02 06 2010

Nënvetëdija e pushtetit të korruptuar

E pavetëdijshmja është e strukturuar si gjuhë
Jacques Lacan

Kritika është ndër format më të mprehta të grishjes së nënvetëdijes. Kurse, reagimi ndaj kritikës rëndom është vetëzbulimi i nënvetëdijes. Dekonstruktimi i kësaj të fundit bëhet më së miri duke zbërthyer kuptimin e reagimit ndaj kritikës.

Në një rast, kur patëm kritikuar strukturat udhëheqëse të UP-së, ato patën reaguar duke na konsideruar si ‘dorë e zgjatur’ e tjetërkujt. Thjeshtë, njerëzit mendonin që studenti nuk mund të jetë ai, i cili ta ketë mendimin e tij kritik autonom ndaj padrejtësive që ndodhnin në UP. Nënvetëdija e tyre vetëshpalosej përmes mekanizmit të projeksionit. Projektimi i instrumentalizimit të kritikës sonë bëhej vetëm ngaqë ata vetë ishin instrument i dikujt tjetër (i një partie politike, p.sh.). Ata s’mund të dilnin jashtë nënvetëdijes së tyre. S’mund të gjykonin jashtë pozicionit, të cilin përfaqësonin.

Kjo është saktësisht nënvetëdija që shquan pushtetarët, të cilët, pozicionin e tyre e shohin si më të favorshmin burim keqpërdorimesh. Reagimi i tyre i zakonshëm ndaj një kritike konstruktive që pahtëson qartë korruptimin e pushtetit merr formën e një përpjekjeje zhvleftësimi duke projektuar si qëllim të kësaj kritike marrjen e pushtetit. Prirja që këtij qëllimi të projektuar t’i atribuohet një e keqe imanente tregon konceptin e tyre për pushtetin: një instrument për pasurim personal të paligjshëm.

A s’po ndodh sot e njëjta fushatë stigmatizimi për VETËVENDOSJE!-n? Çohen liderët e shkretë politik dhe akuzojnë: ‘mos e ndiqni këtë Lëvizje, sepse ata do të bëhen parti politike!’. Çdo mendim ngërthen një presupozimin të fshehur. Në këtë rast, pjesa e fshehur e këtij mendimi thotë: ‘ata do të bëhen si ne’. Pra, mos u besoni atyre, sepse njëjtë sikur ne, edhe ata kanë për synim të bëhen ca shpërdorues tenderesh dhe mashtrues të popullit. Akuza e tyre automatikisht nënkupton pranimin e inkriminimit.

Në këtë pikë, s’mund të mos bëj një parabolë të largët me Dostojevskin. Tek vepra madhështore Vëllezërit Karamazovë, Grushenjka – një femër e përdalë dhe zemërkazmë, në të cilën ishin të dashuruar marrëzisht Fjodori dhe djali i tij i madh, Dmitri, e gjen veten tek rri me vëllaun më të vogël të Karamazovëve – Aljoshën; ky i fundit një njeri skajshmërisht i moralshëm dhe i mirë deri në naivitet. Në një të tillë situatë, ndodh një gjë e çuditshme: përballë padjallëzisë së Aljoshës Grushenjkës fillon e i bëhet vetja e padurueshme. Vetëdija për këtë diferencë thelbësore dhe cilësisht morale e bren deri në neveritje. Dhe fillon procesi i shmangies së kësaj shpërputhjeje shpirtërore cfilitëse. Në pamundësi për ta duruar Objektin e shkakut të Diferencës, ajo synon suprimimin e Tij. Ideja e Dostojevskit është më se e qartë: trazimi i të keqes së vetëvetëdijshme fillon si reaksion ndaj një Rezistence kualitativisht dalluese. Shpëtimi i Grushenjkës manifestohet si përpjekje për gëlltitjen e Objektit të Dallimit. Ajo i ulet atij në prehër sa për ta tunduar – e vetmja mënyrë që ta shkaktojë njëjtësinë absolute morale të shpirtrave, e pra, zhdukjen e çfarëdo disonance shpirtërore, hedhjen e kësaj barre të padurueshme.

Të njëjtin fenomen mund ta shquajmë edhe tek filmi i Michael Lehmann-it – 40 Days & 40 Nights. Kur Matt Sullivan-i, i lozur nga Josh Hartnett-i, vendos për agjërimin seksual dyzetditësh, në fillim shokët e tij bëjnë shaka me të, duke e parë një gjë të tillë si krejt të pamundshme. Por teksa ai po i afrohej suksesshëm këtij afati, çohen i madh e i vogël për ta penguar dhe për t’ia shkatërruar betimin. Shumë lehtë e shpjegueshme pse: përveçqë shumë shokë kishin vënë bast që një agjërim i këtij lloji s’mund të ndodhte, ata – dhe ky është thelbi i reagimit të tyre – shihnin në zotimin e Matt-it ndrydhjen e konceptit të jetës së tyre ‘pashmangësisht’ ‘promiskuite’, siç do ta quante Zhizhek-u. Lufta e tyre shpjegohet si nevojë e brendshme për ‘natyralizimin’ e hedonizmit të tyre të shthurur. Mostoleranca e shqetësimit themelohet mbi vetëdijen e identifikimit të Dallimit.

A s’janë akuzat e partive tona politike për VETËVENDOSJE!-n përpjekje e dështuar për suprimimin e Dallimit traumatik për to? Elitat e tyre duan ta totalizojnë çfarëdo nisme të pastër në shkrryerjen e tyre korruptuese. Në mënyrë që totalizimi ta zhdukë Dallimim. Dhe klasa politike të shfajësohet. Por, kot.

Kontribo