02 06 2010

Ndarja/Ngjarja

Një vend mund të jetë edhe shtet, edhe i ndarë. Qiproja është shtet, bile anëtar i Bashkimit Evropian, por i ndarë. Republikën Turke të Qipros, e krijuar pas pushtimit gjashtëditor turk më 1974, e njeh vetëm Turqia dhe asnjë prej vendeve të Grupit të Kontaktit apo anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Por kjo republikë ekziston, dhe kjo është më e rëndësishme se njohja. Në librin e tij, You, The People: The United Nations, Transitional Administration, and State-Building (2004), Simon Chestermani thotë që rasti i Kosovës i ngjet shumë më tepër Qipros sesa Bosnje dhe Hercegovinës. Në aspektin formal, mund të jetë kështu, por përmbajtësisht, puna me Kosovën qëndron edhe më keq: Kosova është edhe e ndarë, edhe nuk është shtet. E, me negociata, me Grupin e Unitetit, me sistemin shtypës të UNMIK-ut, as që do të bëhet shtet ndonjëherë. Në këtë kuptim, Kosova është shumë më afër Palestinës sesa Qipros. Palestina edhe nuk është shtet, edhe është e ndarë. Palestina dhe Kosova përpos të ndara, janë edhe të copëtuara. Me negociata shteti i Palestinës nuk u bë kurrë. Në momentin kur Izraeli ishte më së afërti njohjes së shtetit palestinez, kurse mundësitë për shtënien në dorë të territoreve palestineze ekzistonin ende, vritet Yitzhak Rabini, kryeministri izraelit, nënshkrues i Marrëveshjes së Oslos. A nuk u vra për po të njëjtat arsye, kryeministri serb, Zoran Gjingjiq? Në shkëmbim të hyrjes së përshpejtuar të Serbisë në BE, ai mbase ishte i gatshëm të merrte “vetëm” 30% të territorit të Kosovës, në kohën kur Shesheli e Koshtunica ishin të bindur që mundësia e Serbisë ishte më e madhe.

Negociatat janë zyrtarizimi i vdekjes së më të dobëtit. Mbi 90% e drafteve që i sillte Chris Hill, kryendërmjetësuesi amerikan për Kosovën gjatë shtator-dhjetorit 1998, mbanin pozicionin e Serbisë. Pastaj jorastësisht drafti përfundimtar i marrëveshjes së Rambujesë ishte, madje, edhe më i dëmshëm sesa versioni nismëtar mbi të cilin filluan të punonin palët e atëhershme negociatore, gjë të cilën e pranojnë të gjithë negociatorët e Rambujesë. Shumica prej tyre janë po këta të sotmit.

Pakoja e Ahtisaarit përmban 90% të pozicionit serb. Por Serbia nuk po pajtohet me rekomandimin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës – “pavarësinë e mbikëqyrur”. Kjo është arsyeja pse kemi negociata të reja. Kur përreth tryezën negociatore gjendet pala e fortë dhe ajo e dobëta, kësaj të fundit ose i mbetet të bëhet e fortë (e kjo nuk ka lidhje me negociata), ose të nënshtrohet. Grupi i Unitetit moti është përcaktuar për këtë të fundit. Kjo që po ndodh aktualisht me Kosovën është shembulli më ilustrativ qysh filosofia e negociatave ndjek inercionin e më të fortit.

