10 10 2013

Mendësia e robëruar

Duket se politikanët tanë janë të destinuar të jenë të varur, madje të përjetshëm! Duket kështu ngase, sikur karakterizohen nga një mendësi e nënshtruar. Nuk është ky vetëm një gjykim i dhënë ashtu, si të thuash, kuturu. Është më tepër një përfundim logjik i rrjedhur nga praktika e sjelljes së tyre, vërtetë qyqare. Fjalimet dhe deklaratat e politikanëve tanë sot, shpesh herë nuk dallojnë aspak me fjalimet dhe deklaratat e tyre para se ta shpallnin Kosovën të pavarur. Kështu për shembull, të martën, kryetari Fatmir Sejdiu, pasi akuzoi Serbinë se po i nxitë serbët në Kosovë për të shkaktuar incidente, kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë trysni mbi Serbinë që t’i ndalë këto praktika…! Harron se edhe vet ka marrë pjesë në nënshkrimin e Deklaratës së Pavarësisë! Harron se me një deklaratë të tillë kallëzohet jo vetëm mungesa e sovranitetit por edhe e pavarësisë ndaj Serbisë! Harron se, strukturat paralele serbe në Kosovë nuk do t’i shuan kurrë bashkësia ndërkombëtare por duhet t’i shuajnë institucioneve tona të cilat duhet të bëhen vërtetë sovrane!

Rebelohen disa serb në veri të Kosovës, i pengojnë shqiptarët t’i ndërtojnë shtëpitë e tyre, ndërsa kryetari i shtetit kërkon ndërhyrjen e bashkësisë ndërkombëtare që përmes formash të ndryshme ta ndërpres këtë praktikë! Ja deri ku mbërrin pavarësia jonë. Ja krejt ç’ka mundësi të bëjë Kryetari dhe Qeveria jonë. Ja deri në ç’shkallë mbërrin pavarësia, në të vërtetë, varësia e kryetarit, kryeministrit dhe institucioneve tona shtetërore. Dhe ky nuk është rast i rrallë. Dhe ky nuk është rast i vetëm. Ky në të vërtetë është një rast – gjedhe, ku institucionet dhe politikanët tanë e kanë shpërfaqur brishtësinë e tyre, falsitetin e institucioneve përkatëse, mentalitetin robërues, politikën pa politikë, përmes të cilave po e komprometojnë jo vetëm veten e tyre, moti të komprometuar, por gjithë kombin shqiptar.

Herët është vërejtur se këtyre, politikanëve tanë, u mjafton vetëm forma dhe jo përmbajtja. Këta ndjehen të vetëkënaqur me postet dhe emrat që mbajnë e jo me përgjegjësitë dhe mundësitë që duhet të kenë.  Këta janë të zhveshur nga të gjitha atributet që i ka dhe duhet t’i ketë një njeri, qoftë edhe kur bëhet një udhëheqës popullor apo kombëtar, siç janë: ndjenja e përkatësisë kombëtare, dinjiteti njerëzor personal që rrjedh nga virtyti njerëzor, ndjenja e origjinës dhe vetëdija për perspektivën (kush ishe, kush je dhe kah po shkon) etj. Duke e harruar historinë, jo vetëm të largët por dhe afërt, ata u bënë pjesë përpjekjeve të huaja për shthurjen e identitetit kombëtar duke na  zhveshur nga flamuri historik, himni dhe kultura jonë e përbashkët, dhe mbi të gjitha, duke na zhveshur nga forca. Për ta e rëndësishme është, që,  vendin në të cilin sundojnë ta quajnë ‘shtet’; që veten ta quajnë ‘kryetar’ a ‘kryeministër’; që të organizojnë festa e të bëjnë ftesa, e të marrin pjesë nëpër festa a t’iu përgjigjen ftesave; duke u vetëkënaqur kështu gjithmonë me titujt dhe emërtimet zyrtare që mbajnë, si z. Kryetar, z. Ministër apo z. Kryeministër, etj.

Se vendi nuk është i kontrolluar prej institucioneve që ata mendojnë se i udhëheqin, kjo nuk iu bënë përshtypje aspak. Sigurisht mendojnë se, për këtë duhet të mendojnë dhe të kujdesen ata që edhe e shpallën Kosovën shtet, pra ata të bashkësisë ndërkombëtare, dhe këtu kanë të drejtë plotësisht. Sikur Ahtisaar-i të mos e bënte planin për udhëheqjen tonë politike, çfarë do të bënte ajo gjatë bisedimeve dhe më vonë?!

Por, t’i lëmë shakatë e t’i kthehemi realitetit. Deri kur udhëheqja jonë, që s’mund të thuhet se është legjitime, do të vazhdoj të luaj me ne dhe fatin e vendit tonë?! Deri kur, kjo udhëheqje dhe këta politikanë s’do ta kuptojnë se megjithatë e kanë shpallur Kosovën shtet prandaj edhe duhet të sillen si udhëheqës të atij shteti?! Deri kur do të presin këta politikanë që edhe problemet më të vogla do të duhet që bashkësia ndërkombëtare t’i zgjidhë?! Sa herë që bëjë pyetje të formuluara në këtë trajtë, përgjigjja më vjen e njëjtë: gjithmonë! Prandaj më duhet ta ndryshoj formën e pyetjes: deri kur do t’i durojmë këta politikanë-kukulla dhe mashtrues që të luajnë me fatin tonë dhe të vendit tonë?

Përgjigjja në këtë pyetje, megjithatë mund të jetë më shpresuese.

Kontribo