30 04 2010

Në emër të ligjit

Çka është ligji? Kush e bënë atë dhe për çfarë? A është ai gjithherë i drejtë apo mbase mund të jetë edhe i padrejtë? Janë këto pyetje që duhet t’ia parashtroj vetes sekush i referohet atij. Një nga përgjigjet në pyetjen, ‘çka është ligji?’ është edhe kjo – siç ka thënë një mendimtar: Ligji është forma më e keqe e tiranisë! Për këtë arsye, kur është fjala për ligjin, ai gjithmonë duhet shikuar me rezerva, e dyshime, ngase ligji është bërë nga njerëzit dhe për njerëzit. E meqë bëhet nga njerëzit dhe për njerëzit, ai shpeshherë përdoret nga të parët kundër të dytëve. Në emër të ligjit janë bërë shumë krime në botë. Ligj, nuk do të thotë çdo herë drejtësi. Çdo gjë që bëhet në emër të ligjit, pretendohet se po bëhet në emër të drejtësisë. Dhe padrejtësi të mëdha janë bërë, dhe vazhdojnë të bëhen, në emër të drejtësisë. Po, kush – cili sistem, e vendos ligjin dhe e siguron zbatimin e tij? Sigurisht shteti. Për të kuptuar të vërtetën mbi ligjin në veçanti, duhet gjetur të vërtetën mbi shtetin i cili i nxjerrë ato ligje. Nuk mund të nxjerrë ligje të drejta një shtet i padrejtë. Po, ç’ kuptojmë në këtë mes, me shtet të padrejtë? Sigurisht, nuk kuptojmë atë që një shtet  do të mund të kuptonte për shtetin tjetër, por atë që një popull kupton për shtetin e vet. Ndjenja e popullit për shtetin në të cilin jeton ndërtohen nga mënyra se si e përjeton ai atë. Shqiptarët shumë lehtë e kanë të dallojnë shtetin e padrejtë, ngase kohë të gjatë kanë jetuar nën shtete të tilla. Prandaj shtete të tilla, të padrejta ndaj qytetarëve të tyre, bëjnë ligje jo për mbrojtjen e nënshtetasve të tyre por për mbrojtjen e pushtetit nga ta. Këta shtete rrallë i dënojnë kriminelët, sepse ata u duhet fort atyre, ndërsa gjithherë i persekutojnë intelektualët! Intelektualët janë armiku më i madh dhe më i rrezikshëm në shtetet e padrejta, jodemokratike dhe totalitare. Kur fillojnë të të burgosen intelektualët – s’i ke punët mirë!

