09 04 2015

Në mbështetje të protestave të universitarëve në Tiranë

Lëvizja VETËVENDOSJE! shpreh mbështetjen e saj ndaj qytetarëve dhe universitarëve të organizuar në Tiranë rreth Lëvizjes “Për Universitetin”, të cilët po vazhdojnë protestat kundër komercializimit të arsimit të lartë në Shqipëri.

Këto protesta po vijnë duke u zgjeruar, për shkak të drejtësisë së çështjes, por edhe për shkak të sinqeritetit në organizim, dy elemente thelbësore për të ngritur një reagim politik qytetar.

Në alternativën e saj qeverisëse Lëvizja VETËVENDOSJE! parasheh një Universitet më të fortë Publik. Ne jemi për lidhjen e Universitetit me ekonominë, por jo për shndërrimin e Universitetit në treg. Logjika autoritare e tregut do të diktonte mbi Universitetin synime të palidhura me dijen, dhe do të kthente përfitimin në shkak lëvizës për gjithë aparatin universitar, ndërkohë që i vetmi shkak lëvizës i pranueshëm do të duhej të qe thjesht e vetëm dëshira për t’iu përkushtuar dijes.

Lëvizja “Për Universitetin” në Tiranë është duke i bërë jehonë organizimeve të ngjashme të cilat në vitet e fundit po ndodhin në shumë vende të botës, kundër zbatimit të dogmës neoliberale dhe kundër privatizimit në një prej terreneve më të rëndësishme publike, siç është universiteti.

Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon nga autoritetet vendimmarrëse në Shqipëri, të marrin parasysh kërkesën e aktivistëve, qytetarëve dhe të universitarëve, e të mos imponojnë në dëm të së mirës publike një reformë jodemokratike, e cila do të rriste çmimin e arsimit të lartë apo do të shpërndante të ardhurat publike në universitetet private të cilave u ndërrohet veç emërtimi. Protestuesit kanë të drejtë.

9 prill 2015
Lëvizja VETËVENDOSJE!

Kontribo