Muajin e fundit ndodhën dy deklarata domethënëse lidhur me ndarjen e Kosovës. Gjatë vizitës në Beograd dhe Prishtinë, përfaqësuesi i treshes ndërmjetësuese, Wolfgang Ischinger, la të kuptohet që ndarja është njëra prej zgjidhjeve të mundshme. Gjatë javës që e lamë pas, Ministri i Punëve të Jashtme të Holandës, Maxime Verhagen, jo vetëm që tha se ndarja është njëri prej opsioneve në tavolinë, por (sipas tij), madje më i pëlqyeri (në vend të kësaj, ai zgjodhi fjalën “atraktive”). Dhe, kështu, dalëngadalë po hyjmë në territorin diskursiv ndërkombëtar të ndarjes së Kosovës. Meqë përveç ndarjes në tavolinë do të jetë edhe opsioni i autonomisë së Kosovës nën Serbi, aktualizimi i qëllimshëm ndërkombëtar i ndarjes shërben si gogol kundër popullit të Kosovës pikërisht për ta arritur këtë autonomi. Koordinatat politike të zgjidhjes po e vendosin autonominë si “shpëtimin” e vetëm prej ndarjes. E, Grupi i Unitetit do ta “shpëtojë” Kosovën nga ndarja vetëm nëpërmjet kësaj zgjidhjeje. Ky “shpëtim” i këtij lloji, i ngjet atij që e bëri ajo gruaja e cila qëlloi të jetë udhëtare në një anije transatlantike përplot pasagjerë. Udhëheqësi i anijes ia vuri syrin gruas dhe ia dha 5 ditë afat për të fjetur me të, ose përndryshe, do t’i hidhte të gjithë udhëtarët në oqean. Meqë gruaja mbante një ditar me vete, pas disa vjetësh ai u gjet. Në të shkruante: “Dita e parë: ruajta nderin. Dita e dytë: mendova për burrin. Dita e tretë: mendova për fëmijët që i dua. Dita e katërt: mendova sa e rëndësishme është të jesh e moralshme. Dita e pestë: shpëtova 500 njerëz…!”.

Kurse sa i përket aspektit vendor të aktualizimit të ndarjes, patëm deklaratën “realiste” të ish kryeministrit, Bajram Rexhepi. Ai tha: ta japim veriun e Kosovës për Luginën e Preshevës. Së pari, në kohën kur Serbia i kontrollon të dyja këto territore, është naivitet sa të duash të mendosh që ajo do të na e lëshojë vullnetarisht njërën prej këtyre pjesëve, e “prekur” prej parimit të drejtësisë a barazisë. Së dyti, Serbia e ka imponuar decentralizimin e Kosovës pikërisht për ta shkëputur Luginën nga Kosova nëpërmjet lidhjes territoriale të komunave të reja serbe në Anamoravë. Pra, Serbia përveçqë e ka okupuar veriun, po këmbëngul për zbatimin e decentralizimit saktësisht për të mos na e dhënë Luginën. Bashkimi i Kosovës është më afër duke luftuar decentralizimin (p.sh komuna e veriut të Mitrovicës si dhe komunat e Anamoravës që e izolojnë Luginën). Së treti, kemi këtu një ide që, madje, mendon të heqë dorë prej një pjese të Kosovës, e cila megjithatë është përbrenda kufijve aktual të Kosovës, një situatë e krijuar me spastrim etnik të shqiptarëve prej shkurtit 2000 e deri sot. Kompensimi i territoreve në këtë rast do të ishte pranim dhe legalizim i këtij spastrimi kriminal. Situata është ashtu e strukturuar që, në kohën kur Serbia i kontrollon të dyja këto hapësira, vetëm lufta për të dyjat e bën kuptimplote kërkesën. Lypja e njërës, në fakt, është lypja e asnjërës. Por, prapavija e krejt këtij aktualizimi të idesë së kompensimit të territoreve është zhvendosja e vëmendjes kah më pak e mundura, kah më e largëta edhe historikisht, edhe për nga mundësitë organizative. Opsionet të cilat po fliten për statusin e Kosovës janë të shumta. Por përmbajtjet e tyre na bëjnë të kuptojmë që Grupi i Unitetit, përveçqë gjatë gjithë kohës ka mashtruar, ai megjithatë e ka thënë një të gjysmë të vërtetë: kur ata thanë që në këto negociata nuk do të flitet për pavarësinë e Kosovës. Aferim, sepse në këto negociata njëmend nuk do të flitet për pavarësinë e Kosovës. Por jo ngaqë (siç thonë ata), “pavarësia është çështje e kryer”. Por sepse pavarësia as që është në agjendë.

Por, qytetarët e Kosovën nuk kanë pse të frikësohen prej ndarjes: ajo ekziston qe 8 vite. Nuk mund të ndodh ajo që ekziston. Ajo që ekziston tashmë ka ndodhur me vetë faktin e të ekzistuarit. Populli i Kosovës duhet ta bashkojë vendin. Bashkimi do të ishte ngjarje, sepse ai nuk ekziston. Ngjarje që parandalon ndarjen. 

Kontribo