29 03 2010

Mbikëqyrja e keqkuptuar

Kur u shpall pavarësia e Kosovë sipas Planit të Ahtisarit, prania ndërkombëtare në Kosovë, e cili edhe e kishte shestuar mirë jo vetëm Planin në fjalë por edhe gjithë procedurën formale dhe joformale të kësaj ngjarjeje, e quajti këtë si “pavarësi të mbikëqyrur”. Shumë shqiptarë të mirë e mbase edhe ca politikanë naivë, menduan se mbikëqyrja nuk do t’i bënë dëm aspak pavarësisë por vetëm se do ta ndihmojë atë. Ata kurrsesi nuk donin ta kuptonin mbikëqyrjen si kushtëzim i pavarësisë ndërsa gjendjen mbikëqyrëse, si mbisundim. Por çfarë është, në të vërtetë, mbikëqyrja ndërkombëtare në Kosovë? Dihet se, të mbikëqyrësh do të thotë të vësh nën vëzhgim dikë apo diçka, të përkujdesesh për diçka apo edhe të ruash dhe mbrosh dikë apo diçka. Mirëpo mbikëqyrja nuk është gjithmonë dhe për të gjithë, e mirë dhe e pranueshme. Kështu për shembull, mbikëqyrësi i punimeve në një punishte a punëtori, është i nevojshëm dhe bënë punë të dobishme ngase, pa të, sigurisht punët nuk do të mund të shkonin si duhet. Apo, ta zëmë, bariu i deleve që mbikëqyrë tufën, duke u kujdesur që të mos shkoj dëm. Mirëpo mbikëqyrësi i personave të rrëmbyer, i të burgosurve në vendet e pushtuara dhe diktatoriale, apo edhe i të dënuarve me pushkatim, ndonëse mund të kujdeset fort për ruajtjen dhe “sigurinë” e tyre, prapëseprapë bënë punë të keqe dhe kriminale, ndërkohë që veprimin e vet e quan “mbikëqyrje” pa e futur dot nën thonjëza.

Po ashtu, tjetër gjë është të mbikëqyrësh një vend akoma të papavarësuar dhe krejt tjetër, është të mbikëqyrësh një vend të pavarësuar. Mbikëqyrja e një vendi të papavarësuar mund të ketë kuptim, ngase është vend jo i pavarur dhe si i tillë, ose do të jetë i sunduar ose i mbikëqyrur. Mbikëqyrja e një vendi jo të pavarur rrezikon të shndërrohet në sundim, në qoftë se zgjatet shumë, sikundër ndodhi me Kosovën nën administrim-sundimin e Kombeve të Bashkuara (UNMIK). Në raste të tilla, e vetmja mënyrë për të vazhduar sundimin është që popullit vendës t’i shpallet një lloj pavarësie e rrejshme, e cila do të shërbejë si maskë e sundimi që do të vazhdoj. Zaten, edhe për këtë arsye faktori ndërkombëtar u shtrëngua ta shpallte “pavarësinë” ndërsa “mbikëqyrjen” e vazhduar ta propagandonte si “siguri” të kësaj pavarësie. Ndërkaq, mbikëqyrja e një vendi të deklaruar si i pavarur, kur kjo bëhet pa vullnetin e popullit vendës, s’mund të ketë kurrfarë kuptimi, përveç se kuptimin e sundimit.

Kontribo