Në qoftë se Jugosllavia në kohën e Titos dhe Rankoviqit ka qenë e drejtë për shqiptarët në Kosovë e vise tjera në Ish-Jugosllavi, atëherë edhe shteti i sotëm i Kosovës me Eulex-in e të tjerët mbi krye, është i drejtë ndaj qytetarëve të vetë. Dikush s’do të pajtohet me këtë pohim. Ja një krahasim. Me gojën plotë ‘bashkim vëllazërim’ e ‘barazi për të gjitha kombet dhe kombësitë’, politikanët e atëhershëm jugosllav me argatët e tyre shqiptarë, i dënonin shqiptarët me dhjetëra vite burg të rëndë vetëm se planifikonin t’i fitonin të drejtat e tyre kombëtare në mënyrë paqësore. Me gojën plotë ‘drejtësi’, ‘bashkëjetesë’ e ‘integrime euroatlantike’, zyrtarët e sotshëm ndërkombëtarë me argatët e tyre shqiptarë, po i dënojnë si ata që luftuan për çlirim kombëtar ashtu edhe ata që po përpiqen për liri njerëzore e kombëtare në forma krejt paqësore. Tituj si “Dënime të merituara” apo “U dënua grupi armiqësor irredentist” mund të lexoheshin nëpër gazeta, në kohën kur u dënua grupi i Adem Demaçit më 1975, sipas një ligji të një shteti që s’është më. “Ata që dalin në demonstrata janë armiq të Kosovës” apo “Albini mund të mbajë përgjegjësi morale” – po dëgjohet e lexohet sot nëpër mediat tona, për rastin e gjykimit politik, sipas një ligji të këtij shteti që tani është. Ku është dallimi, atëherë, mes këtyre dy pushteteve? Sigurisht që ka dallime, sepse edhe diktaturat e kohëve të ndryshme janë të ndryshme, por ato mbeten prapë diktatura. Duhet të ndodhesh nën lëkurën e Albinit dhe shumë të tjerëve që janë dënuar e po vazhdojnë të persekutohen, në mënyrë që ta kuptosh se sa i vogël është ndryshimi. Megjithatë, rasti i Albinit, pra rasti i procesit politik gjyqësor ndaj tij, ka një të mirë, sikundër ndodh me çdo të keqe tjetër. Ai e tregon qartë se çfarë ligji kemi dhe çfarë drejtësie zbatohet në Kosovë. Dihet se, sipas aktakuzës së gjyqit të EULEX-it, Albini mund të dënohet 8 deria 10 vjet. Aspak nuk do të gabojmë nëse themi se, në qoftë se Albini meriton dënimin prej 8 apo 10 vjetësh, atëherë të gjithë ne të tjerët meritojmë po kaq vite burg, ngase – kush e di – mund të kemi bërë ndonjë vepër penale. Në qoftë se Albin Kurti duhet të mbajë përgjegjësi morale, sipas Jakup Krasniqit, pse i paska thirrë njerëzit të dalin në demonstratë, atëherë edhe Jakup Krasniqi duhet të mbajë përgjegjësi morale pse i ka thirrë njerëzit me iu bashku UÇK-së! Sipas kësaj logjike, të gjithë organizuesit e demonstratave të vitit ’68, ’81, ’89, ’97 dhe ’98, duhet dënuar pse kanë thirrur njerëz në ato demonstrata ku janë lënduar, plagosur, burgosur e vrarë shumë shqiptarë! Po sipas kësaj logjike, të gjithë ata intelektualë dhe veprimtarë, të cilët me librat, shkrimet dhe veprat e tyre kanë mund t’i nxisin njerëzit të dalin në protesta dhe demonstrata për të kërkuar të drejtat e tyre njerëzore dhe kombëtare, duhet dënuar! Edhe ndaj Adem Demaçit, i cili për shkak se vazhdimisht ngulte këmbë gjatë hetimeve për ato çka kishte bëre dhe që kishte ndërmend të bënte, mbajti aq vite burg, lirisht mund të kërkohet përgjegjësi morale pse me ‘kokëfortësinë’ e tij jo vetëm që ka bërë të vuajë familja e tij, por ka nxitur mijëra shqiptarë të vazhdojnë rrugën e tij për sendërtimin e idealeve të kombit shqiptar! Dhe akoma më tej, në qoftë se mund t’i gjykojmë kështu gjërat, duke kërkuar përgjegjësi morale, që nënkupton gjithsesi edhe përgjegjësi penale, prej gjithë atyre që me veprën e tyre nxitën të tjerët në luftimin e të drejtave dhe kërkesave të tyre, pa e përfillur legjitimitetin e këtyre kërkesave dhe veprimtarive, atëherë na duhet qe edhe figura të tjera të historisë sonë si Shaban Polluzha, Azem Bejta, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Abdyl Frashëri, e shumë të tjerë, deri edhe Skënderbeu, duhet dënuar ngase me veprat e tyre paskan nxitur shqiptarët në luftëra në të cilat janë vrarë dhe kanë vuajtur qindra mijëra. Dhe në fund, në qoftë se është kështu, e që kurrë s’mund të jetë, edhe Adem e Hamës Jashari nuk duhet të çmohen e nderohen si heronj kombëtarë e legjendarë, ngase mbi ta po rëndoka përgjegjësia morale se i kanë nxitur shqiptarët në një luftë në të cilën janë vrarë, masakruar dhe plagosur mijëra shqiptarë! Por jo, kështu s’mund të jetë. Kështu mendojnë vetëm ata politikanë të pushtetit që hallin kryesor e kanë mbrojtjen e pushtetit. Me ta s’fitohet liria, sepse ata s’e kanë hallin tek liria për popullin por tek liria e tyre. Prandaj në emër të drejtësisë e bëjnë ligjin e padrejtë, kundër qytetarëve dhe vullnetit të tyre, për vete dhe interesat e tyre. Për interesa të tyre këta politikanë miratuan një kushtetutë me ligjet e së cilës i ndalohet bashkimi kombit shqiptar.

Kontribo