02 06 2010

Mozaiku dhe eskatologjia

Filosofi dhe teologu i periudhës që ndan Mesjetën nga koha e Antikës, Plotini, ka një koncept të çuditshëm për të bukurën, i cili është i njohur në teorinë e estetikës. E bukura është konstelacioni i caktuar i elementëve përbërës të saj. Për ta ilustruar konceptin e tij, ai merr shembull mozaikun. Ajo që e bën një mozaik të jetë i bukur është pikërisht pozicioni që zënë gurët e veçantë përbrenda mozaikut. Po t’i marrësh këta gurë secilin në vetvete, ata mund të duken të shëmtuar. Por, raporti që ata kanë me njëri-tjetrin prodhon të bukurën, që është mozaiku. E bukura është tërësorja.

Kjo pikëpamje e Plotinit m’u kujtua jorastësisht tek po lexoja një shkrim në gazetën Express. Shkrimi titullohej ‘E bukura e demokracisë’ dhe bënte fjalë për pritjen me vezë që ne, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, i kishim bërë Ministrit të Jashtëm të SMZ-së, Vuk Drashkoviqit. Përgjatë shkrimit do ta kuptoni që për gazetarin shoqëria jonë ka domethënien e një mozaiku. Gurët e këtij mozaiku janë Lëvizja VETËVENDOSJE!, UNMIK-u, SHPK-ja, IPVQ-të, KFOR-i… Secili kryen punën e vet: aktivistët e VETËVENDOSJE!-s protestojnë kundër sistemit të UNMIK-ut, ky i fundit vazhdon me avazin e vetëlegjitimimit antidemokratik, SHPK-ja është për t’i arrestuar protestuesit… Dhe – ç’ide e pështirë! – ‘e bukura e demokracisë’ qëndroka pikërisht në tërësinë e roleve specifike që lozin këta akterë! Aktivistët kanë të drejtë të protestojnë, SHPK-ja ka të drejtë t’i arrestojë ata!

Kjo pikëpamje për shoqërinë dhe rrjedhat e përgjithme nëpër të cilat po kalon ajo, meriton një emërtim, të cilin e dha një mik yni: kjo është ‘logjika e komplementaritetit’. Pra, ‘logjika e plotësueshmërisë’. ‘E bukura e demokracisë’ s’është vetëm lozja e roleve të caktuara, por, mbi të gjitha, plotësimi që i bëjnë ata njëri-tjetrit përgjatë këtij aktiviteti, e që kompleton përfundimisht tërësinë e mozaikut. Kjo ‘logjikë’ në shoqërinë tonë gëzon përmasën e një dukurie kolektive. Por, ku qëndron përgenjështrimi i saj?

Falsiteti i një ‘logjike’ të tillë qëndron në një huqje elementare: këtu nuk ka plotësime ‘të bukura demokratike’, por kundërshti absolute të pareduktueshme. Vetëvendosja nuk është plotësim i UNMIK-ut. Ajo është vdekja e tij. SHPK-ja dhe IPVQ-të janë plotësim i UNMIK-ut, sepse janë pjesë e pushtetit të tij. Vullneti i popullit dhe UNMIK-u janë negacion absolut i njëri-tjetrit. UNMIK-u mund të realizohet vetëm si shtypje e këtij vullneti. Ky vullnet mund të jetësohet vetëm si fund i këtij sistemi.

Po eskatologjia? Ku e gjejmë atë mes nesh sot? Përveç në kokat e shumë njerëzve të thjeshtë, edhe në mendimet e dofarë politikanëve dhe gazetarëve, sigurisht. Pavarësia shihet si ardhje e determinuar historike, e cila si e tillë zhvleftëson efektin imediat të çfarëdo përpjekjeje kolektive. Thjeshtë, ne jemi një copë e hollë letre, destinacioni i së cilës maksimalisht kushtëzohet nga kahjet e fuqishme të erës. E tëra ç’na mbetet, pra, është pritja e qesëndishme.

Ç’kuptim ka pikëpamja deterministe e historisë, në një kohë që s’je duke bërë asgjë më shumë se spektatorin pasiv? Pasoja e parë – dhe më e rënda, sigurisht – është krijimi i një uzine të madhe ku deponohen të gjitha gabimet dhe mospuna e atyre që ushtrojnë pozita me përgjegjësi. Nëse proceset janë të pashmangshme, atëherë, rrjedhoja e parë është mosefikasiteti i veprimeve individuale. Prandaj, ato bëhen të pagjykueshme moralisht. Së dyti – injektohet iluzioni i ardhjes së lirisë së domosdoshme tek masa. Dhe, së fundi, krejt kjo pafytyrësi ushqen një vetkoncept inferior masiv. Grupi molepset nga kjo pikëpamje për veten e shfaktorizuar. Prandaj, UNMIK-u vazhdon ushtrimin e pushtetit dhe kontrollit; politikanët ‘shfajësohen’ duke e bërë gjumin e përjetshëm nën idenë e ‘pavarësisë si ardhje e domosdoshme’ (ky, bile, është i vetmi gjum që i bën ata më të pasur!); ndërkaq, masa vetëmashtrohet për aq sa nuk merr guximin e kundërshtimit të krejt kësaj padrejtësie sistemike.

S’është kohë pritjesh. Është moment veprimesh.

Kontribo