09 07 2012

Muharrem Nitaj nuk të fal nëse ia kritikon Hashim Thaçin

Në shkrimin e datës 09.07.2012 në gazetën ZËRI, Muharrem Nitaj mundohet ta përshkruaj gjendjen politike në Kosovë. A është shkrimi i z. Nitajt një analizë e vërtetë e situatës politike në vend, thjesht një shkrim i cili i shërben pushtetit, apo shkrimi tij pasqyron mendimin se si ai e kupton politikën dhe gjendjen në Kosovë?

Në përgjithësi shkrimin e karakterizon një shqetësim për gjuhën dhe formën e aktiviteteve të opozitës, konkretisht të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Nitaj nuk duket i shqetësuar aq shumë me problemet që ka Kosova siç janë: varfëria, papunësia, korrupsioni, marrëveshjet antikushtetuese të PDK –së, LDK-së dhe AKR-së, por kur këto probleme sheshohen e adresohen nga aktivitetet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Qëllimi i shkrimit është ta barazojë opozitën dhe pozitën për atë se çka po ndodh në Kosovë, pra për t’i bërë të gjithë bashkfajtorë dhe për t’i bërë të gjithë njejtë përgjegjës. Z. Nitajn e shqetëson se si qenka bërë nervoz Albin Kurti në një seancë ku po diskutohej për procesin e privatizimit të Furnizimit dhe Distribucionit të KEK-ut, por nuk e shqetëson procesi i privatizimit të këtij sektori. Z. Nitaj, çdo qytetar që është i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm do të duhej të bëhej nervoz për një process të tillë kriminal. Madje mua më shqetëson fakti se pse ju z.Nitaj nuk e morët mundin të paktën të shkruani një shkrim për këtë abuzim me pronën publike. Ky proces po e shpronëson shoqërinë, e në anën tjetër po i pasuron pushtetarët. Të gjithë jemi të vetedijshëm se Distribucioni i KEK-ut është një monopol natyror që deri me tani ka qenë nën menaxhim publik dhe tani pushteti po e kalon në monopol privat, e privati ka për qëllim thjeshtë vetëm fitimin vetjak. Përveç tjerash, edhe çmimi  i shitjes prej 26.3 milion sa është paraparë në ofertën nga kompania fituese tregon se po bëhet një krim ekonomik kur e dimë se vlera minimale e këtij aseti është rreth 400 milion euro.

Tema e dytë të cilën orvatet ta trajtojë Nitaj, adreson në të vërtetë shqetësimin e parë dhe të vetëm për të, si ta barazojë pozitën dhe opozitën. E ka fjalën për incidentin e fundit në Kuvendin e Kosovës. Z. Nitaj nuk e ka problem që Kuvendi është mbushur dhe kapur nga agjentë të SHIK-ut, të cilet janë të dyshimtë për shumë krime që kanë ndodhur në vend. Nuk e ka ngritur asnjëherë shqetësimin se si u bë që të gjithë agjentët e SHIK-ut që kandiduan për deputetë i fituan votat e nevojshme, madje shumë prej tyre figura tërësisht anonime për opinionin. Kjo ishte e mundshme sepse procesi zgjedhor i vitit 2010 u karakterizua nga një vjedhje industriale e votave. Z. Nitaj për incidentin e fundit të gjithëve na vjen keq, por këtë e prodhuan agjentët e SHIK-ut, sepse për të tilla gjëra ata edhe janë në Kuvend.

Shqetësim i radhës është për mandatin e Presidentës Jahjaga. Sigurisht që presidentja nuk po e kontrabandon mandatin sepse është vetë e kontrabanduar nga PDK, LDK dhe AKR, që e lidhën një marrëveshje jashtinstitucionale dhe kundërkushtetuese. Këtë marrëveshje, të tillë e cilësoi edhe Gjykata Kushtetuese, e cila sigurisht se është në të njëjtat linja politike me Hashim Thaçin. E këtij të fundit po i intereson që ajo marrëveshje të bëhet e pazbatueshme, sepse tash nuk ka më krizë institucionale.

Z. Nitaj, me shkrimin e fundit, por edhe në shkrimet e mëhershme po tentoni ta shlyeni historinë e problemeve, në mënyrë që ta zhdukni shkaktarin e lindjes së tyre pastaj, krejt kjo me një qëllim të vetëm: ky qëllim është bashkëfajësia dhe barazimi i përgjegjësive.

Pse Kosova sot është e varfër, me papunësinë më të lartë në Evropë, me një korrupsion rekord dhe me një kriminalitet të theksuar, sigurisht që përgjegjësinë duhet kërkuar në adresën e Qeverisë së Kosovës, por edhe tek ata që e mbrojnë si puna juaj.

Sigurisht se një pyetje është legjitime në këtë mes: Z. Nitaj ju po e bëni këtë për t’i kthyer borxhet eventuale që keni ndaj pushetit, apo thjesht nuk e keni të qartë se me shkrimet tuaja po i shërbeni pushtetit. Në rastin e parë ju jeni një mercenar me kalem, ndërsa në rastin e dytë do të shqetësohesha për mungesën sado minimale të logjikës kur i trajtoni problemet. Për ju nuk ka rëndësi kush mbron interesin e përgjithshëm e kush interesat klanore, kush është shtypësi e kush i shtypuri, a ka të drejtë ndonjëri në këtë mes, por e vetmja gjë me rëndësi është që ata po ballafaqohen dhe kjo nuk duket mirë në syzet tuaja idilike që kërkojnë vetëm qetësi.

Kontribo