18 01 2012

Një Mesazh Brukselit

“Besojmë se protestat janë plotësisht të pajustifikueshme, sepse shkojnë kundër një parimi themeltar të BE-së që është qarkullimi i lirë i mallrave”, ka thënë zëdhënësi i Ashton, Michael Mann (16 janar, 2012). Kjo deklaratë e lëshuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë, znj. Catherine Ashton, vjen pas protestave paqësore të organizuara në datën 14 janar 2012 nga lëvizja “Vetëvendosje!” në dy pikat kufitare me Serbinë në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë. Protesta u organizua me qëllim mbrojtjen e vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar ndaj shtetit serb, vendim ky që është marrë me 42 vota pro, 33 vota kundër dhe 2 abstenime në datën 7 dhjetor 2011. Në mungesë të vullnetit të qeverisë së Republikës së Kosovës për ta zbatuar këtë vendim, protestat kishin për qëllim mobilizimin qytetar në mbrojtje të vendimit të Kuvendit nëpërmjet bllokimit të importeve të mallrave serbe që hyjnë në këto dy pika kufitare nga një shtet që jo vetëm nuk e njeh Republikën e Kosovës, por edhe e cilëson Kosovën si pjesë të territorit të vet.

 

Por a është lëvizja e lirë me të vërtetë një parim që i mbivendoset lirisë për të protestuar në mënyrë paqësore brenda vetë ligjeve të Bashkimit Europian? Liria për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themeltare e shprehur në Kapitullin II, Neni 12 i Kartës së Bashkimit Europian për të Drejtat Themeltare. E drejta për lëvizjen e lirë të qytetarëve shprehet shumë më vonë në kapitullin V, neni 45, dhe kjo JO si një prej lirive, por si një e drejtë, e cila mund të gëzohet vetëm nëse një qytetar është i lirë. Liria për të protestuar në mënyrë paqësore është një liri politike që u paraprin të drejtave të tjera. Pra, vendet e BE-së e kanë të qartë që nuk mund të ketë qytetarë jo të lirë që gëzojnë të drejta për lëvizje të lirë. Qytetarët e lirë janë pikërisht ata që organizohen politikisht dhe protestojnë për të mbrojtur dhe afirmuar lirinë e tyre, sidomos kur ajo u mohohet.

 

Ndërkohë që nga pikëpamja ligjore, Bashkimi Europian duket se e ka zgjidhur me kohë edhe çështjen e përplasjes midis lirisë për të protestuar dhe qarkullimit të lirë të mallrave. Juristi Florian Hasko shpjegon se në vitin 2003, Gjykata Europiane e Drejtësisë, gjykata më e lartë që merr vendime lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ligjin e Bashkimit Europian, ka marrë vendim për një rast të ngjashëm me atë që po ndodh sot në Kosovë, që njihet si vendimi “Schmidberger”. Në këtë çështje kompania ndërkombëtare e transportit “Eugene Schmidberger” ngriti padi kundër Republikës së Austrisë, për faktin se ajo nuk kishte marrë masa për të ndaluar një protestë paqësore që kishte bllokuar njërin prej akseve rrugore kryesore të transportit në Austri, ku kalonin transit mallrat midis shteteve anëtare të BE-së. Vendimi i gjykatës në fund e hodhi poshtë padinë e ngritur nga kompania tregtare, me arsyetimin se “kufizimi i tregtisë ndërmjet shteteve anëtare është i justifikuar nga interesi legjitim për mbrojtjen e të drejtave themeltare, në këtë rast të drejtën e protestuesve për lirinë e të shprehurit dhe lirinë për të protestuar”. Më tej, vendimi i gjykatës thotë se “ndërkohë që një demonstratë në një autostradë publike përgjithësisht nënkupton një pengesë për ata që nuk marrin pjesë në demonstratë, në veçanti duke penguar lëvizjen e lirë, kjo pengesë në parim mund të tolerohet nëse qëllimi i demonstratës është shprehja ligjore e një opinioni.” Ky vendim shërben si një precedent ligjor për të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

 

Në këtë pikë ne kuptojmë se baronesha Ashton ose nuk e njeh ligjin e BE-së, ose me qëllim e shpërfill atë, ashtu si qeveria e Kosovës po shpërfill sot vendimin e Kuvendit të Kosovës. Në emër të qarkullimit të lirë të mallrave, populli duhet të jetojë në robëri, pa gëzuar lirinë e tij, po na thotë Europa. Ne i përgjigjemi se këtë të diel, në datën 22 janar, ne do të dalim sërish në protestë për të bllokuar dy pikat kufitare si qytetarë të lirë që ushtrojnë të drejtën e tyre themeltare, dhe kësaj radhe jemi më të vendosur se kurrë.

(botuar te Gazeta Shqip ne daten 18.01.2012)

Kontribo