen civile, bojkotet, aleancat strategjike me kundërshtarë të kundërshtarëve, referendume demokratike, marrëveshje për paqe të përkohshme, koalicione me forca përparimtare, koalicione me forca reaksionare, mashtrimi i kundërshtarit politik, prishjen e marrëveshjeve dhe lidhjen e marrëveshjeve të reja, etj. Mirëpo duhet thënë se jo gjithmonë këto mjete dhe strategjia e bazuar mbi to ka rezultuar e suksesshme. Plot nuk ia kanë dalë, mirëpo plot kombe të tjerë kanë fituar lirinë pikërisht duke i përdorur këto mjete në kombinim. Po t’i hedhësh një sy historisë së Kosovës, kupton se të gjitha këto mjete i ka përdorur edhe populli shqiptar, por të gjitha këto mjete i ka përdorur gjithashtu edhe ish-kolonizatori: Serbia. Dhe këtu njerëzit e cekët mbyten me një pikë ujë. Meqenëse shqiptarët kanë vrarë serbë dhe serbët kanë vrarë shqiptarë, atëherë këto dy palë barazohen. Parimet ngatërrohen me strategjinë dhe mjeti merret për parim, ndërkohë që harrohet motivi dhe barazohen synimet, duke barazuar kolonizatorin me çlirimtarin. Apo duke barazuar partitë servile të sistemit neo-kolonialist në Kosovë me një Lëvizje që e ka rrënjosur veprimtarinë e saj në parimin e vetëvendosjes; thjesht nga që strategjia e këtyre palëve që dallojnë për nga parimet si nata me ditën i ka bashkuar ato në një koalicion të përkohshëm.

Përveç se nuk duhet të ngatërrojmë parimet me mjetet dhe të nxjerrim konkluzione të gabuara, duhet të jemi të vetëdijshëm që realizimi i një parimi politik kërkon përveç përkushtimit edhe mjeshtëri në zbatim. Por mjeshtëria nuk varet vetëm nga përsosja e aftësive në përdorimin e mjeteve. Duke qenë se parimi është marrëdhënie midis ndryshimeve, atëherë mjeshtëria nënkupton pikësëpari analizën e mënyrës se si po ndryshojnë faktorët që po përpiqemi t’i vendosim sipas një marrëdhënieje të caktuar: parimit të vetëvendosjes në këtë rast. Për Kosovën kjo nënkupton analizën e ndryshimeve brenda dhe jashtë vendit në shtetet e huaja aleate dhe armike, organizatat ndërkombëtare, forcat politike në Kosovë dhe marrëdhëniet e tyre me njëra-tjetrën dhe shtetin, situata ekonomiko-politike në përgjithësi, mjetet në dispozicion, etj. Kjo analizë është kyç, pasi ashtu siç na tregon edhe historia mund të kesh parimin e duhur dhe të dështosh nëse vazhdon të përdorësh të njëjtën strategji. Ashtu siç mund të dështojë fizikanti diletant që nuk kupton se në kushte të një shtypje të ndryshme atmosferike uji në gjendje të ngurtë nuk kthehet më në gjendje të lëngshme në temperaturën 0 °C.

Në bazë të analizës së ndryshimeve ekonomiko-politike, Lëvizja duhet të mbetet e gatshme të përdorë mjetet brenda dhe jashtë institucionale: ligjore (aty ku mund të përdoret hapësira juridike për të avancuar realizimin e parimit) dhe jo-ligjore (aty ku ligji i vendosur nga sistemi neo-kolonialist bllokon zbatimin e parimit). Nëse Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk do të vepronte sipas një strategjie gjithmonë në ndryshim, parimet e saj do të mbetnin në ajër si diçka abstrakte. Ndryshimet e shtyra nga forcat politike brenda dhe jashtë vendit që nuk varen nga vullneti politik i anëtarëve të Lëvizjes, do të krijojnë gjithnjë nevojën për taktika të reja. Detyra e Lëvizjes është t’i dallojë këto ndryshime dhe të përzgjedh sipas tyre strategjinë më të përshtatshme për realizimin e parimit, pra të bëhet mjeshtër i zbatimit.

18 shtator 2014
Botuar në “Zëri”

Kontribo